VIDEO/Kamberi në Kuvendin e Serbisë: Ne s’kemi nxënës për “Bože Pravde”

Deputeti popullor shqiptar, Shaip kamberi, gjatë fjlaimit të tij të sotëm, ka kërkuar nga deputetët e tjerë që të mos votohe ligji nga ku i obligon nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që vitin akademik të nisin me intonimin e himnin kombëtar serb “Bože Pravde”.

” Sot po kërkohet prej nesh të votojmë që tash e tutje nxënësit e shkollave të Serbisë ta fillojnë vitin e tyre shkollor më intonimin e himnit ‘Bože Pravde”.

E pritshme, se nuk mund të pritej ndryshe nga kjo qeveri, nga ky pushtet, duke ditu që nuk keni arritur t’i jepni qytetarëve të Republikës së Serbisë, ekonomi, mirëqenie, drejtësi, shëndetësi, arsim, të drejta, perspektivë etj. Prandaj flitni për “botën serbe”, për krenarinë dhe dinjitetin e popullit serb, për lavdinë e tij historike. Fsheheni pas nacionalizmit në emër të patriotizmit. Me negacionizëm dhe popullizëm. Duke mohuar të gjitha pjesët e errëta të djeshme dhe dështimet tuaja të sotme. Ky është romani i juaj nacional. Konstruksioni dhe narracioni juaj” – ka thënë mes tjerash deputeti Kamberi.

Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të sotëm, gjithastu ka theksuar se kjo Serbi nuk e ka dashur as futbollistin boshnjak Adem Lajiç, i cili nga një idhull i popullit serb, u bë i urryer, vetëm pse nuk e këndojë himnin serb para një ndeshje të futbollit, ndërsa futbollisti serb Ilija Iviqit nga Graçanica u bë tradhëtar i serbëve, vetëm pse pranoi ftesën për të përfaqësuar Kosovën, shtet që nuk tekst të himnit.

Kamberi mes tjerash ka thënë se ky himn nuk përfaqëson edhe 22 pakicat që jetojnë në Serbi, derisa ka thënë se: Ne s’kemi nxënës për “Bože Pravde”. Edhe më hiq shqiptarë.

Më poshtë e gjeni të plotë fjalimit e sotëm të deputetit, Shaip Kamberi:

Ne s’kemi nxënës për “Bože Pravde”. Edhe më hiq shqiptarë.

Kurseni nxënësit nga himnet. Kurseni shkollat nga nacionalizmat.

Jepni arsim cilësor për punësim të dinjitetshëm.

Ky është himni që na duhet.

FJALIMI IM KUNDËR DETYRIMIT LIGJOR NË SERBI TË INTONIMIT TË HIMNIT NË FILLIMIN E VITIT SHKOLLOR

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar deputetë,

Mirëdita – Dobar dan

Sot, po ndodh diçka që pritej.

Sot po kërkohet prej nesh të votojmë që tash e tutje nxënësit e shkollave të Serbisë ta fillojnë vitin e tyre shkollor më intonimin e himnit ‘Bože Pravde”.

E pritshme, se nuk mund të pritej ndryshe nga kjo qeveri, nga ky pushtet.

Deri sot nuk keni arritur t’i jepni qytetarëve të Republikës së Serbisë, ekonomi, mirëqenie, drejtësi, shëndetësi, arsim, të drejta, perspektivë etj. Prandaj flitni për “botën serbe”, për krenarinë dhe dinjitetin e popullit serb, për lavdinë e tij historike. Fsheheni pas nacionalizmit në emër të patriotizmit. Me negacionizëm dhe popullizëm. Duke mohuar të gjitha pjesët e errëta të djeshme dhe dështimet tuaja të sotme. Ky është romani i juaj nacional. Konstruksioni dhe narracioni juaj.

Këtë e përhapni në hapësirën publike, por edhe në sistemin arsimor, nëpërmjet teksteve skandaloze të shkollave. Tash keni vendosur t’ia shtoni edhe komponentën e detyrimit ligjor të intonimnit të himnit “Bože Pravde” për nxënësit. Sipas logjikës t’i mësojmë fëmijët ta duan atdheun. Sipas modeleve të njëjta në disa vende të botës.

E logjikshme. Më lehtë e keni t’i indoktrinoni nxënësit me romanin tuaj nacional sesa t’ia realizoni ëndrrat e tyre për arsim cilësor dhe perspektivë jetësore.

Por e vërteta është se po ushtroni politika të kinseatdhedashurisë duke ua bërë atdheun çdo ditë e më të pajetueshëm.

Saqë një gjë është e sigurt, me juve, çdo vjet e më pak do të ketë nxënës që do t’i këndojnë himnit, jo vetëm sepse nuk e ndjejnë, por edhe sepse çdo ditë e më shumë e braktisin fizikisht Serbinë.

Por natyrisht, argumenti juaj është se intonim i himnit është detyrim ndaj shtetit dhe kombit. Se shteti për qytetarin nuk është vetëm çështje të drejtash, por edhe përgjegjësish. Por harroni se dikur, jo pak prej jush ose të paraardhësve tuaj në këtë parlament kanë mbështetur (heshturazi ose drejtëpërdrejtë) fishkëllimet, denigrimet dhe poshtërimet e simboleve dhe himnit të Jugosllavisë, përderisa ato ishin simbole zyrtare shtetërore. Asokohe “serbizmi” ishte më i rëndësishëm se shteti. Tash që shtetin e duani si serbizëm, thirreni në emër të dashurisë dhe lojalitetit të qytetarit ndaj shtetit dhe përgjegjësisë institucionale, kushtetuese dhe ligjore të shtetasit.

Sado që sot kënga “Marš na Drinu” e cila po përdoret siç do thoshte Biljana Sërbljanoviq në frymën e “Lili Marleen”, po bëhet çdo herë e më shumë himn serb se “Bože Pravde”. Në këtë nuk pati mundur të rezistojë as Vuk Jeremiqi në kohën kur ishte kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, apo edhe Novak Gjokoviqi në Sidnej.

Por përderisa këtu flitet për dashuri e lojalitet të qytetarit ndaj shtetit dhe përgjegjësisë institucionale, kushtetuese dhe ligjore të shtetasit, jo pak prej jush mbështesni (heshturazi ose drejtëpërdrejtë) ata që sot në Banja Llukë, Mitrovicë dhe Knin fishkëllojnë, denigrojnë dhe poshtërojnë simbolet, himnin, kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Bosnjes, Kosovës dhe Kroacisë.

Madje, në Serbi, nuk mjaftonte që Adem Lajiqi luante për përfaqësuesen serbe të futbollit përderisa nuk e këndonte “Bože Pravde”, duke e krahasuar me rastin e Karim Benzema që nuk pranonte ta këndonte “La Marseillaise”. Pra, megjithëse Adem Lajiqi bënte krenar një Serbi të tërë me gollat e tij në flamurin e stemës së Mbretërisë serbe me 4S, ai përfundoi brenda natës sesecionist, separatist dhe antiserb.

E në anën tjetër, prindërit e Ilija Iviqit nga Graçanica e Kosovës u dëbuan nga puna me ndikim nga Beogradi vetëm sepse i biri pati shprehur gatishmëri për të luajtur futboll për përfaqësuesen e Kosovës me një flamur pa simbole etnike dhe me himn fare pa tekst. Ende pa luajtur, Ilija Iviqi përfundoi brenda natës tradhtar serb dhe me prindër të papunë.

Pra, boshnjaku i Serbisë Adem Lajiqi dhe serbi i Kosovës Ilija Iviqi janë dy emra që flasin shumë për politikën aktuale shtetërore të Serbisë. Kësaj politike që sot kërkon të votojmë për ta bërë detyrim ligjor himnin “Bože Pravde” në shkolla.

Kjo është politika që angazhohet për asimilim të joserbëve në Serbinë monoetnike dhe për mosintegrim të serbëve në shtete tjera joetnike.

Pra, në shtetin e juaj duani asimilim. E në shtete tjera nuk pranoni as integrim.

Se shtetin e kuptoni dhe e doni vetëm për veten tuaj, mundësisht për vete personalisht.

Por, përtej kësaj, pyetja që shtrohet sot është kush janë rrymat e sotme ideologjike që ushqejnë këso politika edhe nëpërmjet sforcimit të intonimit të himnit kombëtar në shkolla?

Janë të së njëjtës rrymë ideologjike reaksionare, identitare, raciale, neofashiste dhe neokolonialiste etj. Kudo. Si ithtarët më të flakët të Viktor Orbanit, Janez Janshës, Eric Zemmour e deri të Vlladimir Putinit. Të gjithë këta që kanë empati për pushtetin e Aleksandër Vuçiqit.

Pra, propozimi i sotëm është i juaji, por fryma dhe shpirti politik janë të këtij klubi. Është politika anti-republikë, anti-modernitet dhe anti-diversitet. Është politikë e atyre që duan entitet të pastër etnik ose religjoz. Që duan komb të gjakut etj. Apo që do ta pëlqenin edhe kthimin në para-Republikë, qoftë edhe monarki. Prandaj edhe nuk ju pengojnë himnet arkaike, klerikale dhe monarkiste.

Natyrisht se si zakonisht, nuk doni as ta ndiqni rajonin.

Himni i Sllovenisë i drejtohet të gjithë njerëzve të botës, me dëshirën që të mos ketë luftëra, që fqinjët të mos jenë djajë për njëri-tjetrin dhe të gjithë njerëzit të jetojnë të lirë.

Himni i Malit të Zi nuk përmend malazezët dhe territoret e tyre, ndërsa himni i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ai i Kosovës nuk përmendin asgjë e askënd, sepse edhe janë melodi pa tekst.

Në himnin shtetëror të Serbisë, në shtetin ku jetojnë 22 nacionalitete, që është bindshëm më shumë sesa në të gjithë shtetet e rajonit, serbët dhe « serbizmi » përmenden 15 herë, ndërsa dhjetë herë thirret Zoti për të shpëtuar, ushqyer dhe bashkuar ekskluzivisht serbët dhe tokat e tyre serbe, territorialisht të përkufizuara në mendjet e tyre dhe të bazuara në ambiciet e tyre të atëhershme sunduese.

Pra, himni « Bože Pravde » është krijuar në parimin etnikisht të pastër.

Prandaj është e logjikshme që këtë himn nuk e ndjejnë joserbët dhe madje edhe shumë serbë progresiv.

E sot, në vend se të keni iniciativë për ta ndryshuar himnin e Jova Gjorgjeviqit të shkruar sipas frymës së himnit të carit rus, duke e përshtatur me një Republikë moderne dhe duke e bërë të pranueshëm për numrin sa më të madh të qytetarëve dhe komuniteteve, ju ndërmerrni veprim regresiv për t’ia detyruar madje edhe ligjërisht nxënësve një himn të tillë.

Sidoqoftë, ju edhe mund ta bëni obligim ligjor intonimnin e himnit për nxënësit e shkollave në Serbi.

Keni legalizuar shumë të padrejta. Keni ndaluar me ligj shumë të drejta.

Por i ligjshëm ishte edhe racizmi. I ligjshëm ishte antisemitizmi. I ligjshëm ishte nacizmi.

Por historia dihet.

Në fund fituan rezistuesit. Humbën ligjvënësit.

Ne s’kemi nxënës për “Bože Pravde”. Edhe më hiq shqiptarë.

E juve ju ftoj të votoni kundër ligjit.

Për nxënësit. Për demokracinë. Për modernitetin.

Kurseni nxënësit nga himnet. Kurseni shkollat nga nacionalizmat.

Jepni arsim cilësor për punësim të dinjitetshëm.

Ky është himni që na duhet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *