Zëvendëskryetari Sahiti: “Ndihem krenar që jetoj në Medvegjë!”

166

Florim Sahiti, shprehet se ndihet krenar që jeton në Medvegje dhe vazhdon të kontribuojë në këtë vend. Po ashtu, Florim Sahiti, shprehet se gjendja është stabile dhe të gjithë punët politike tashmë kanë marrë kaheje të mirë.

EA-SK

28 Janar 2015

  1. Florim, ju jeni qytetar shqiptar që jetoni në Medvegje, ju lutem na tregoni pak për gjendjen e tanishme politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve, të cilët jetojnë në këtë komunë?

Sahiti: Unë, si qytetar shqiptar që jetoj në Medvegjë, së pari e ndiej veten krenar që jam këtu dhe mundohem të ta ndaj të mirën, dhe të keqen me bashkëkombësit e mi, të cilët kanë mbetur për të jetuar në këtë komunë. Së dyti gjendja politike është stabile dhe të gjitha punët politike tashmë kanë marr kaheje të mirë, dhe të gjithë ne, në të ardhmen, do të mundohemi edhe më shumë t’i shtyjmë interesat tona kombëtare e t’i realizojmë ato. Për sa i përket gjendjes ekonomike dhe sociale të shqiptarëve që jetojnë në këtë komunë, mund të them se kushtet si dhe rrethanat ekonomiko-sociale, të cilat janë në shtet e duke i marrë parasysh ato, lehtë mund të them se shqiptarët janë të inkuadruar në institucione shtetërore dhe se paku nga çdo familje dikush është i punësuar. Në të ardhmen, do të mundohemi që ketë numër ta rrisim në nivel më të lartë.

  1. Si trajtohen, a ka diskriminim ndaj komunitetit shqiptar atje?

Sahiti: Realisht mendoj se diskriminimi është i pranishëm në të gjitha sferat e jetës, por ne nuk duhet t’i shikojmë ato gjera me rëndësi të madhe. Ne jemi këtu t’i realizojmë qëllimet tona kombëtare. Me kushtetutë të Republikës së Serbisë i kemi të garantuara të gjitha drejtat dhe jemi të barabartë me të gjithë, dhe mu për këtë arsye ne nuk merremi shumë me termin diskriminim, për arsye se e kemi bazën juridike pas. 

  1. Meqë, Ju jeni edhe përfaqësues politik i shqiptarëve, pra jeni zv. kryetar i lomunës së Medvegjës. Çfarë keni bërë, që të drejtat dhe jeta e shqiptarëve në këtë komunë të jetë e barabartë me komunitetet tjera?

Sahiti: Unë, si zv. kryetar kam bërë shumë për bashkëkombësit e mi. Së pari, sigurinë e tyre e kam dhe jam duke e mbajtur në nivel të mirë. Vazhdimisht mundohem që të drejtat e shqiptareve t’i ngriti në nivel më të lartë dhe, ajo që vlen të përmendet, është se kam punuar shumë për hapjen e çerdhes në gjuhen shqipe, e cila me herët nuk ka ekzistuar fare. Hapjen e paraleles në gjuhen shqipe në shkollën e mesme, e cila ishte shuar në kohen e Sllobodan Millosheviqit, si dhe hapjen e drejtimeve në fakultetit ekonomik dhe atij juridike të Universitetit të Nishit në Medvegjë, në të cilin ligjëratat zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.

  1. Me vdekjen e kryetarit të komunës së Medvegjës, para disa muajve, ju ushtruat detyrën e të parit, gjë që ishte historike për shqiptarët. Si e priten qytetarët pozitën tuaj aq më tepër serbët, të cilët janë shumicë?

Sahiti: Vërtet ishte historike për këtë komunë të jetë në krye një shqiptar. Prej atij momenti unë e kam udhëhequr komunën dhe jam munduar të punoj për te gjithë në mënyrë të barabartë, dhe për këtë gjë serbët nuk reaguan. E, kane pranuar me kënaqësi udhëheqjen time.

  1. Po incidenti i fundit, kur ju fituat vota për të qënë përsëri zëvendëskryetar i Komunës, çfarë efekti pati ndaj juve, si personalitet politik shqiptar dhe ndaj gjithë atyre shqiptarëve, që jetojnë në Medvegjë?

Sahiti: Për incidentin e fundit që ka ndodhur në seancën e Kuvendit Komunal të komunës së Medvegjes, mund të them që isha i zhgënjyer nga vetë fakti se huliganët e Partisë Përparimtare Serbe, u vërsulën në mua, duke hyrë në sallë të Kuvendit dhe me sjellje banale kanë filluar të fyejnë të gjithë këshilltaret, të cilët nuk ishin nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe. Për këtë gjë, unë e kam njoftuar deputetin shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë, njëherë edhe kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimin, i cili ka ardhur në Medvegjë me bashkëpunëtorët. Ata, u njoftuan për së afërmi me problemin dhe të njëjtit e kanë gjykuar këtë rast banal, ku të njëjtin rast e dënoj edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, si dhe shoqata humanitare “Medvegja” nga Zvicra.

  1. Keni vazhdimisht problem të tilla nga grupe të caktuara serbe, që iu bëjnë presion?

Sahiti: Po për sa i përket problemeve nga grupet e caktuar, mendoj se ata merren më shumë me thashetheme, por reagim konkret nuk ka dhe mendoj se nuk do të këtë. Ata janë një grupacion shumë I vogël, të cilin nuk e përkrahin as bashkëkombësit e tyre. 

  1. Sa janë të interesuar liderët politikë shqiptarë të Luginës, për Medvegjën, a ju ndihmojnë dhe a bashkëpunoni me ta, në të mirë të shqiptarëve në Medvegjë?

Sahiti: Interesim ka, unë i falënderohem të gjithë liderëve të Luginës, të cilët gjithmonë shprehin gatishmëri t’i ndihmojnë komunës së Medvegjës, e në veçanti shqiptarët dhe për çdo gjë, e cila ka të bëjë me ne, e dimë që e kemi përkrahjen e plotë të tyre.

/EA-SK/ – /LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *