Thaçi: “Nëse e doni fundin e PDK-së mos e votoni Gjykatën Speciale”

239

HashimThaci_per-Balline-848x478Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës po bënë përpjekje të vazhdueshme dhe me çdo kusht që ta kaloj Gjykatën Speciale, e cila sot nga ora 10:00 pritet të dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gazeta Blic nga burime të saja brenda PDK-së, ka marrë vesh që Hashim Thaçi u ka thënë deputetëve të partisë së tij, që nëse edhe sot nuk e votojnë amendamentin kushtetues, i cili i hap rrugë Gjykatës Speciale, atëherë do të dëmtohet e gjithë Partia Demokratike e Kosovës.

“Nëse e doni fundin e PDK-së mos e votoni Gjykatën Speciale. Si me Gjykatë, si pa Gjykatë, në momentin që ne nuk jemi në pushtet, do të jemi cak i aktakuzave të pushteteve që vijnë”, ka cituar ky burim fjalët e Hashim Thaçit.

Sipas këtij burimi, në një moment Hashim Thaçi është “nxehur” tej mase, saqë i ka kërcënuar deputetët që votojnë kundër edhe me mos futje në listën zgjedhore.

“Nëse nuk votohet Gjykata Speciale, vendi shkon në zgjedhje dhe krejt faji në sy të ndërkombëtarëve është tek PDK dhe ne si parti e humbim primatin e partisë më të madhe në vend. LDK po shihet në pozitë më favorizuese tek ndërkombëtarët për shkak të unitetit që ka brenda saj për shkak të Gjykatës Speciale”, ka cituar ky burim brenda PDK-së, fjalët e Hashim Thaçit.

Amendamenti kushtetues, i cili i hap rrugë Gjykatës Speciale kishte dështuar para më shumë se një muaji. Ishin 13 deputetë të PDK-së ata që i thanë jo kësaj gjykate. Prej këtyre 13 deputetëve 7 votuan kundër, 2 abstenuan dhe 4 të tjerë i ikën votimit.

Megjithatë, Hashim Thaçi e Isa Mustafa të gjendur nën presion të madh ndërkombëtar, të premten vendosën që ta riprocedojnë në Kuvend amendamentin kushtetues pa kurrfarë ndryshimi, çka ka bërë që të “rebelohet” opozita, duke e quajtur këtë veprim të koalicionit, si fund i demokracisë dhe parlamentarizmit në Kosovë.

Në anën tjetër, analistët politik, kanë paralajmëruar se nëse do të dështoj edhe sot votimi i Gjykatës Speciale, atëherë ka rrezik që me automatizëm vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare./LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *