Shesheli nuk e lenë të qetë Gjingjiqin e vrarë: “Me hu do t’a ndjekim Gjingjiqin!”

179

Vojislav-Seselj-2-620x350Lideri i radikalëve serbë Vojislav Sheshel ka thënë se do ta dërgojë zëvendësin e tij Nemanja Shariq me një “hu për vrasjen e vampirëve” te varri i kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, për ta shënuar kështu përvjetorin e 12-të të atentatit kundër tij.

Ministri i brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq, pas deklaratës së Sheshelit, ka thënë se shteti nuk do të lejojë kurrfarë vandalizmi gjatë shënimit të sotëm të përvjetorit të vrasjes së Gjingjiqit dhe se MPB do të sigurojë që të mos cenohet dinjiteti në varreza.

Kryeradikali serb Sheshel, gjatë gjykimit të tij në Hagë për krime lufte, ka thënë se është gëzuar për vdekjen e Gjingjiqit, ndërsa vrasësit e tij i quajti heronj.

“Unë sinqerisht u gëzova kur dëgjova se Gjingjiqi është vrarë… se është i vdekur. Këtu në burg u gëzova! Sepse Gjingjiqi është tradhtar i madh i kombit të vet dhe kriminel i madh, më i madhi në Serbi dhe e ka merituar një fat të tillë”, tha Shesheli para Tribunalit të Hagës më 2003.

Shesheli nëntorin e kaluar, për arsye shëndetësore, u lirua me kusht nga burgu i Hagës, ku gjendej që nga 24 shkurti i vitit 2003, me akuza për krime të shumta të rënda lufte në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Pas kthimit në Beograd deklaroi se nuk e ka ndër mend t’i respektojë kushtet e lirimit të përkohshëm dhe se shkon në Serbi “për t’u hakmarrë”.

Zoran Gjingjiq u qëllua me një plumb në zemër mesditën e 12 marsit 2003, në oborrin e Qeverisë serbe, derisa ishte kryeministër dhe lider i Partisë Demokratike të Serbisë. Atentatit i parapriu një tentim tjetër i pasuksesshëm për vrasjen e tij më 21 shkurt në autostradën Beograd-Zagreb.

Menjëherë pas vrasjes së kryeministrit, në Serbi u shpall gjendje e jashtëzakonshme dhe u ngrit aksioni “Shpata”, në kuadër të të cilit u arrestuan dhe më pas, pas tre vjet e gjysmë gjykimi, u dënuan pjesëtarë të grupit famëkeq kriminel, të njohur si “klani i Zemunit”.

Megjithëse ekzekutorët u gjendën pas grilave, iniciatorët e vrasjes së Gjingjiqit, i cili i priu rrënimit të regjimit të Slobodan Milosheviqit në vitin 2000, edhe sot e kësaj dite nuk janë zbuluar./zer.info/ – /LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *