Telegrafi.com: Ky është Shaip Kamberi, shqiptari (im) i vitit 2021

Vjen fundi i vitit, ndërrimi i moteve, dhe zor t’i iket rutinës – zhargonit klasik gazetaresk, të përmbledhjes së ngjarjeve e zhvillimeve që karakterizuan vitin.

Në krejt atë lëmsh ngjarjesh e zhvillimesh që shënuan vitin 2021, vështirë ta dallosh se çka dhe kush ishte më IN, e çka më OUT.

IN e patëm tërë vitin të keqen e madhe botërore, koronavirusin, i cili jo që nuk po largohet, por po vazhdon të na shfaqet në variante dhe emra të ndryshëm.

Më e vështira është të gjesh dhe përcaktohesh për personalitetin e vitit.

Për mbi 50 për qind e qytetarëve të Kosovës personalitet i vitit do të ishte Albin Kurti, partia e të cilit fitoi bindshëm zgjedhjet nacionale dhe Kurti për herë të dytë brenda një viti e gjysmë u ul në fronin e kryeministrit.

Dashamirët e sportit, dhe jo vetëm, pa dyshim se personalitete të vitit do t’i shpallnin heroinat tona olimpike, Norën dhe Distrian …

Ata nga bota e artit do ta favorizonin Blerta Bashollin me filmin “Zgjoi”, që krahas disa çmimeve tash ka hyrë dhe në garë të ngushtë për “Oscar”, çmimin më të madh të kinematografisë botërore.

Krejt këta, dhe të tjerë ndoshta, padyshim mund ta bartin epitetin e personaliteteve të vitit 2021 ndër ne.

Por, mbase pak kush nga ne e ka menduar se kush mund të jetë shqiptari i vitit?

Kemi dëgjuar dhe lexuar shumë gjatë këtij viti për deputetin shqiptar të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi.

Është Shaipi ai që i pari foli shqip në parlamentin serb. I pari e vendosi flamurin tonë kombëtar në parlamentin serb. I pari citoi vargjet e himnit tonë kombëtar në parlamentin serb. I pari deputet shqiptar në parlamentin serb që i bëri të ndjehen më shqiptarë dhe më krenarë qindra mijëra shqiptarë të Luginës, dhe jo vetëm.

Pra qe pse Shaip Kamberi është shqiptari i vitit.

Në nëntor të vitit 2020, në vigjilje të festës së flamurit kombëtar shqiptar, derisa po mbante fjalimin në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi mbi tavolinë e vendosi flamurin tonë kombëtar.

“Flamuri shqiptar të legalizohet dhe të valojë në Luginë, ashtu sikurse po valon ligjshëm flamuri serb në Graçanicë, Kotor dhe Kumanovë”, tha atëherë Kamberi në Kuvendin e Serbisë, duke kërkuar ndryshimin e Ligjit për pakicat kombëtare në Serbi.

Më 9 shkurt të këtij viti në Parlamentin e Serbisë së pasluftës për herë të parë u fol shqip.

Sërish këtë e bëri Shaip Kamberi.

Në fjalimin e tij, Kamberi sulmoi ashpër gjykatën serbe, e cila nuk e dënoi ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, të cilin Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi e kishte paditur për përdorimin e termit pezhorativ dhe ofendues për shqiptarët “šiptari”.

“Tashmë me vendim të gjykatës së këtij shteti, prej sot unë qenkam ‘šiptar’ dhe jo albanac. Pra, një ditë është zgjuar nga gjumi Aleksandër Vulin dhe ka vendosur se kush jam unë dhe si cilësohet kombësia ime, e këtë e ka legalizuar gjykata e shtetit! Njëjtë, si në Gjermaninë e fundviteve 1930, kur ministri Hermann Goering vendoste se kush ishin dhe si cilësoheshin hebrenjtë dhe pastaj gjykatat e Gestaposë e legalizonin … Zonja Merkel, z. Macron, z. Borrel, z. Lajcak, znj. Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane?”, foli dhe pyeti shqip Kamberi në Parlamentin e Serbisë, duke ua rikujtuar se “nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuçiqit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit ‘šiptar’”.

Më tej, Kamberi në të njëjtën seancë ia tha shkurt dhe Vuçiqit dhe Vulinit: “Z. Vulin dhe z. Vuçiq, ju rikujtojë se shqiptarët janë quajtur edhe arnaut nga Çubriloviqi, por nuk janë nënshtruar. Nuk ju nënshtrohemi as juve. Kot e keni!”

Deputeti shqiptar në parlamentin serb, gjatë tërë vitit, jo vetëm në seancat e parlamentit serb, por edhe në paraqitjet e tij publike në media, ka qenë kritik ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Kamberi ka alarmuar se Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike në Luginë të Preshevës.

Pavarësisht presioneve nga mediat serbe, Kamberi ua ka bërë të ditur se nuk e ka ndërmend të ndalet. “Presionet që vijnë nga mediumet e kontrolluara nga A. Vuçiq  nuk mund ta ndalin betejën tonë për të drejta”, ka thënë ai.

Në nëntor të këtij viti, Kamberi sërish ka aktualizuar çështjen e përdorimit zyrtar të simbolit kombëtar shqiptar në Luginë.

Kamberi ka pyetur se kur do të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simbolit kombëtar shqiptar në Luginë të Preshevës.

Fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, Kamberi e ka përfunduar duke cituar vargje të himnit tonë   kombëtar.

“Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!”

Ky është Shaip Kamberi, shqiptari (im) i vitit 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published.