Të mërkurën Specialja shpall aktgjykimin për drejtuesit e OVL-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj 

Dhomat e Specializuara kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Sipas DHSK, seanca do të mbahet nesër më 18 maj në orën 10:00.

“Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Përmbledhje e aktakuzës

Në aktakuzë parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy pika për kryerjen e veprave penale kundër rendit publik, konkretisht pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe 2) dhe katër pika të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administrimit publik. Këto janë frikësimi gjatë procedurës penale (Pika 3), hakmarrja (Pika 4) dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës (Pikat 5 dhe 6).

Historiku i çështjes

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucatit si të dyshuar u mbajtën para Gjykatësit të Vetëm, Nikola Giju, përkatësisht më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatës Nikola Giju, në cilësinë e tij si Gjykatës i Procedurës Paraprake, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve.

Aktakuza e korrigjuar u dorëzua më 5 korrik 2021 dhe një version më pak i redaktuar u dorëzua më 4 tetor 2021.

Paraqitjet e para të dy të akuzuarve para Gjykatësit të Procedurës Paraprake u mbajtën më 18 dhjetor 2020. Hysni Gucati u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat, ndërsa Nasim Haradinaj nuk bëri vetëdeklarim brenda 30 ditësh nga paraqitja vijuese e tij që u mbajt më 8 janar 2021. Për këtë arsye, në bazë të rregullës 92(2)(f) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, bëri vetëdeklarimin e pafajësisë në emër të tij.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjyqësore Trupit Gjykues II.

Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) mbylli paraqitjen e provave të veta.

Mbrojtja e Gucatit filloi paraqitjen e provave të veta më 3 dhjetor 2021, e ndjekur nga Mbrojtja e Haradinajt më 15 dhjetor 2021. Të dy ekipet e Mbrojtjes mbyllën paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022.

Gjatë 31 ditëve që zgjati gjykimi, ZPS-ja thirri katër dëshmitarë ndërsa të dy ekipet e Mbrojtjes u mbështetën në dëshmitë gojore të 10 dëshmitarëve dhe 18 deklaratave me shkrim të dëshmitarëve, transmeton Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.