PVD: Pushtetet lokale në Bujanoc e Preshevë pa plane rreth informimit publik!

177

11063014_10153171964754634_354145063_nNë takimin e organizuar nga ana e Ministrisë së kulturës dhe informimit dhe Trupit koordinues me temë “Aplikimi i ligjeve të reja mediale në praktikë” sekretari shtetërorë për informim dhe bashkëpunëtorët e tij i paraqitën modalitetet e funksionimit të mediave në Luginë të Preshevës në kushte që do të krijohen me ligjin e ri të informimit.
Në diskutimin e zhvilluar me këtë rast u pa se pushtetet lokale në Preshevë e Bujanoc nuk kanë qëndrime të qarta për zgjidhjen e kësaj problematike.
Derisa Kuvendi Komunal i Preshevës në seancën e saj të kaluar e kishte në rend të ditës Vendimin mbi modelin dhe metodën e privatizimit të Ndërmarrjes publike informative “Presheva”, ku ishte paraparë që privatizimi të bëhet nëpërmjet modelit të shitjes së kapitalit, me metodën e ankandit publik me prokurim publik, në anën tjetër drejtori i këtij institucioni në debatin e djeshëm ishte kundër privatizimit dhe për ruajtjen e statusit aktual. Në anën tjetër kryetarët e Preshevës dhe Bujanocit si dhe kryetari i Këshillit Nacional Shqiptarë dolën me konceptin e formimit të mediumit të ri me anë të KNSH njëkohësisht duke shprehur brengosjen e tyre të pakuptueshme se me këtë variant krejtësisht ligjorë do të rrezikohet informimi në gjuhën serbe.
Në këtë kontekst është e domosdoshme të theksohet se bartja e të drejtës së themeluesit ka mundur nga pushteti lokal t’i bartet Këshillit Nacional por para hyrjes në fuqi të ligjeve të reja mediale, që në rastin e Luginës së Preshevës nuk është shfrytëzuar, ashtu që mbetet me procedurë të veçant të themelohet institucioni i ri medial nga ana e KNSH – së.
Ndërsa në bazë të ligjit të ri për informim dhe media që ka hyrë në fuqi më 13.08.2014 mediat publike lokale, që nuk kanë kaluar në kompetenca të Këshillave Nacionale, do të privatizohen deri më 1 korrik të këtij viti. Nëse deri me këtë datë nuk shitet kapitali i tyre, atëherë privatizimi do të bëhet me anë të bartjes së aksioneve pa pagesë punëtorëve të mediumit përkatës.
Në këtë rast Republika e Serbisë dhe pushtetet lokale sigurojnë nga buxhetet e tyre një pjesë të mjeteve, për realizimin e interesit publik në fushën e informimit publik dhe i shpërndajnë këto mjete me anë të konkurseve publike.
Ndërsa financimi i mediave të themeluara nga Këshillat Nacionale përcaktohet me ligj të veçantë me të cilin është e rregulluar pozita e Këshillave Nacionale.
Në këtë debat u potencua edhe problemi shumë serioz i mungesës së informimit në gjuhën shqipe në mediumin publik qendrorë, në RTS, që gjithashtu duhet të zgjidhet sa më shpejtë në formën dhe kapacitetin adekuat.
Natyrisht programi në gjuhën shqipe në RTS duhet ta plotësojë e jo ta zëvendësojë informimin publik në gjuhën shqipe në nivel lokal dhe rajonal, ashtu siç gabimisht e ka interpretuar RTV Presheva në lajmet e saj.
Është shumë e qartë se informimi publik në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës aktualisht gjendet para sfidave shumë të ndieshme.
Njësoj si në kohën e mungesës së licencës së punës dhe problemit me mungesën e frekuencave për RTV Presheva edhe tash është i domosdoshëm kontributi i të gjithë faktorëve relevant në Luginë të Preshevës. Mirëpo, me siguri në këtë situatë delikate përgjegjësia kryesore i takon atyre që aktualisht i kanë kompetencat ligjore për t’i udhëhequr pushtetet lokale dhe Këshillin Nacional Shqiptarë.
Ndërsa kontributi i opozitës në drejtim të ballafaqimit me këto probleme shumë të ndieshme do të varet drejtëpërdrejtë nga hapësirat që ia lejojnë udhëheqjet aktuale. Nëse opozita eliminohet krejtësisht si në rastin e KNSH-së apo zëri i saj ngulfatet si në rastin e RTV Presheva dhe RTV Bujanoci, është e qartë se udhëheqjet aktuale do ta kenë monopolin edhe në dështimet eventuale, që mund të jenë me pasoja shumë të rënda./LuginaLajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *