Pyetja e deputetit, Shaip Kamberi: Niveli i integrimit të shqiptarëve në organet shtetërore

88

Në seancën e djeshme plenare të kuvendit republikan, deputeti popullor, Shaip Kamberi, ngriti çështjen e numrtit të vogël të të punësuarve shqiptar në organet shtetërore që veprojnë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Për më tepër, ja pyetja e plotë!

E nderuara kryetare, zonja dhe zotërinj deputet:

Në bazë të nenit 204 të Rregullores së Kuvendit, për qeverinë republikane, kam pyetje lidhur me integrimin e shqiptarëve në institucionet republikane.

Participimi i shqiptarëve në punën e organeve shtetërore nuk kënaq as standardet ndërkombëtare e as ato vendore. Fatkeqësisht, sot, as pas 13 vjetëve nga fillimi i implementimit Programit qeveritar për zgjidhjen e problemeve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ekzistojnë shumë institucione shtetërore në të cilat numri i shqiptarëve të punësuar është shumë simbolik, apo janë fare pa shqiptarë.

Mënyrat e pjesëmarrjes efektive të pakicave nacionale në punën e institucioneve shtetërore, shpeshherë paraqesin problem për demokracitë e papërfunduara.

Ky problem është veçanërisht i shprehur në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Një e dhënë jo zyrtare nga viti 2013-të, e cila, as sot nuk ka ndryshime thelbësore, flet se në të gjitha institucionet shtetërore të cilat veprojnë në këto komuna, janë të punësuar gjithsejtë 1596 punëtor, nga të cilët vetëm 17 punëtor janë të komunitetit rom dhe 387 punëtorë, shqiptar. Numrin më të madh të punësuarve, 1188 e përbëjnë serbët. Duke marrë parasysh se numri më i madh i shqiptarëve (mbi 200 sysh), janë të punësuar në polici, është e qartë sa i ulët është niveli i përfaqësimit të shqiptarëve në organet shtetërore.

Gjithë këtë po e dëshmoj edhe me një shembull konkret: Në 13 inspeksione republikane, të cilat janë kompetente edhe rajonin tonë, nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Njëri që ishte pensionuar në inspeksioni i arsimit, ende nuk është zëvendësuar. Për romët, as që bëhet fjalë.

Me ktëtë rast, duhet të theksoj që me 15 korrik të vitit 2010, Qeveria e atëhershme, ka marrë Vendim për ndryshimin e Vendimit për numrin maksimal të të punësuarve në organet shtetërore, sipas të cilit vendim do të duhej të punësoheshin 64 shqiptarë. Por, gjithë procesi i punësimit u diskreditua përmes manipulimeve të ndryshme, që pati si pasojë punësimin e vetëm një numri të vogël të shqiptarëve në doganë dhe shërbimin e të ardhurave.

Rekomandimet e Lubjanës parashohin që në “Nëse shoqëritë multietnike nuk kanë politikë të mirë integruese, krijohet rreziku, që bashkësitë të cilat janë të koncentruar, të bëhen gjithnjë më të izoluara, që kanë fare pak apo aspak interes ë ndjehen pjesë e shoqërisë së përgjithshme”.

Me këtë rast potencoj nevojën që shteti duhet të aprovojë politika konkrete përmes të cilave do të eliminonte pengesat juridike dhe faktike të cilat pengojnë barazinë efektive të pakicave. Vetëm ta ilustroj, se Konventa kornizë (neni 4) parasheh obligimin e shteteve anëtare që “të aprovojnë, gjithkund ku është e nevojshme, masat për avancimin e barazisë së plotë dhe efektive në mes pjesëtarëve të pakicave dhe popullit shumicë”. Konventa kornizë përcakton se këto masa nuk mund të konsiderohen diskriminuese (ndaj tjerëve).

Kushtetuta e R. Serbisë (neni 77. al. 2) përcakton që “gjatë punësimit në organet shtetërore, shërbimet publike, organet komunave duhet pasur parasysh përbërjen etnike të popullatës dhe participimin adekuat të pakicave”. Edhe kushtetuta e Serbisë parasheh mundësinë e masave të veçanta.

Duke përmendur njërin ndër konkluzionet e Këshillit të Evropës, nga qershori i 1993, sipas të cilit anëtarësimi në BE kërkon, jo vetëm faktin që vendi të krijojë “stabilitetin e institucioneve dhe sundimin e të drejtës” por edhe “respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave”.

Pyetja ime për qeverinë e Republikës së Serbisë është:

NË CILIN AFAT KOHORË QEVERIA E REPUBLIKËS SË SERBISË, DO TË HARTOJË PLANIN AKSIONAL, NË FRYMËN E PROGRAMIT TË VITIT 2001, PËR INTEGRIMIN E SHQIPTARËVE NË INSTITUCIONET SHTETËRORE?




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *