Vuçiq paralajmëron nga 100 euro për të rinjët e moshës 16- 29 vjeç – nga 100 euro për dhjetë vjet e ardhshme edhe për fëmjën e tretë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë prezantimit të planeve për vitin 2022, tha se do të ndajë nga 100 euro ndihmë shtetërore për personat e moshës 16 deri në 29 vjeç, ku aplikimi do të fillojë më 15 janar, ndërsa po atë ditë do të paguhen të gjithë punëtorët shëndetësorë me nga 10.000 dinarë.

Vuçiq bëri të ditur se të gjithë personat e moshës 16 deri në 29 vjeç do të kenë mundësi të aplikojnë për shumën prej 100 euro. Aplikimi do të zgjasë nga data 15 deri më 20 janar dhe paratë do të barten rreth datës 1 shkurt, siç pretendon ai.

“Të gjithë punëtorët shëndetësorë do të marrin mbështetje prej 10 mijë dinarë më 15 janar”, tha Vuçiq, duke shtuar se ndihma për pensionistët prej 20 mijë dinarë do të vijojë më 10 shkurt.

Nga 1 janari, për fëmijën e parë të lindur, prindërit do të marrin 300 mijë dinarë si ndihmë  e njëhershme financiare.

“Ajo që është e re, që nga sot do të kemi një përfitim të vetëm prej 100 mijë dinarë për fëmijën e dytë dhe të tretë”, tha Vuçiq.

Përveç ndihmës së njëhershme prej 100.000 dinarë për fëmijën e dytë, sipas njoftimit të Vuçiqit, fëmija do të marrë 10.000 dinarë në muaj për dy vitet e ardhshme, ndërsa për fëmiun e tretë, përveç 100.000 dinarë ndihmë të njëhershme, ai do të marrë 100 euro në muaj për dhjetë vitet e ardhshme.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Serbisë më 5 janar do të miratojë një dekret me të cilin do të rregullohet që nënat të kenë të drejtë të marrin 10 deri në 50 për qind të dhuratave nga shteti për blerjen e një banese.

“Ligji është i lidhur me nënën sepse ato janë më të përgjegjshme dhe duan më të mirën për fëmijën”, shpjegoi Vuçiq.

Sipas tij, janë duke u bërë ndryshime në ligjin penal, me të cilat do të vendosen masa më të rrepta parandaluese ndaj dhunës ndaj grave dhe po mendohet se si të parandalohet dhuna e bashkëmoshatarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.