Vuçiq: Pozicioni i Serbisë “tmerrësisht i komplikuar”, pas deklaratave të fundit të Putinit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq iu është drejtuar mediave në Berlin, ku u takua me ministren gjermane të Mbrojtjes, Annalena Baerbock.

Dhe sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 13 maj, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

“Pozicioni ynë është i vështirë, tmerrësisht i ndërlikuar, me deklaratat e presidentit (Vladimir) Putin edhe më shumë. Unë do të flas për këtë nesër. Kam frikë se do të jetë gjithnjë e më e vështirë ekonomikisht”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Vuçiq ka aluduar në deklaratat e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili në një takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ka krahasuar rastin e Kosovës me atë të Donetskut dhe Luhanskut.

Siç kishte thënë Putin, ai ka lexuar të gjithë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Kosovës dhe aty është krijuar precedent për të vepruar në mënyrë të njëjtë në Donetsk e Luhansk, që ato ta shpallin pavarësinë.

Përveç kësaj, presidenti i Serbisë ka thënë se gjithashtu se darka joformale e mbrëmshme me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë e vështirë dhe se përfaqësuesit gjermanë këmbëngulën se ajo që u nënshkrua në Marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohet.

Ndërsa i pyetur nëse mund të zbulojë disa detaje nga ai takim dhe nëse ka pasur ndonjë ndryshim, Vuçiq është përgjigjur se nuk i pëlqen të flasë për detaje, por se biseda ka qenë “shumë, shumë e vështirë”.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, citohet të ketë thënë Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Pas takimit me shefen e diplomacisë gjermane, Vuçiq tha se ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz, me ftesë të të cilit ishte në Berlin.

“Është e rëndësishme të bisedohet me përfaqësuesit gjermanë, sepse është vendi më i madh dhe më i rëndësishëm në Evropë. Nuk mund ta ndryshojmë qëndrimin e Gjermanisë për çështjen e Kosovës…”.

Ndërkohë duke komentuar luftën në Ukrainë dhe qëndrimin e Serbisë, e cila është “mes dy zjarreve”, ai tha se situata për vendin e tij, jo për fajin e tyre, është vështirësuar shumë dhe presioni ndaj Serbisë është i madh.

I pyetur nëse Serbia do të bëjë një kthesë në politikë pikërisht për shkak të këtyre presioneve, ai ka theksuar se Serbia është në rrugën e integrimeve evropiane dhe nuk devijon nga ajo rrugë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.