Surroi për Qeverinë e Kosovës: Nuk prodhon skandale!

Publicisti kosovar, Veton Surroi, ka thënë se tani Kosova është duke u qeverisur nga një qeveri që nuk prodhon skandale, për dallim nga, siç thotë ai, të mëparshmet, sidomos në fushën e menaxhimit të parasë publike.

“Kemi një qeverisje që nuk prodhon skandale, kemi një qeveri që ka një komshillëk me paranë publike, ne kemi pasur parti në vazhdimësi që kanë prodhur një skandal pas tjetrit sidomos në keq menaxhimin e parasë publike, nga ky aspekt kemi të bëjmë me një qeverisje të përgjegjshme”, ka thënë Surroi në Rubikon.

Sipas Surroit, me Vetëvendosjen në qeveri u krijuan mundësi transformative edhe brenda opozitës, duke i cilësuar zgjedhjet si demokratike dhe lëvizje e mirëfilltë politike.

“Një shumicë e rëndësishme fitoi zgjedhjet parlamentare, por njëkohësisht me këtë shumicë në pushtet u krijuan mundësitë transformative edhe brenda pozitës, kemi të bëjmë me një pushtet që ka krijuar një standard të ri në sjelljen e vet qeverisëse, dhe kemi një standard të ri edhe në opozitë. Kemi të bëjmë me një demokraci vitale e cila po forcohet dhe kemi të bëjmë me një garë pozitive, evoluimi, pos një pushteti qe po përpiqet të vendosë standarde të reja kemi një opozitë, një LDK më dinamike dhe një PDK më kreative, kemi të bëjmë me një lëvizje të mirëfilltë politike”, ka vazhduar ai.

Demokratizimi i zgjedhjeve Surroi thotë se është parë edhe në zgjedhjet e fundit lokale ku qytetarët votuan anëtarë të partive të ndryshme për pushtet qendror e lokal.

“Zgjedhjet vendore janë ndryshe, nga ato qendrore, ky tregon pluralizëm të skenës politike nga ajo që jemi mësuar t’i shohim përpara, pra nuk kemi barrikadizim brenda partisë, dhe një fluiditet i atillë është i shëndoshë në demokraci”, ka shpjeguar publicisti.

Surroi ndër të tjera tha se puna e kësaj qeverie mund të matët me buxhetin që do ta ndajë për vitin e ardhshëm.

“Këtë qeveri do matur me buxhetin që do ta sajojnë sivjet për vitin e ardhshëm”.

Ai foli edhe për raportet e Kosovës me jashtë, duke thënë se që nga pavarësia Kosova ka hyrë e dobët në politikën e jashtme dhe si e tillë është duke vazhduar.

“Kemi hyrë me dobësi në politikën e jashtme prej pavarësisë e tutje, nuk është përjashtim nga rregulli i deritanishëm as kjo qeveri”, ka shtuar Surroi.

Ai theksoi se dialogu me Serbinë është prioritet, edhe pse kjo qeveri nuk e kishte parë si të tillë.

“Edhe pse kanë thënë se nuk është prioritet, dialogu është prioritet”, ka thënë Surroi.

Ai foli edhe për serbët në Kosovë, për të cilët tha se kanë presion nga Beogradi.

“Serbët në Kosovë, për fat keq janë nën trysnin e Beogradit, dhe nuk e kanë lirinë e mjaftueshme të pluralizmit politik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.