Tahiri: Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit

87

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur në takim kryetarin Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa.

Në takim, Tahiri mësohet të ketë thënë se Kosova duhet ta ketë një agjendë të mirëfilltë dhe sistematike që adreson çështjet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, në mënyrë që komuniteti shqiptar që jeton në atë pjesë, të rigjenerohet edhe në planin socio-ekonomik edhe në atë socio-politik e kulturor.

“Për shkak të përbërjes etnike, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një ndër rajonet më të diskriminuara në Evropën Juglindore, si pasojë e politikës dezintegruese të Serbisë dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda një vendi që aspiron Bashkimin Evropian”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se në këtë takim me Mustafën kanë ndarë bashkërisht perspektivën për hapat e mëtejmë që duhen paraprirë “për të arritur kështu rezultate konkrete dhe një lidhje shumë më të fuqishme në mes institucioneve tona dhe qytetarëve që jetojnë në atë pjesë”.

“Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e njëpasnjëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone”, deklaroi ministri në dorëheqje i Drejtësisë.

“Lugina ka nevojë për investime dhe për edukim. Ne e kemi obligim që ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë, të stimulojmë zhvillimin ekonomik e social dhe kultivimin akoma më të fuqishëm të lidhjeve tona kulturore”, potencoi ai.

Në fund, ministri në dorëheqje i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Kosova aspiron relacione të shëndosha me vendet fqinje, dhe trajtimi i popullsisë shqiptare brenda këtyre vendeve,është kapitulli më thelbësor që do përcaktojë këto relacione.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *