Ragmi Mustafa dhe politikat

495

Se formimi i Këshillit Nacional ka qenë një hap i rëndësishëm dhe një potez i matur politik, tanimë pas 4 viteve po dëshmohet sepse idenë për pjesmarrje në zgjedhjet për Këshill nacional po e përqafojnë edhe kundërshtarët më të mëdhenj të këtij institucioni. Në të njëjtën kohë po dëshmohet edhe politika e përgjegjshme, të cilën çdoherë e bën PVD.

Njëkohësisht, Këshilli Nacional siç duket, definitivisht, po bëhet shkaku kryesorë që po i heq maskat matrapazëve politik të cilët plot një decenie kanë manipuluar me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Pas skandalit të lapidarit (që tanimë u harrua) dhe pas teksteve shkollore të kontrabanduara bjeshkëve (që poashtu u harruan) tanimë është radha që „i madhi“ Ragmi Mustafa ta deshifrojë politikën e tij mashtruese. Ai, javën e fundit ka pasur shumë mund duke ecur „derë më derë“ dhe duke tentuar që të arsyetoj ndryshimet drastike të kursit të vet politik. Nga pozita e mospranimit të “institucioneve të Serbisë” në një pozicion tjetër të marrë pjesë në zgjedhjet për krijimin e tyre.

Në fakt, mundi i lartpërmendur po e shtyn Ragmi Mustafën (autorin e famshëm të krizës së lapidarit dhe premtimit për dorëheqje për shkak të (pa) përgjegjësisë politike) të jap edhe deklarata të çmendura, por, njëkohësisht edhe qesharake, të stilit: “Në atë kohë kemi qenë për pjesëmarrje në këto zgjedhje por kemi mbrojtur qëndrimin që të gjitha partitë me një marrëveshje të jenë pro pjesëmarrjes por në të njëjtën kohë që fushëveprimi saj të jetë më i gjerë. Por PVD nuk u pajtua që kompetencat e Këshillit Kombëtarë të jenë më të mëdha për arsyet që vetëm ata i dinë”.

Ragmi Mustafa, edhe njëherë po dëshmon se ndërron kursin e vet politik ashtu siç ndryshojnë rrymat në ujërat e pista nëpër të cilat po noton, për të problem kryesor nuk qenka Serbia që po I diskriminon shqiptarët, për të problem janë rivalët politik në PVD.

1. Z. Mustafa, çfar po mendoni kur po aludoni që PVD nuk ka qenë e pajtimit për fushëveprim më të gjera të Këshillit Nacional, e dini ju kush përcakton kompetencat dhe fushëveprimin e Këshillave Nacionale? Sigurisht që jo PVD.

2. Nëse atëherë s keni përkrahur pjesëmarrjen në zgjedhje për Këshill Nacional (kur KNSH numëronte 29 anëtarë), si u bë e mundur që tani me 15 anëtarë po i pranoni këto zgjedhje? Mos vallë, “fushëveprimi” i juaj i famshëm tani është më i gjerë se sa 4 vitet e kaluara?

3. Si do ta bindeni popullin shqiptarë të komunës së Preshevës, ata të cilët me vite ju votuan me pretekstin se jeni “patriot më i madh I kësaj toke të përvuajtur” që të dalë në këto zgjedhje, dhe de facto të pajtohen me statistikat që në Serbi jetojnë vetëm 5.000 shqiptarë?

4. Me çfarë të drejte morale po krekoseni kur Preshevën nga një qendër kulturore e keni shndërruar në Bashkësi lokale, bile më të vogël se Zhunica juaj.

5. Kush po ua jep të drejtën që duke pranuar statistikat zyrtare për 5 mijë shqiptarë të legjitimoni përfundimisht heqjen e gjykatës nga Presheva?

Të gjitha këto që i përmendem më lartë, janë thjesht vetëm pjesëza e atyre fakteve që do të përmendim më vonë, për ta deshifruar politikën tuaj mashtruese, dhe për të parandaluar logjikën tuaj të mbrapshtë që çdoher tentoni ta konsideroni popullin shqiptarë naiv, të paditur dhe kope që mashtrohet lehtë.

Deri kur do të vazhdojnë lojrat e tuaja politike me fatin e shqiptarëve. Do të thotë kjo se definitivisht keni hequr dorë nga “Bashkimi me Iliridën” dhe “Ribashkimi me Kosovën”, apo edhe kjo është një nga margaritarët e tuaj që në stilin e një servili ndaj shtetit servoni shqiptarëve “dushk për gogla”.

Vakti thonë e ha kashtën, vakti ndoshta po duron edhe politikën tuaj intrigante, por, thellësisht besojmë se këtij vakti po I vjen fundi.

Forumi rinor i PVD-së




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *