PVD shpall zgjedhjet në të gjitha nivelet partiake, Kamberi: Të hapim një diskutim të gjerë për të menduar mbi të ardhmen e 10 vjetëve të ardhshme

516

Përmes një postimi në faqen zyrtarë të tij, kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka njoftuar se këshilli qëndror i partisë më të vjetër në Luginë të Preshevës, ka shpallur zgjedhjet në të gjitha nivelet të strukturave partiake.

“Këshilli Qëndror i PVD-së, mbrëmë, aprovoi njëzëri propozimin e Kryesisë të përgjithshme për fillimin e reformave të brendshme, ndryshim të Statutit e plotësim të Programit të partisë dhe zgjedhjeve partiake në të gjitha nivelet” – thuhet në postimin e kryetarit të PVD-së, Shaip Kamberi.

Kamberi, për më shumë, ka postuar edhe fjalimin shumë përmbajtësor, të mbajtur para anëtarëve të Këshillit Qëndror të Partisë për Veprim Demokratik, ku mes tjerash ka thënë:

Përgjatë këtyre viteve, rajoni jonë ka pësuar transformime të mëdha politike.

Këto transformime kanë ndikuar natyrisht edhe në transformime shoqërore, ku PVD ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këto trasnformime.

PVD ishte jo vetëm subjekti i parë politik, por edhe organizata vendore rreth së cilës dhe nga e cila kanë buruar idetë dhe veprimet kryesore politike në shërbim të interesit të përbashkët.

Ky historik është tregues i rëndësishëm për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e projektit tonë politik.

Por kjo nuk do të thotë se duhet të mjaftohemi me historinë tonë duke mos vepruar dhe menduar politikisht. Historia nuk nënkupton konsumim dhe arkivim. Ajo është kapital që duhet të shërbejë sidomos për ndërtim të së ardhmes.

Për më shumë, më poshtë e gjeni fjalimin e plotë të kryetarit të PVD-së, para anëtarëve të Këshillit Qëndror:

Të nderuar anëtare e anëtar të Këshillit Qëndror të PVD-së,

Si partia e parë politike në Luginën e Preshevës në sistemin pluralist, PVD ka hyrë në dekadën e katërt të saj të veprimit. Sikurse vitet që ecin edhe PVD ka pasur zhvillimet e saj. Pozitive dhe negative.

Përgjatë këtyre viteve, rajoni jonë ka pësuar transformime të mëdha politike.

Këto transformime kanë ndikuar natyrisht edhe në transformime shoqërore, ku PVD ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këto trasnformime.

PVD ishte jo vetëm subjekti i parë politik, por edhe organizata vendore rreth së cilës dhe nga e cila kanë buruar idetë dhe veprimet kryesore politike në shërbim të interesit të përbashkët.

Ky historik është tregues i rëndësishëm për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e projektit tonë politik.

Por kjo nuk do të thotë se duhet të mjaftohemi me historinë tonë duke mos vepruar dhe menduar politikisht. Historia nuk nënkupton konsumim dhe arkivim. Ajo është kapital që duhet të shërbejë sidomos për ndërtim të së ardhmes.

Si vlerë, kjo histori duket të pasurohet (jo të fshihet) edhe në aktualitet, por sidomos në perspektivë.

Partia për Veprim Demokratik është para së gjithash parti politike. E siç e thotë më së miri emërtimi i saj, ajo angazhohet edhe për veprim dhe demokraci.

Në këtë kuptim, partia zhvillohet çdo ditë.

Vepron çdo ditë.

Mendon çdo ditë.

Ndërtohet çdo ditë.

Për një projekt politik. Për një qëllim politik. Për një ideal politik. Për një ëndërr shoqërore.

Siç dihet, PVD është themeluar mbi qëllimin e realizimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo si ide lirie dhe barazie. Kjo ide është natyrisht gjallë. Sepse liria dhe barazia është luftë e përhershme politike.

E sado që rezultatet zgjedhore janë të rëndësishme, ato nuk duhet të mbivendosen si qëllim parësor.

Natyrisht se rezultatet e dobëta zgjedhore dhe gjendja e fuqisë përfaqësuese e partisë në elektorat duhet trajtuar.

Si edhe lëshimet e sotme dhe të së kaluarës.

Fundja nuk ka ndërtim të së ardhmes pa përballje me të kaluarën.

Por pushteti institucional nuk duhet të mbivendoset ndaj partisë.

Pushteti është pasojë, jo shkak i angazhimit politik.

Lindja e PVD-së ka buruar dhe është ndërtuar nga ideja për angazhim politik drejt një qëllimi politik.

Jo nga qëllimi për të marrë pushtet institucional.

Prandaj, edhe sot, duhet të bisedojmë sa më shumë midis nesh, se ku ishim, ku jemi dhe ku duam të jemi.

Si shoqëri dhe si parti.

Në këtë kuptim, si kryetar i partisë dhe duke marrë përgjegjësitë e mia, si për të kaluarën ashtu edhe për të tashmën, mendoj se është koha për të hapur së pari një diskutim më të gjatë dhe më të thellë, me anëtarësinë dhe me qytetarët, me strukturat horizontale dhe vertikale të partisë, lidhur me zhvillimin e mëtejmë të partisë, si për nga aspekti ideopolitik, ashtu për nga aspekti organizativ, në raport me gjendjen aktuale dhe me të ardhmen.

PVD ka dokumentet dhe strukturat e veta. Ato janë mundësi për zhvillim të mëtejmë.

Le ta hapim një diskutim të gjerë për të menduar politikisht.

Për të menduar mbi të ardhmen.

Për të dëgjuar idetë e të gjithëve. Se çfarë shoqërie duam? Se çfarë partie duam?

Se çfarë po synojmë për të sotmen dhe të nesërmen?

Kah duhet të shkojmë dhe kush duam të jemi e të bëhemi?

Së paku në dhjetë vitet e ardhshme.

 




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *