TRISHTIMI I QUAJTUR MOBILIZIM….

369

Me theks

Flet pas 20 vjet Nexhmedin Saqipi, koordinator i Shoqërisë Civile

Nexhmedin Saqipi, është një personalitet i jetës sonë politike, kulturore, sportive,  fetare e humanitare,  i cili përherë ka qenë afër popullit, të Luginës së Preshevës, qoftë gjatë Bombardimeve të NATO-s, qoftë gjatë Mobilizimit të dhunshëm, duke u vënë në ballë të kolonës së të mobilizuarve, qoftë gjatë organizimeve të ndihmave humanitare, qoftë gjatë misionit për kthimin e të të zhvendosurve e shumë e shumë iniciativave të tjera me interes qytetar dhe kombëtarë, gjithmonë në shërbim të paqes e stabilitetit.

* Zotëri Saqipi, po e fillojmë këtë bisedë me theks të veçantë, evokimin periudhës  së bombardimeve të NATO-s. Si e përjetuan në përgjithësi shqiptarët e Luginës së Preshevës, këtë fushatë ajrore, e posaçërisht bashkëvendësit e tu?

– Që nga 23 marsi,  kur filloi bombardimi i NATO-s,  e mbaj mend  çfarë gëzimi dhe trishtimi  mbretëronte tek populli shqiptar i Luginës së Preshevës. Shqiptarët e këtij rajoni kishin frikë tek hakmarrja e serbëve, sidomos tek serbët e Kosovës, të cilët me uniforma të llojllojshme gravitonin nëpër zonat kufitare të komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Trishtimi

* A mund të na përshkruani disa nga momentet më të vështira, që kanë ndodhur në Tërnoc gjatë kësaj periudhe?


– Janë shumë, por më të rëndësishmet do t’i veçoja: ndërprerja e mësimit në të gjitha shkollat shqipe, ndërprerja e rrymës elektrike, tërheqja e medikamenteve nga ambulancat, marrja e librave te evidencave, lajmi se forcat paramilitare të Arkanit do të vijnë në Luginën e Preshevës me destinacion stacionimi në Tërnoc, bllokimi i fshatit nga të gjitha anët me armatim të rëndë nga forcat ushtarake të Serbisë si dhe Ultimatumi, që deri në orën 15:00 nga ana e tërnocasve, të dorëzohen armët që i posedojnë, të dorëzohen pjesëtarët e UÇK-së, të dorëzohen radio-lidhjet, të dorëzohet laboratori i drogës etj. Kërcënimi kryesor i tyre ishte se nëse nuk zbatohen këto urdhra, Tërnoci do të bëhet shkrumb e hi. Pavarësisht nga këto kërcënime tërnocasit vendosën, që të mos e lëshojnë fshatin dhe pranuan te behet bastisja e Tërnocit shtëpi për shtëpi. Sjelljet e ushtarëve serbë ishin brutale, ata filluan të thyejnë dyer e dritare dhe gjësende tjera, pa përjashtuar as maltretimin e banorëve të pambrojtur. Po në të njëjtë ditë në mbrëmje u morën peng 20 fshatarë nga forcat serbe, të cilët u dërguan te thertorja e Bujanocit. Pas kryerjes së aksionit në mbrëmje fillojnë krismat nga të gjitha anët. Atë  ditë Tërnoci kishte qenë i rrethuar me ushtarë, por edhe me qytetarë të fshatit Llopardincë, fshat ky i banuar me serbë në Komunën e Bujanocit.

Dëbimi i tërnocasve nga shtëpitë e tyre  me dhunë nga Ushtria Serbe, mbi fshatin te Muri i Rekës së Tërnocit, pa dallim moshe e gjinie: fëmijë, pleq, gra e burra, të sëmurë e të paralizuar, ishte një nga momentet më vështira të përjetuar ndonjëherë nga këta banorë. Të nesërmen u vendos  flamuri i Serbisë në Xhaminë  e Strukarëve. Ftesa  për mobilizimin e të 145 të rinjve, ishte një lajm shumë i keq për gjithë banorët e Luginës së Preshevës. Vendosjen e  ushtarëve serbë në Tërnoc dhe uzurpimi i 11 shtëpive më të bukura të fshatarëve, deri në fund të tërheqjes së ushtrisë Serbe pas nënshkrimit të  marrëveshjes së NATO-s me  Serbët në Kumanovë.

Provokimi

* Ju keni qenë ndër vullnetarët  e të gjitha proceseve në Tërnoc, e në veçanti jeni më të njohur kur erdhën ftesat për mobilizim. Kur të gjithë i shikonin me rezerva këto ftesa, Ju dolët të parët që u vutë në ballë të këtyre proceseve. Si ndodhën ato?

 –  Po, të gjithë e pranojnë se nga presionet dhe provokimet më të rënda psikike, ishte  Mobilizimi i dhunshëm. Për ta pranuar mobilizimin, është dashur shumë guxim, maturi, këmbëngulësi, besim, për t’u bërë “kurban i popullit” për ta shpëtuar popullatën nga eksodi i vërtetë.  Më 24 prill 1999, ditë e shtunë, marrim lajmin se janë të ftuar 150 të rinj vetëm  nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, me ftesë për të mobilizuar në radhën e Ushtrisë Jugosllave, me moton “ta mbrojmë Atdheun!”.

Ftesa për mobilizim erdhi pikërisht pasi Ushtria Jugosllave u vërtetua se Tërnoci ishte i palëkundur në rrugën e qëndresës për t’i mos i braktisur vatrat stërgjyshore. Këtë stoicizëm qytetarët tërnocas e treguan edhe pas një varg provokimesh nga radhët e pushtetit ushtarak qoftë përmes kërcënimeve, bastisjeve, qoftë përmes nxjerrjes me dhunë nga shtëpitë dhe dërgimi mbi fshat te vendi i quajtur “te Muri”. Kur na kthyen në fshat dhe na ushqente shpresën se mbasi e kaluam atë sprovë të madhe edhe pse qytetarët ishim të vetëdijshëm se kjo nuk ishte e fundit dhe se askush nuk mund të garantonte se prapë nuk do të lind diç e re!

Maturia

* Qytetarët e Tërnocit, ditën e 24 prillit, ishin të tronditur, të lodhur e të rraskapitur nga presionet e njëpasnjëshme, nga  maltretimet  psikike si dhe nga ajo se çka do t’u sillte e nesërmja, apo jo?

– Nga ky provokim poshtërues në sytë dhe mendjet e qytetarëve të Luginës së Preshevës u krijua një mllef dhe neveri nga gjithë ajo që kishte ndodhur. Ishte një sprovë shumë e ndërlikuar dhe se për këtë u dashke një qëndrim shumë me përgjegjësi,  meqë ishte krijuar një panik nga pasojat e mundshme. Dëgjoheshin zëra se si mundë t’ i përgjigjemi  kësaj ftese  kur  ka dhjetë vjet që nuk jemi ftuar në ushtri, po nëse i përgjigjemi atëherë çka do të bëhet me ne, disa thoshin nëse nuk shkoni  do ta djegin fshatin, të tjerët mendonin se me mospërgjigje do të maltretoheshin familjet në fshat, kishte të atillë që secili vetë me vendos se çfarë duhet bërë e kështu me radhë. Nga ana tjetër  udhëheqësit kryesorë çka kishim bashkëpunim nuk u  dukën askund që t’ i prinë këtij  organizimi.  Qëndrimi i tyre ishte se ata nuk mund të vendosin  e as të marrim  përgjegjësi për  150 të rinj, që t’ i dërgojmë  në drejtim të humbur dhe se ne secili duhet të vendosim për vetveten.  Mendova se  patjetër duhet t’ i prijë dikush këtyre njerëzve,  m’u duk se po më takon mua, duke qenë si prijës i popullit,  atëherë  e mora fjalën kur mbretëronte heshtja.

Me fjalët e mia u krijua krejtësisht një atmosferë e re dhe njerëzit u drejtuan kah unë, ku filluan njëri-tjetrit t’i thonë se po shkojmë  për hir të fshatit, familjeve tona,  ja edhe hoxhën me veti e kemi. Në këto momente filloi fuqia e shpirtit të funksionojë  me vendosjen tonë, kur dihet shumë mirë se fuqia e shpirtit e le në harresë fuqinë e trupit. Atëherë  mua m’u paraqit një forcë meqë kisha të bëjë me trima dhe njerëz që janë gati me flijua gjithçka për Zot dhe për nder të familjes dhe Vatanit. I pranuam ftesët dhe vendosëm që të tubohemi ora 16:00 dhe të organizuar të shkojmë në vendin ku u dashke të paraqitemi  e ai ishte Stadiumi i BSK-së në Bujanoc. Ora katër, të gjithë të mobilizuarit u bëmë gati për t’u nisur drejt Bujanocit. Duke u përgatitur në atë çast kaloj një veturë e policisë ku me siguri e përcillnin situatën, ndërsa neve as që na interesonte me shikuar sepse ne vetëm e kishim vendosur orientimin tonë. Pasi që u rreshtuam i ndjeri Agimit Sulejmanit i thashë që t’ i prijë karvanit ku po niseshim me një rrugë të pakthim dhe se unë do të mbetem i fundit dhe kështu të përshëndetemi me qytetarët, të cilët kishin ardhur me u nda me ne për herë të fundit. Gjithë qytetarët që kishin ardhur për t’ u përshëndetur me njerëzit më të dashur të familjes, në shpirt ndjenin një dhembje dhe krenari sepse ky mision kishte në vete një vlerë të madhe, një çështje me peshë aq sa vetë Tërnoci i bukur. Kur u nisëm për Bujanoc, plasi gjithçka në vaj, gjithë ishin me lot në sy. Atë ditë në Tërnoc, gjithçka ka vajtuar, secili duke menduar keq e më keq par fatin tonë dhe për fatin e tyre se çka do të ndodhë të nesërmen edhe me ata.

       Ne ishim të parët që vendosëm të bëhemi Kurban dhe ta dorëzojmë fatin e jetës,  për hir të paqes dhe jetës së të tjerëve. Të gjithë na përcillnin me dashuri dhe krenari. Atë  ditë të gjithë ishim një, një shpirt, një zemër dhe një njeri.

         U rreshtuam dy për dy. Po sa arritëm në Bujanoc, kështu të organizuar me një disiplinë dhe krenari, arriti vetura e policisë nga poshtë dhe na tha se duhemi të kthehemi  prapë në hyrje të Tërnocit, te Ndërmarrjes Private “Lazi Commerce”  dhe aty të presim për urdhrat e rinj. Ne pritën gjer ora 9 për deri sa erdh një epror me emrin Mirosllav dhe në thanë me shkuar në shtëpi me u paraqitë të nesërmen në të njëjtin  vend ora 07:00, dhe për ne ishte një shpresë e re.      

Guximi

* Si  e mendoni atë ditë, ndikimet e asaj dite në jetë ?

 –   Kjo  ditë për mu ka mbetur dita më madhështore e jetës time. Atë ditë e përjetova në shpirt fuqinë dhe bukurinë e Zotit. Atë ditë e pashë vetën time, e kuptova jetën, e ndjeva ngrohtësinë e popullit dhe vëllezërve të mi, atë ditë e ndjeva se isha personi më i madh se gjithë njerëzit, më i madh se gjithçka çka më rrethonte, deri sa edhe çdo gjë që ishte e imja. Gjithashtu, atë ditë kam qenë njeriu më i lumtur sepse e kam kuptuar  realitetin e jetës vdekjes dhe botës. 

          Sa herë që më bie ndërmend për ato çaste dhe përjetime, nuk  po ma merr mendja si ndodhi kjo e as nëpërmes e fjalëve nuk mundem me përshkrua në tërësi. Çka u bë me ne, si vendosëm për këtë vepër të skajshme. Po në atë ditë ka qenë diçka e jashtëzakonshme  ma mirë me thëne mrekulli e Zotit, dhe për këtë duhet të mbetet dhe të ruhet si kujtim në historinë jo vetëm të Tërnocit po në kujtim të Kosovës Lindore Shqiptarisë  e njerëzimit. Nëse marrim dhe i studiojmë se çfarë njësie  speciale, kush i përgatiti dhe me çfarë programi institucional, nga u frymëzuan me këtë karakter dhe shpirt aq të madh. Kjo duhet të studiohet nga shkencëtarët,

        Andaj gjitha këto përjetime dhe sakrifica, trauma që përjetuan qytetarët e Tërnocit, nuk guxojnë të kalojnë në harresë, por duhet të përkujtohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm që do ta ndërtojnë ardhmërinë në paqe, siguri dhe liri.

Ne këtë autoritet e kem fituar me një  fjalë shumë të lehtë: VENDOS dhe EC!        

Shembulli


* Si  reagonin shqiptarët e vendbanimeve të tjera të Luginës së Preshevës?

  – Gjatë kësaj periudhe shumë të vështirë të popullatës shqiptare, tërnocasit treguan një disiplinë të lartë, një pjekuri dhe nivel të lartë të vetëdijes, një patriotizëm për vendlindjen e tyre, ku të vetmin qëllim e kishin që të mbesin në trojet e tyre ku kishin lindur edhe paraardhësit e tyre.  Përkundër të gjithave këtyre torturave dhe presionit që e patëm nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe me përjashtim të disa familjeve dhe individëve që lëshuan fshatin, 90 % e fshatarëve i mbetën besnik fshatit të tyre edhe me kusht që të vdesin, por të vdesin në pragun e shtëpisë së tyre.

Këtë patriotizëm dhe këtë vendosshmëri të tërnocasve për çdo ditë e përcillnin edhe vendbanimet tjera shqiptare të Luginës së Preshevës. Shumica e fshatrave tjera kishin kontakt me udhëheqësin e fshatit të Tërnocit, sepse përflitej në popull se nëse shpërngulet Tërnoci, si vendbanim më i madh shqiptar, fshatrat tjera veç ishin të përgatitur që të bëjnë shpërnguljen masive. (Këto përshtypje sa të hidhura, të dhembshme, por krenare për atë kohë dhe sot pas 20 vjetësh, Nexhmedin Saqipi, qoftë në cilësinë e Myftiut të Luginës së Preshevës, pastaj nga pozitat e zëvendës reisit të Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, qoftë edhe si publicistit e autor i Librit me Opinione për Luginën e Preshevës, ka përkujtuar e evokuar këto ngjarje, që edhe për popullin janë të freskëta në kujtesën e tyre). Përgatiti: Portali JetapressSHARE FacebookTwitter




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *