Shqiptarët fitojnë në Tuz- Nik Gjeloshaj ruan mandatin e kryetarit
Në komunën e Tuzit në Mal të Zi, të dielën janë zhvilluar zgjedhjet për pushtetin lokal, ku të drejtë vote kanë pasur mbi 12 mijë votues. Vendvotimet u hapën në orën shtatë të mëngjesit dhe sipas përfaqësueseve të Komisionit Zgjedhor Komunal, ato janë zhvilluar pa ndonjë incident.
Kryetari aktual i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe koalicioni “Forumi Shqiptar” ka arritur të fitojë 18 mandate dhe zyrtarisht fiton të drejtën të qeverisë edhe për katër vitet e ardhshme me komunën e Tuzit.
Në koalicionin “Forumi Shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit Nik Gjeloshaj, bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Në anën tjetër, gjendej koalicioni i gjerë i përbërë nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit aktual Milo Gjukanoviç, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve .
Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit. Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t’u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike të spektrit politik shqiptar në Malin e Zi.
Në zgjedhjet e para, pas ndarjes nga komuna e kryeqytetit, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë./albanianpost/