Vuçiq: Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, s’i vë sanksione Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur qëndrimin e Serbisë për pushtimin që Rusia po ia bën Ukrainës. Ai ka thënë se Serbisë i vjen keq për rastin e se e mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës. Megjithatë, Serbia nuk u është bashkuar shteteve perëndimore në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë.“Serbia mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë ai.

Në një konferencë për media Vuçiq ka lexuar konkludimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, në pikë të parë Serbisë i vjen keq për gjithçka që ndodh në Evropën Lindore. “Ne i shohim rusët dhe ukrainasit si popull vëllazëror”, ka thënë Vuçiq.

“Serbia është e përkushtuar ndaj parimit territorial. Bazuar në nenin 16 të Kushtetutës së Serbisë, një nga parimet themelore është respektimi i integritetit territorial të shteteve të tjera”, ka shtuar Vuçiqi.

Sipas tij, Serbia gjithmonë ka ndjekur politikë të jashtme “të përgjegjshme e parimore”. Për këtë ka thënë se e ka paguar gjithmonë shtrenjtë.

E di se kjo nuk do t’u pëlqejë të gjithëve, do të ketë kundërshtime por kemi bërë më të mirën që kemi mundur. Serbia ka pasur shumë lufta, shumë humbje njerëzish. Kjo flet për atë se ne duhet të jemi krejt bashkë, të ruajmë njerëzit tonë”, ka deklaruar më tej presidenti i Serbisë.

“Serbia respekton të drejtën ndërkombëtare. Serbia i di mirë nevojat e veta, Serbia i respekton miqësitë tradicionale, kujtojmë vitin 2015 dhe 1999. Nuk jemi ngutur e s’kemi bërë vrap në marrjen e vendimeve. Kemi bërë më të mirën e mundshme për vendin tone. E dimë se ky vendim nuk do t’u pëlqejë të gjithëve”, ka thënë ai.

Ka fajësuar, siç i ka quajtur ai, mediat e tajkunëve, të cilat gjatë ditës raportuan se “Serbia nuk e njeh integritetin territorial të Ukrainës”. Me këtë sipas tij, ato i kanë bërë dëm “Serbisë, integritetit të saj territorial, Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse e Serbisë”.

Megjithatë, sipas Vuçiqit s’është koha që Rusisë t’i vihen sanksione.

Vuçiqi i ka reaguar edhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramonit, që tha se ka marrë fund koha kur Serbia mund “të luajë me dy karta”.

“Është koha e fundit – sepse ajo thotë se është kohë e fundit që Serbia nuk di çfarë bën – që ajo të bëhet e përgjegjshme, të bëhet pak më serioze apo së paku të mos flasë marrëzira. Kjo është e tëra çfarë kam t’i them asaj gruaje. Dhe jo rastësisht ajo është bërë ikonë shqiptare në Kosovë e Metohi, dhe për të gjithë ata që bëjnë çdo gjë për t’i sjellë dëm Serbisë”, ka thënë Vuçiqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.