Vetëvendosje ja kput ymyzin Isa Mustafës për t’u bërë president – Nuk do të ketë biseda në këtë kohë

201

Mbrëmë në një emision në Klan Kosova, kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, e shfaqi hapur dëshirën e tij për të qenë president i Kosovës.

Ai la mundësinë e hapur që ky post të diskutohet edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, duke pasur parasysh se të dy subjektet janë duke negociuar për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Mirëpo, anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, në një bisedë për Blic, ka thënë se një gjë e tillë nuk është diskutuar mes krerëve të subjekteve.

Ajo ka thënë se në takimin e parë mes Albin Kurtit, Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, është folur për numërin e ministrive dhe formimin e Grupeve Punuese nga ana e dy subjekteve politike.

Nagavci, ka shtuar se ajo nuk beson se posti i presidentit do të jetë temë që aktualisht do të pajtohen me Lidhjen Demokratike, se kujt do t’i takojë.

“Në takimin e parë që është zhvilluar në mes kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti dhe përfaqësuesve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani, është diskutuar dakordimi për numrin e ministrive dhe formimin e Grupeve Punuese nga të dyja subjektet. Në këtë takim, është caktuar Besnik Bislimi dhe Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, që të harmonizojnë programet mes dy subjekteve. Kështu që nuk ka pasur asnjë diskutim lidhur me postin eventual të presidentit. Dëshirat personale të individëve në këtë kohë, nuk janë fort të rëndësishme dhe nuk besoj që do të ketë diskutime në këtë fazë për postin e presidentit”, ka thënë Nagavci për Gazeta Blic.

Postin e presidentit aktualisht e mban Hashim Thaçi, i cili është zgjedhur në shkurt të vitit 2016.

Mandati i tij, sipas Kushtetutës së vendit, zgjat 5 vjet dhe se Thaçi, pritet të qëndrojë në këtë zyre deri në shkurtin e vitit 2021.

Zyrtarë të LDK-së, vazhdimisht kanë shprehur interesim, që të arrihet marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, për këtë post, duke tentuar që pas përfundimit të mandatit të Thaçit, në këtë post të vendoset një zyrtar i kësaj partie.

Po ashtu, të dy këto subjekteve politike, ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion paszgjedhor, ani pse ende janë duke negociuar mes tyre.

Ani pse ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve preliminare, ka dalur në vendin e parë, e pasuar nga LDK.

Ditëve dhe javëve në vijim, pritet që të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, teksa pritet edhe arritja e marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së.

Të dy këto subjekteve, në mandatin e kaluar ishin në opozitë, teksa në pushtet ishte koalicioni PAN, së bashku me AKR-në e Behgjet Pacollit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *