Takimi Sinani – Zemaj: Çdo angazhim dhe kujdes i institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka efekt të madh

127

Kryetarja e degës së Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani, e shoqëruar nga mjek profesionist, anëtarë të kryesisë së PVD-së priti delegacionin e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri Armend Zemaj.

Në këtë takim të ngrohtë vëllazërorë theks të veçantë kishte situata e krijuar rreth pandemisë COVID 19. Kemi shpresuar se situata e krijuar pas pandemisë, mirëpo në fakt sikur edhe në tërë botën, e edhe në Luginën e Preshevës kjo pandemi ka marrë përmasa shqetësuese dhe meriton një kujdes të veçantë.

Çdo angazhim dhe kujdes i institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka ndikim të madh psikologjik, e sidomos kujdesi i Ministrit të Shëndetësisë për pandeminë është i një rëndësie të veçantë.

Temë tjetër e këtij takimi ishte dërgimi i personelit mjekësorë të Republikës së Kosovës për përkujdesje dhe përkrahje morale për popullatën shqiptare në Luginë, e poashtu edhe dërgimi i testeve për COVID 19 nga Republika e Kosovës. Në kuadër të kësaj, u diskutua edhe për ndërtimin e një COVID qendre në komunën e Preshevës.

Ditëve të fundit në mediat serbe u përhap lajmi se të infektuarit e komunës së Preshevës e Bujanocit do të trajtohen në spitalin e Leskovcit. Me këtë rast, kryetarja Sinani kërkoi nga Ministri Zemaj që pacientëve të infektuar me COVID 19 të u mundësohet trajtimi mjekësorë në qendrat spitalore të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu kryetarja Sinani kërkoi që Qeveria e Republikës së Kosovës të parashohë një vijë buxhetore për ambulancën e Preshevës për pajisje teknike medicinale për t’ia lehtësuar punën stafit mjekësorë në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë si dhe për trajtimin sa më adekuat të pacientëve të kësaj komune.

Duke pasur parasysh se spitali rajonal i Vranjës është 45 km larg komunës së Preshevës dhe nuk ka asnjë mjek të punësuar Shqiptar nga Lugina në këtë spital, u kërkua nga kryetarja Sinani si nevojë e domosdoshme ndërtimi i një spitali në komunën e Preshevës.

Përveç kësaj, kryetarja Sinani kërkoi nga Ministri Zemaj që të ushtrojë ndikimin e Tij në mënyrë që të rriten kuotat për studentë në Fakultetin e Mjekësisë, mundësimi i specializimeve të mjekëve Shqiptarë në të gjitha drejtimet e mjekësisë në Republikën e Kosovës si dhe mundësia e anëtarësimit të mjekëve të Luginës në Odën e Mjekëve të Kosovës.

Ministri Zemaj edhe gjatë konferencës pas takimit u zotua se do të angazhohet maksimalisht për realizimin e këtyre dhe shumë kërkesave e nevojave të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ministri Zemaj kërkoi nga të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës kujdes maksimal në mënyrë që pandemia COVID 19 të kalojë me pasoja minimale.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *