Sinani: Luli është shembulli se tragjedia e vdekjes edhe mund ta transformojë jetën në fat
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, të dielën ka takuar Lulzim Sylejmanin, njëri nga shtatë të mbijetuarit e tragjedisë në Hungari.
Në një shkrim në Facebook, ka thënë se Luli është shembulli se tragjedia e vdekjes edhe mund ta transformojë jetën në fat.
Sinani tha përjetimi i tij nga Bushtrani është e vërteta e tragjedisë, dhimbjes, vdekjes, mbijetesës dhe jetës.
“Rrëfimi i tij nuk kishte sesi të mos na shfaqte dr. Xhejlanës, dr.Beqës, Tosit dhe mua, tmerrin e asaj tragjedie, pa e përjetuar.
Luli është i shpëtuari që shpëtoi të tjerë në aksidentin e autobusit në Bullgari që mori jetën e 45 udhëtarëve. Luli ishte më mirë me shëndet. Falë Zotit. Falë mjekëve. Është emri i guximit. Solidaritetit. Njerëzores.
Një përjetim që nuk mund të mos na parafytyronte bashkudhëtarët e tij, edhe pa i njohur. Ata dhe ato që sot prehen në paqe në botën e amshueshme. Familjarët e tyre. Të dashurit e tyre.
Ata dhe ato që mbijetuan.
Mirë se vjen në shtëpi Luli. Paç gjithmonë shëndet dhe lumturi.
E tërë Lugina është me ty. Krenohet me ty“, shkroi Sinani.
Ndryshe, të premten, më 3 dhjetor, në Maqedoninë e Veriut janë dorëzuar trupat e pajetë të 45 personave që vdiqën më 23 nëntor, në Bullgari në aksidentin me autobusin e agjencisë “Besa Trans”.
Trupat e viktimave janë bartur me dy avionë ushtarakë bullgarë, ndërsa në Aeroportin e Shkupit janë pritur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve e përfaqësues nga Kosova e Shqipëria, dhe më pas në mënyrë të organizuar u janë dorëzuar familjarëve në vendbanimet e tyre ku edhe janë varrosur.
Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica kanë qenë familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore.