Xhandarmëria serbe mori pjesë në konfliktin e 2001-it në Maqedoni!

189

Faljen e ish presidentit serb Boris Tadiq ndaj popullit maqedonas, për përfshirjen e xhandarmërisë serbe në Maqedoni, mediat e serbe e apostrofojnë me konfliktin e vitit 2001. Sipas tyre, Tadiq e di shumë mirë se çfarë ka roli ka pasur xhandarmëria serbe në Maqedoni, ndaj mjafton thjesht ta pranojë publikisht atë. Dilemat janë ngritur në analizën kritike të autorit Bojan Tonçiq në “E-novine”.

“Xhandarmëria serbe e themeluar në qershor të vitit 2001 mori pjesë në luftimet në Maqedoni deri në gusht të 2001-it kur edhe u shpërbë. Gjatë gjithë kësaj kohe Boris Tadiç ishte Ministër i Telekomunikacionit në Qeverinë Federale Jugosllave. Nga këtu del se ai, megjithatë, nuk duhej të fliste me shkencëtarë për të kuptuar se çfarë roli ka pasur xhandarmëria serbe në Maqedoni… duhet vetëm të thoshte se përse pati angazhuar Serbia luftëtarët e saj me përvojë, në shtetin fqinj. Me çfarë vlerësimi dhe me çfarë kostoje? Ndoshta dikush ka menduar se pikërisht në Maqedoni duhet të demonstrohej vazhdimësi e pandërprerë e qeverisë së Millosheviqit?”.

Autori pohon më tej se Serbia ka marrë pjesë në luftimet e 2001 në Tetovë dhe Gostivar, për të cilat posedon edhe dëshmi, por nuk mund t’i publikojë për shkak të kërcënimeve nga udhëheqësia ushtarake serbe.

“Serbia sigurisht që mori pjesë në luftimet në Tetovë dhe Gostivar. Bëhet fjalë për mercenarë shtetërorë të cilët e filluan karrierën e tyre në gardën vullnetare serbe të Zheljko Razhnatoviq Arkanit, ndërsa e vazhduan në Njësinë Operative Speciale nën komandën e Milorad Ulemek Legija, i cili komandoi në Maqedoni. Kjo ishte njësia “rent-a-legija” e cila luftoi nën uniformat e pjesëmarrësve të Mbrojtjes Territoriale të Maqedonisë”.

Mediat serbe madje shtrojnë pyetjen përse Tadiqi kërkon tani falje kur nuk është në funksion shtetëror, dhe si mund ta bëjë këtë në emër të gjithë Serbisë./ Alsat-M/ – /LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *