Ragmi Mustafa i PVD-së: “Shqiptarët e Luginës janë për bashkim, pa u cenuar veriu”

2505

Çështja e Luginës së Preshevës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës me Serbinë në asnjë fazë të tij. Por, hapja e kësaj çështje nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka rritur shpresat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ragmi Mustafa, nënkryetar i PVD-së në një bisedë për Radio Kosovën, tha se shqiptarët janë për bashkim me Kosovën, pa u cenuar veriu

Nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëherësh shef i grupit të asambleistëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal të Bujanocit, Ragmi Mustafa, në një bisedë për Radio Kosovën thotë se deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi janë shpresëdhënëse për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai thekson se përfshirja e kësaj çështje në dialog, jep shpresë për një zgjidhje finale edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Shqiptarët e luginës së Preshevës nuk janë për ndarje të Kosovës, por janë për bashkim me Kosovë në kuptimin kadastral, jo ndryshe, jo vizatim të kufijve të ri, por në kuptimin kadastral”, thotë Mustafa, për Radio Kosovën.

Ajo çka mbetet kontestuese, është mënyra se si do të realizohet kjo, përderisa Serbia vështirë se do të pranonte që Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës, ndërsa edhe veriu i vendit të mbetej brenda Kosovës. Prandaj, Mustafa thotë se nuk ia vlenë që Kosova të përfshihet në aventura të tilla për shkëmbim territoresh.

“Nuk e besoj se ia vlenë të bëhet aventurë për shkëmbim territoresh. Këtu ka të bëjë drejtpërdrejt me bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, Kosovës. Pra, pa ndarjen e veriut të Kosovës. Vullneti i tyre bazik është i theksuar në referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, me ç’rast kanë kërkuar ribashkimin me Kosovën”, tha Mustafa.

Mustafa, që është bashkëpunëtor profesional për media i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në bisedën për Radio Kosovën bën një krahasim të të drejtave të serbëve në Kosovë, me të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

“Përderisa shqiptarët hyjnë në një garë të pabarabartë në Serbi, në Kosovë serbëve iu sigurohen edhe vende në Kuvend, iu sigurohen ministri dhe iu sigurohen institucione të cilat mundësojnë realizimin e të drejtave të tyre. Ndërsa shqiptarëve iu mohohet e drejta qoftë në gjuhë, qoftë në libra dhe ka një problem të madh sa i përket arsimit, përdorimit zyrtar të gjuhës, kultivimit të kulturës. Ka një problem të jashtëzakonshëm sa i përket shpërfaqjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Mustafa.

Prandaj, ai thotë se çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të jetë objekt trajtimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht paqartësisë se çka do të ndodhë në këtë rast, Mustafa thotë se ajo që mbetet e qartë, është vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës i treguar përmes referendumit, që ka për tendencë bashkimin me Kosovën dhe jo ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve./RTK/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *