Surdulli thotë se Ushtria serbe të dielën u fut në fshatin Karaçevë

247

Ish-kreu i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka thënë se është tmerruar kur ka parë 8 pjesëtarë të uniformuar të ushtrisë serbe me helmeta në kokë dhe me armë të gjata, teksa kanë patrulluar në brendi të territorit të Kosovës.

Surdulli, që jeton shumë afër punktit të policisë dhe ushtrisë serbe, kërkon nga shteti i Kosovës dhe organet e sigurisë që të parandalojnë veprimet e tilla që fusin frikë e panik tek banorët e brezit kufitar.

Surdulli tha për Rajonipress se të dielën rreth orës 13:30, duke u kthyer nga mali që ndodhet në kufi me Serbinë, duke kaluar nëpër rrugën kryesore të lagjes së Bernjasheve, vendi ku thotë se jeton me familje, ka parë një grup prej rreth 8 pjesëtarëve të uniformuar, me helmeta në kokë dhe me armë të gjata.

“Ne, me një fqinj timin, Baftjar Bernjashi, ishim në oborr të shtëpisë sime dhe menduam që këta pjesëtarë të ushtrisë janë të KFOR-it ukrainas, të cilët ka pasur raste që kanë kaluar kësaj rruge derisa KFOR-i amerikan dhe ai turk më shpesh e frekuentojnë këtë pjesë kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë”, sqaron Surdulli.

Surdulli tha se më vonë ka ardhur një veturë e Policisë së Kosovës me tre policë të vijës së gjelbër të cilët, sipas tij, kanë thënë se ishin në përcjellje nga distanca të ushtarëve serbë.

“Kurse dje kanë ardhur ushtria Amerikane dhe ajo Turke e KFOR-it me autoblinda dhe një helikopter të cilët e kanë vëzhguar sikur edhe shpeshherë tjera këtë zonë kufitare. Territori i kësaj lagje, por edhe në përgjithësi i Karaçevës, nuk kontestohet që është territor i Republikës së Kosovës, prandaj është shumë skandaloze dhe e papranueshme nga banorët e kësaj lagjeje dhe në përgjithësi e fshatit Karaçevë kalimi i ushtrisë serbe në territor të Republikës së Kosovës”.

“Kërkojmë nga KFOR-i, por edhe nga Policia e Kosovës si dhe nga institucionet tjera të Republikës së Kosovës, që kjo kurrë mos të përsëritet sepse mund të ketë pasoja në pasigurinë e banorëve”, tha Shaip Surdulli, ish-kryetar i Komunës së Kamenicës dhe aktualisht kryetar i degës së LDK-së në këtë qytet./Koha.net/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *