VIDEO/Fshihen tabelat në shqip në Medvegjë, kryetari Mustafi: Akt fashist, politikat serbe po largojnë shqiptarët
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, në një intervistë në Syri Tv, foli për faktin se në Luginë janë fshirë tabelat në shqip.
Ragmi Mustafa thekson se ky është akt fashist, duke shtuar se politikat serbe po bëjnë të mundur që të ikin shqiptarët nga Lugina.
“Ky është akt fashist dhe antishqiptar. Rasti nuk është i izoluar. Mund të ndodhë që të fshihen tabelat në shqip, edhe pse shqipja duhet të lejohet për komunitetin shqiptar, por nuk heq dot shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Këta janë abuzime themelore me të drejtat e njeriut. Në Medvegjë ka vetëm tabela serbisht në institucione spitalore, kryesisht.
Raportet e huaja kanë vlerësuar se në Serbi ka shkelje të të drejtave të njeriut për shqiptarët. Ka racizëm, diskriminim ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Politikat e Serbisë kanë bërë që shumë shqiptarë të ikin nga Lugina. Në dialogun Prishtinë – Beograd duhet të diskutohet për shqiptarët në Serbi. As Prishtina dhe as Tirana nuk kanë një plan si të veprojnë për çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Ragmi Mustafa.