Ragmi Mustafa, kundërpërgjigjet: Akuzat për “patriotizëm të bajat dhe pa sens” të vënë në mbrojtje të politikave të Vuçiqit, Vullinit e Mitroviqit
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, përmes një postimi në facebook, tërthorazi iu është kundërpërgjigjur akuzave të Arbër Pajazitin, i cili ditë më parë, kundërshtimet e krerëve të PVD-së ndaj zyrtarëve serbë, i ka quajtuar “patriotizëm të bajat dhe pa sens”.
“Nën konceptin e modernes nuk mund të përjashtohet procesi dekolonializimit, defashizimit e krejt në fund demillosheviqizimin e institucioneve si mundësi për demokratizim dhe agravim të vlerave evro-perendimore” – ka shkruar Mustafa.
Ai ka thënë se: “Akuzat për ‘patriotizëm të bajat dhe pa sens’ ndaj oponentëve, ndoshta pa vetëdije, të vënë në mbrojtje të politikave të Vuçiqit, Vullinit e Mitroviqit, mjerisht! Këta të fundit nuk janë shkëputur nga politikat e viteve të 90-ta. Përkundrazi, iniciativat për të ndërtuar “botën serbe”, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët, janë rikthim në politikat e përgjakshme dhe ftesë e hapur për lufta të reja Ballkanike” – ka shkruar Mustafa, duke iu kundërpërgjigjur tërthorazi, akuzave të kryetarit të APN-së në Bujanoc.
Për më shumë, Mustafa ka shkruar edhe se: “Reagimet e institucioneve të shtetit me trajtimin e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së, me “memorialin e Komandant Lleshit”, me mos distancimin nga diskriminimi, me mos realizimin e tri marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptar, pasivizimi e gjuha kriminalizuese ndaj shqiptarëve të Luginës nuk mund të jetë as politikë ditore e as axhendë personale, pavarësisht mbajtjes apo jo të zgjedhjev.”
“Të mbrosh këto politika sot, nuk është as modernizëm e as kozmopolitizëm, sepse nuk mund të jetë tjetër përveç miopi politike si tentativë për të shfajësuar Qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë për të bëmat në dy dekadat e fundit . Pra, politika e së ardhmes nuk mund të shmang të kaluarën edhe nëse (nuk) ke qenë pjesëmarrës” – ka shkruar mes tjerash, Ragmi Mustafa, duke iu përgjigjur akuzave të Arbër Pajaztit për kundërshtimet që zyrtarët e PVD-së, po i bëjnë ndaj Aleksandar Vuçiqit, Aleksandar Vulinit dhe Nenad Mitroviqit.
Më poshtë, mundë ta lexoni të plotë, postimin e Ragmi Mustafës, tërthorazi drejtuar Arbër Pajazitit:
Kritika është vlerë e patjetërsueshme për çdo shoqëri demokratike që ka për qëllim përmirësimin e vendimmarrjes në realizimin e vizionit për të ardhmen.
Në Luginën e Preshevës, si rrallë vende dhe komunitetet të pakta, përfaqësimi ka qenë garë e karakterizuar nga subjekte të shumta politike. Pak njerëz e shumë parti. Shpeshherë për shkak të konkurrencës së brendshme ka shpërfaqë edhe kritika të palogjikshme.
Nën konceptin e modernes nuk mund të përjashtohet procesi dekolonializimit, defashizimit e krejt në fund demillosheviqizimin e institucioneve si mundësi për demokratizim dhe agravim të vlerave evro-perendimore.
Akuzat për “patriotizëm të bajat dhe pa sens” ndaj oponentëve, ndoshta pa vetëdije, të vënë në mbrojtje të politikave të Vuçiqit, Vullinit e Mitroviqit, mjerisht!
Këta të fundit nuk janë shkëputur nga politikat e viteve të 90-ta. Përkundrazi, iniciativat për të ndërtuar “botën serbe”, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët, janë rikthim në politikat e përgjakshme dhe ftesë e hapur për lufta të reja Ballkanike.
Reagimet e institucioneve të shtetit me trajtimin e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së, me “memorialin e Komandant Lleshit”, me mos distancimin nga diskriminimi, me mos realizimin e tri marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptar, pasivizimi e gjuha kriminalizuese ndaj shqiptarëve të Luginës nuk mund të jetë as politikë ditore e as axhendë personale, pavarësisht mbajtjes apo jo të zgjedhjeve.
Të mbrosh këto politika sot, nuk është as modernizëm e as kozmopolitizëm, sepse nuk mund të jetë tjetër përveç miopi politike si tentativë për të shfajësuar Qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë për të bëmat në dy dekadat e fundit .
Pra, politika e së ardhmes nuk mund të shmang të kaluarën edhe nëse (nuk) ke qenë pjesëmarrës. E ardhmja mund të artikulohet vetëm mbi të vërtetën që respekton dinjitetin njerëzorë në radhë të parë dhe të drejtat e liritë individuale dhe kolektive.
Pa barazi në të tashmen, pa drejtësi për të kaluarën e ardhmja mbetet e dehumanizuar dhe e zhveshur si statistikë ekonomike.