Rruga e fëmijërisë sime quhet rruga e “Kosovës”

1112

Nga Safete Islami Sadrija

Kam lind në shtëpinë me oborr të madh, në rrugën e Kosovës, në Bujanovc ( për ata që nuk e din Bujanovci është një vend i vogël me pozitë shumë strategjike)

E mbaj mend shumë mirë rrugën tonë të Kosovës të mbushur plot me fëmijë që gjatë tërë vitit ushtonte nga zëri e të qeshurat tona derisa luanim në rrugë. Loja jonë fliste vetëm shqip, përshendetjet ndërmjet zonjave e zotërinjëve të lagjes ishin edhe ato vetëm në shqip.

As atëherë e as tash nuk e di pse pse rruga jonë quhej e Kosovës ndonëse në aspektin territorial Bujanovci edhe atehere edhe tash është jasht kufirit të Kosovës, por ama një gjë e di me siguri që, rruga jonë ishte e tëra e banuar me shqiptar dhe fliste vetë shqip ndonëse në kohën kur unë isha fëmijë në qytet kishte më tepër serb se shqiptar.

Unë nuk mbaj mend që ne fëmijët e rrugës së Kosovës të kemi luajtur në rrugën tonë me fëmijë serb edhe pse kemi jetuar në një qytet të përzier, te ne gjithëçka ishte e ndar me vakt.
Shkolla ime fillore që gjindet shumë afër rrugës së Kosovës kishte vetëm shqipëtar dhe asnjë nxënës serb dhe e njëjta edhe ne shkollën fillore ku mësohej serbisht nuk kishe nxënës shqipëtar. Veç mësonim ne e veç ata.

Edhe shkollat e mesme ishin të ndara, asnjë nxënës shqiptar në shkollën serbe dhe anasjelltas. Kopsht për fëmijë ndonëse kishe, por nënat e reja shqiptare që punon nuk i çonin fëmijët e vet në kopsht pasi që edukatoret ishin të gjitha serbe.

Fëmijët e vegjël shqiptar mësimin parashkollor e ndjeknin në kuadër të shkollës fillore ku edukatoret ishin shqiptare.
Të kthehem te rruga ime e Kosovës.
Oh sa e hareshme që ishte rruga jonë, më duket sikur edhe tash po e shoh. Me motrat e shoqet e lagjes kemi luajtur sa në njërën sa në tjetrën rrugicë të rrugës sonë. Shtëpitë skaj rrugës gati të gjitha kishin çeshmet nga të cilat kalimtarët mund të pinin ujë ndërsa ne fëmijët freskoheshim gjatë ditëve të verës.

Nganjëherë e mendoj sa shumë dashuri kishte në mes të fëmijëve të rrugës tonë, ishim shumë të njëjtë sikur të rriteshim në një familje të madhe.
Ne shqiptarër e rrugës së Kosovës dhe jo vetëm kemi jetuar si në Geto. Në kohën e fëmijërisë sime, ne nuk kishim mundësi të shihnim televizionin e Prishtinës e për atë të Tiranës as mos të flas. Madje as gazeta Rilindja nuk ishte aq e rregullt. Ne ishim Shqipëtar pa Kosovë e pa Shqipëri, të lënë nën mëshirën e askujt.

Por megjithatë, rruga jonë e Kosovës vazhdoj të frymoj shqip, asnjëherë të vetme nuk u dorëzua, edhe kur kohë pas kohe bastisej, arrestohej e përbuzej, njerëzit e rrugës time u treguan gjithnjë e më të fort. Qëndruan aty dhe vazhdojnë të qëndroijnë mu aty te rruga e Kosovës.

Ah moj rruga ime e Kosovës edhe po të dua nuk mund kurrë të heq nga zemra ime, se mu te ti jetojnë akoma vëllezërit e mi, nipat e mbesa ime, dajte e kusherinjët. Por nuk mund ta lë pa përmend se aty ku përfundon rruga e Kosovës në dalje të qytetit, gjinden varrezat ku kam të varrosur nanën, babin e gjyshërit e mi. Kjo rrugë është pjesë e imja dhe poa këtë pjesë unë nuk do të isha kjo që jam.

(Autorja e shkrimit është magjistre e gjuhës angleze dhe punon në USAID-in amerikan)




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *