Të humbur në pikë të ditës

172

shala-640x336Shkruan: Blerim Shala

Si janë bërë lëmsh punët sot në Kosovë, sikur të na duhej ta shpallnim pavarësinë e Kosovës, nuk do të ishim më në gjendje ta kryejmë këtë punë si duhet.

Teoria e parë politike e preferuar kohëve të fundit, këtu ndër ne, është ajo që mund të klasifikohet si ‘Teoria e ëndrrës’. Ajo kallëzohet fare thjeshtë, me atë të moçmen, që secili prej nesh e dimë qëmoti: Qofsha në ëndërr.

Kështu ngushëllojmë kot së koti veten, kur ballafaqohemi me një lajm shumë të keq.

Kjo Teori, në momentin e këndelljes apo të marrjesh vesh çka na ka gjetë, pastaj përcillet me njëqind fjalë po aq të kota, ku shquhen njëqind mundësi, të cilat nuk i kemi shfrytëzuar, për t’iu shmangur të keqes që ka mbërri tek ne. Kur thehet qerrja udhët gjinden. Por nuk e kuptojmë dot që zakonisht, nuk jemi mërzitë fare t’i gjejmë udhët me kohë, atëherë kur është dashtë, apo, atëherë kur kemi mundur.

Kjo Teori natyrisht karakterizon, në përgjithësi, sjelljet tona në përballje me sprovën e bërjes së Gjykatës Speciale.

Kur skadon afati i përdorimit të saj, del në shesh një tjetër Teori politike (sërish kur flitet për trajtimin tonë të Gjykatës Speciale): Ajo e iluzionit, që përcillet me lojëra politike të të gjitha llojeve.

Iluzioni këtu merr trajtën e një përshtypje që ndoshta e tëra, apo, vendimmarrja për këtë temë të rëndë  (pa dyshim), mund të shtyhet për më vonë. Kjo ‘më vonë’, natyrisht, nuk ka definicion të qartë kohor. E tëra i përngjet këtu një të sëmuri që duhet patjetër t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, me të cilin ky mund t’i shpëtojë sëmundjes, por që disi e shtynë ditën e operimit, duke menduar që shpëtimi do t’i vie direkt prej Zotit.

E lojërat politike na tregojnë, gjithnjë e më shumë, që edhe kjo temë e cila është barrë për gjithë shtetin dhe mbarë shoqërinë kosovare, po shfrytëzohet për parimin e vazhdimësisë së qërimit të hesapeve, me të gjitha mjetet e mundshme, në politikën kosovare, qoftë edhe nëse viktima më e madhe do të jetë interesi jetik a strategjik i shtetit të Kosovës.

Këto lojëra konfirmojnë që një përbërës tjetër i Teorisë së Iluzionit në Kosovë është besimi që disi këndejpari, mençuria, maturia dhe pragmatizmi politik do të dalin në shesh, duke i bërë së bashku të gjitha subjektet politike, në marrjen me këtë çështje. Si janë bërë lëmsh punët sot në Kosovë, me gjasë, sikur të na duhej ta shpallnim pavarësinë e Kosovës në këtë rrethana, nuk do të ishim më në në gjendje ta kryejmë këtë punë si duhet.

Teoria e Realitetit, e cila po flet 24 orë në ditë, për temën e Gjykatës Speciale, është fare e qartë. Ajo nuk lë vend për dyshime, për hezitime, për spekulime dhe thashetheme, ku të gjitha këto janë përbërës të ‘menysë’ së çdoditshme politike në Kosovë.

Janë dy mundësi pra. Do të ishte shumë më mirë mos të mbërrinim ku jemi tash, duke pasur veç dy mundësi. Po, hisja ndërkombëtare (UNMIK, EULEX), për mbërritjen në këtë stad, është e madhe. Por ja ku jemi tash, dhe na duhet të veprojmë, duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e te dy mundësive. Ato janë të qarta, të kuptueshme, të matshme. Ato, për më shumë, po na shpjegohen gjithnjë e më shumë edhe nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës në Botë, në radhë të parë nga SHBA. Nuk ka pasur fare mesazhe kundërthënëse në këtë aspekt: As prej Washingtonit, as prej Brukselit dhe Berlinit.

Pra, në njërën anë kemi mundësinë që vet, në mënyrë sovrane, të vendosim, përmes Kuvendit të Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale, ekzistenca e të cilës do ta kufizojë sovranitetin e Kosovës në fushën e gjyqësisë. Ky akt megjithatë, i tillë çfarë është, do të ishte në përputhje me ngjarjet në vitet 2008 dhe 2012  (shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përmbyllja e Mbikëqyrjes së pavarësisë).

Në anën tjetër, nëse nuk ka veprim sovran prej anës tonë, atëherë, kjo temë do të bartet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aty ku nuk ka pavarësi të Kosovës, aty ku ende është në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku tema e Kosovës do të shfrytëzohet prej shteteve që nuk i duan gjë të mirë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Nuk ke si t’i shmangesh vendimit. Dhe nuk ke si t’i ikësh Teorisë së Realitetit politik.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *