Vuçiq: Daçiq, kryetar i ardhshëm i Kuvendit republikan – pjesë e Qeverisë së ardhshme edhe partitë e pakicave kombëtare

323

Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, pritet të zgjidhet kryetar i Parlamentit republikan të Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, njëherësh kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve të 21 qershorit, asaj Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq.

“Do të ketë shumë punë për të si kryetar i parlamentit. Vlerësojmë se është e rëndësishme që së bashku të marrim pjesë në diçka që është e mirë për të ardhmen e Serbisë”, ka thënë Vuçiqi.

Kjo pozitë Daçiqit i është dhënë, pasi partia e tij, Partia Socialiste e Serbisë, do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, së bashku edhe me Lidhjen Patriotike Serbe të Aleksandar Shapiqit, që deri më tash ishte në opozitë.

Vuçiqi po ashtu ka njoftuar se emrat e kabinetit qeveritar, që prapë do të udhëhiqet nga Ana Bërnabiqi, do të bëhen të ditur deri më 25 tetor. Ka thënë se do të shtohet një ministri, ajo për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun.

Gjithashtu, Vuçiq, ka theksuar se pjesë e Qeverisë së ardhshme do të jenë edhe përfaqësuesit e pakicave, duke mos u deklaruar se për cilën pakicë kombëtare bëhet fjalë./LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *