Salih Mustafa largohet nga Gjykata, nuk dëshiron të dëgjojë dëshmitarin, ndërpritet përkohësisht gjykimi

Salih Mustafa sërish ka refuzuar të jetë i pranishëm gjatë dëshmisë së dëshmitarit, këtë e bëri të ditur gjatë seancës avokati i tij, Julius Von Bone.

Avokati tha se Mustafa ka kërkuar që të jetë i pranishëm vetëm kur dëshmojnë disa dëshmitar dhe jo të gjithë dëshmitarët.

“Ka disa dëshmitarë gjatë dëshmisë së tyre Salih Mustafa do të donte të merrte pjesë në gjykim, ky i sotmi nuk është një prej tyre”, tha Van Bone.

Pas kërkesës së avokatit, trupi gjykues ndërpreu përkohësisht gjykimin dhe doli nga salla për të vendosur.

Pas diskutimeve, gjykata e lejoj largimin e përkohëshëm të Mustafës përderisa urdheroj që i njëti të paraqitet përseri nesër.

Dëshmitari i parë në rastin e komandat Calit në Gjykatën e Hagës, ka treguar para gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara për arsyet e ndalimit të tij në fshatin Zllash nga disa persona të cilët mbanin armë të shkurtra.

Ai deklaroi se ishte akuzuar se po bashkëpunonte me serb përderisa ishte ndaluar fillimisht nga dy persona e më pas ishte transportuar me veturë deri në vendin e ndalimit, ku ishte rrahur deri sa ishte alivanosur.

“Më kanë akuzuar se gjëja kam bashkëpunu me serb, unë jam kanë një njeri i varfur, me një kali kam shitë dru, unë skam pas qare pa fol me ndonjë serb, se skam mujt me e majt familjen”, tha dëshmitari.

Deshmitari në fillimin e dëshmisë së tij deklaroj se para se të ndalohej i ishte ofruar një çokolladë e më pas ishte gruashtuar dhe izoluar me një qese të zezë në kokë.

“Ma dhanë çokollatën, m’ka ra boks në kry edhe ma ka shti ni thes të zi në krye, ma s’kanë fol kurgjo me mu, veç me kanë thanë këna met dhanë çokollata sa të shkojmë atje”, tha dëshmitari.

Ai  tutje tregoi para trupit gjykues për momentet dhe mënyrën e rrahjes që sipas tij ia kishin shkaktuar disa persona në Zllash.

“Si janë hi mrena ata na kanë thënë kryet poshtë unë skam guxu as me e qu kryt, skam ditë kush o kanë as çka kanë pas veshur. Menjëherë më kanë qitë jashtë tu mbreh zhag disa metra, aty ka pas drunj edhe kanë fillu mem rreh, më kanë sjellë me drunjtë, shkelma, dy ose tre herë më kanë alivanos, gishtin e kam të thyem, dhëmbet i kam të thyem e qeshtu”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se pasi ishte rrahur, një person ia kishte vënë revolen në kokë, mirëpo nuk kishte shkrepur pasi nuk kishte pasur plumba.

“Jam kanë shtritë, njëri prej tyre e ka nxjerr revolen edhe ma ka qit kamën edhe ma ka shti revolen, e kam ni e kam ditë që po vranë, edhe në një moment, ja ka ngre kamën e revoles ka bo shkrrup, nuk ka kris hiq edhe tha lshone se paska fat”, deklaroi dëshmitari.

I pyetur nga prokurori se kush ishte personi që i kishte vendosur revolen, dëshmitari deklaroj se ishte personi kundër të cilit ka ardhur për të dëshmuar.

“Ai person ishte ky njeriu që është këtu, i akuzuari është, e di që e ka pas kapelën e kuqe”, tha shkurt dëshmitari.

I pyetur nëse personi me kapelë të kuqe e mbate pistoletën në kokën e tij, dëshmitari tha se nuk ka mundur të shoh pasi ishte terr.

“Nuk di kurgjo, se skom pa, ka qenë terr, veç e di që qeky personi është që ma ka bo qata dhe e kom ni kur ka thanë lëne mos e rreni mo se paska fat, atëherë e ka ndërpre”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se i akuzuari ishte personi kryesor në atë vend dhe se pa folur ai të tjerët nuk kanë bërë asgjë.

“Këta e di se ai o kanë kryesori aty, unë e di se pa thanë i akuzuari ata s’kanë bo kurgjo, ky o kanë kryesori, nuk muj me e vërtetu që e kam pa”, tha dëshmitari.

Pak para se të niste dëshminë e tij, dëshmitari anonim për publikun u betua para Dhomave të Specializuara për deklarim të së vërtetës./Kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *