Ragmi Mustafi: Pesë përgjigje ndaj shpifjeve të Shqiprim Arifit

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi i është kundërpërgjigjur akuzave të Alternativës për Ndryshim dhe kryetarit të saj, Shqiprim Arifi.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar :

Keqardhje që Alternativa për Ndryshim luan me standarde të dyfishta për një grusht votash në dëm të zgjidhjes së problemeve jetike të qytetarëve.

Në njërën anë, kryetari i APN-së, z.Shqiprim Arifi, takon para pak ditësh Shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi, Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Jan Braathu i cili lehtëson/ndërmjetëson dialogun midis përfaqësuesve të Luginës së Preshevës me Qeverinë e Serbisë dhe nuk deklarohet kundër këtij dialogut, por përkundrazi e mbështet atë dialog gjatë bashkëbisedimit bilateral.

Në anën tjetër, po i njëjti Shqiprim Arifi përmes “Shërbimit për Informim – APN” shpif tash publikisht se kinse unë si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar paskam « arritur marrëveshje në dëm të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke u dakorduar me Ministren Čomić, se pasivizimi i adresave të shqiptarëve është vetëm zbatim i ligjit nga Qeveria e Serbisë » dhe e cilëson “këtë takim politikisht të ngutshëm dhe të pa menduar mirë”.

E kuptoj qëllimin e Shqiprim Arifit me nxjerr ndonjë votë, porse kjo bëhet problematike kur e bën me lajme të rreme dhe shpifje.

Madje deri aty shkon sa nuk e përmend fare Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, që ishte organizatore, lehtësuese dhe ndërmjetësuese të dialogut, në bashkërendim me ambasadorët më të fuqishëm perëndimor të grupit : « Miqtë e Luginës ».

E këtë, z.Shqiprim Arifi e di, sepse e ka biseduar paraprakisht me Ambasadorin Jan Braathu.

Pra, me qëllim të përfitimit të ndonjë vote “patriotike”, z.Shqiprim Arifi nuk ngurrin me përbuzur kontributin e OSBE-së dhe të ambasadave perëndimore duke mos i përmendur fare ato, si dhe e paraqet rrejshëm si takim të organizuar nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave si dhe Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Megjithatë, më poshtë 5 përgjigje ndaj shpifjeve të z.Shqiprim Arifi.

E para

Unë nuk jam pajtuar me qëndrimin e Ministres Čomić. S’di ku e keni pa atë pajtueshmëri, apo aq më pak atë marrëveshje siç e quani? Meqë qenka kështu, pse s’po e publikoni deklaratën e pajtueshmërisë sime ose marrëveshjen time ku qenkam pajtuar ?

Edhe në këtë takim, unë kam dhënë qëndrimet e mia dhe të KKSH-së në mënyrë publike dhe transparente para të gjithëve, ku kam ritheksuar se pasivizimi i adresave mbi bazë etnike është i papranueshëm dhe duhet rikthyer adresat të gjithë shqiptarëve që padrejtësisht i janë pasivizuar.Ekzistojnë procesverbalet dhe dëshmitarët.

Por unë nuk mund t’ia caktojë qëndrimet palës tjetër ☺ Çka thotë Beogradi është çështje e tyre. Unë përfaqësoj Këshillin Kombëtar Shqiptar. Ata Qeverinë e Serbisë. Këtë e kupton edhe një nxënës i shkollës fillore.

E dyta

Agjendën dhe formatin e takimit të parë të dialogut nuk e kam përcaktuar unë, por ndërmjetësuesit e takimit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në bashkërendim me ambasadorët më të fuqishëm perëndimor të grupit : « Miqtë e Luginës ».

Unë nuk jam deklaruar askund si udhëheqës i “delegacionit” shqiptar në takim. Nuk kam aso komplekse. Jam përgjigjur ftesës së ndërkombëtarëve si ndërmjetësues për të marrë pjesë si PALË, meqë tema e dialogut kishte të bënte me arsimin, që është fushë kryesisht në kompetenca të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Besoj se në takimet e tjera do të jenë përfaqësues të tjerë, varësisht nga temat e Planit 7 pikësh.

Pastaj dialogu Luginë-Beograd me ndërmjetësim ndërkombëtar nuk e pengon agjendën e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, apo anasjelltas. Madje edhe mund ta nxitoj.

Ju rikujtoj se të nesërmen që pati dialog KKSH-Qeveri-OSBE në Bujanoc, Lugina ke temë në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi (për parët e Kosovës të bllokuara nga Serbia).

Pra më mirë Lugina në dialog në Bujanoc e Bruksel si tash, se askund siç ka qenë deri tash.

E treta

Meqë e cilësuat tash takimin “politikisht të ngutshëm dhe të pa menduar mirë”, pse nuk e deklaruat këtë publikisht pas takimit me Ambasadorin Jan Braathu? Nuk patët guxim?

E katërta

Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk ka lënë takim me institucione vendore, kombëtare e ndërkombëtare pa e ngritur çështjen e pasivizimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nuk kemi lënë intervistë e media pa u munduar që të njëjtën ta ngrisim si shqetësimin më të lartë që po i ndodhë shqiptare.

Këshilli Kombëtar Shqiptar është institucioni i vetëm në Luginë i cili ka filluar mbledhjen e fakteve rreth pasivizimit, e për një gjë të tillë ka hapur edhe zyre në Medvegjë, në të cilën deri tani janë lajmëruar rreth 2000 qytetarë shqiptarë nga Medvegja të cilëve iu kanë fshirë adresat.
Këshilli Kombëtar Shqiptar poashtu ka asistuar të gjithë ata të cilëve iu është pasivizuar adresa , që kanë shprehur gatishmërinë e ndjekjes së procedurave në rikthimin e adresave.

Ky institucion ka nxjerrë edhe një Raport mbi pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me shpjegim të detajuar rreth këtij fenomeni, Raport i cili i është dorëzuar të gjitha institucioneve në Kosovë e Shqipëri, e institucioneve ndërkombëtare si Komesarit të Lartë për tδ Drejtat e njeriut dhe Pakicave në Hagë, OSBE, Këshillin e Europës e Bashkimin Europian si dhe gjitha ambasadave relevante.

Pasivizimi i adresave është i nënvizuar problem si në raportin progresit për Serbinë në BE të vitit të kaluar ashtu edhe të këtij viti. Gjithashtu, është nënvizuar edhe edhe në Raportin e Departamentit Amerikan për nivelin e drejtave të njeriut në Serbi.

Madje, pasivizimi i adresave është vlerësuar nga Komiteti i Helsinkit në Beograd si “përdorim i mjeteve administrative për zbatimin e spastrimit etnik”.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, tashmë është nisur procesi gjyqësor me padinë para Gjykatës së Lartë në Beograd për rastin e pasivizimit të adresës së Safet Demirit nga Medvegja e që në kuadër të strategjisë së hartuar ka për qëllim për të dërguar rastin në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

E pesta

Meqë mjaft u përgjigja në shpifjet e juaja, 3 pyetje për ju, z.Shqiprim Arifi

1/ Pse nuk e keni ndalur diskriminimin e shqiptarëve për shkak që e siç e pranoni “vazhdon të mbetet aty ku ka qenë me dekada” për shkak që siç thuani ju “neglizhencës dhe mungesës së përkushtimit nga qeverisjet serbe për ta përmirësuar gjendjen e shqiptarëve” përderisa keni qenë për 5 vjet në pushtet si Kryetar Komune, madje edhe duke i pasur për partner bashkëqeverisës partitë në pushtet në Beograd (SNS dhe SPS)?

2/ Pse nuk e keni ndalur procesin e pasivizimit të vendbanimeve përderisa keni qenë për 5 vjet në pushtet si Kryetar Komune, madje edhe duke i pasur për partner bashkëqeverisës partitë në pushtet në Beograd (SNS dhe SPS)?

3/ Pse nuk e keni bërë Luginën e Preshevës si temë në Bruksel përderisa keni qenë për 5 vjet në pushtet si Kryetar Komune, madje edhe duke i pasur për partner bashkëqeverisës partitë në pushtet në Beograd (SNS dhe SPS)?

Për fund, z.Arifi:

E kuptoj qëllimin tuaj me marrë pushtetin. Por besoj se zgjidhja e problemeve jetike të qytetarëve, si njohja e diplomave, investimet në ekonomi, punësimet e shqiptarëve përmes përfaqësimit në institucione, e shumë tema të tjera të Planit 7 pikësh, që po tentohen të vihen në zbatim nga Beogradi, përmes presionit ndërkombëtar janë shumë më të rëndësishme sesa fatet tona personale.

Nuk po them se ndërkombëtarët kanë me ia dalur me bindur Beogradin zyrtar për t’i zbatuar marrëveshjet e pranuara për Luginën. Ta shohim. Por e jona është ta shtyjmë procesin me partnerët ndërkombëtarë, që na e kanë sjellur Beogradin në tavolinën e bisedimeve si PALË PËRBALLË nesh dhe jo si pjesë BRENDA tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.