PVD nuk e mbështet propozimin e PDSH-së për ndarjen e funksionit të kryetarit të Preshevës me parimin e rotacionit
Përmes një informate të publikuar në faqen zyrtare, kryseia e Partisë për Veprim Demokratik, nuk e ka mbështeur propozimin e PDSH-së mbi ndarjen e mandatit të kryetarit të Preshevës, me formën e rotacionit.
Për PVD, “Parimi i rotacionit ku ndahet mandati i të njëjtit funksion midis përfaqësuesve të partive të ndryshme është praktikë e dëshmuar si joefikase në përformansë qeverisëse”.
“Partia për Veprim Demokratik mbetet e bindur dhe e vendosur se nuk mund të kemi qeverisje më të mirë me mendësi dhe metoda të vjetëra” – thuhet në shkrimin e publikuar nga PVD.
Sipas PVD, “Shqiprim Arifi është dëshmia më e mirë se ndryshimi nuk sjell përparim dhe zhvillim nëse nuk shoqërohet me qeverisje më të mirë.
“Sot është momenti që ndryshimin ta bëjmë edhe duke ndërtuar qeverisje të mirë, e jo vetëm ta sajojmë të ndryshmen përmes rotacionit të emrave të tjerë në pushtetin e njëjtë. Komuna e Preshevës ka nevojë për qeverisje reformatore që bën shkëputjen me të tashmën dhe të kaluarën, por edhe që ndërton shpresë dhe mundësi për të ardhmen” – thuhet ndër të tjera në informatën e PVD-së.
Më poshtë, mundë të lexoni informatën e plotë të PVD-së, të dalur pas mbledhjes së kryesisë të këtij subjekti polotik:
PRESHEVA KA NEVOJË PËR QEVERISJE TË MIRË NGA OPOZITA, JO PËR ARRNIM PUSHTETI PËRMES PARIMIT TË ROTACIONIT
Mbrëmë, në mbledhjen e saj të kryesisë dhe këshilltarëve të dalur nga zgjedhjet e fundit të parakohshme lokale, Partia për Veprim Demokratik nuk e ka mbështetur propozimin e Partisë Demokratike Shqiptare, për ndarjen e mandatit të kryetarit të Komunës me parimin e rotacionit.
Parimi i rotacionit ku ndahet mandati i të njëjtit funksion midis përfaqësuesve të partive të ndryshme është praktikë e dëshmuar si joefikase në përformansë qeverisëse.
Partia për Veprim Demokratik mbetet e bindur dhe e vendosur se nuk mund të kemi qeverisje më të mirë me mendësi dhe metoda të vjetëra.
Shqiprim Arifi është dëshmia më e mirë se ndryshimi nuk sjell përparim dhe zhvillim nëse nuk shoqërohet me qeverisje më të mirë.
Sot është momenti që ndryshimin ta bëjmë edhe duke ndërtuar qeverisje të mirë, e jo vetëm ta sajojmë të ndryshmen përmes rotacionit të emrave të tjerë në pushtetin e njëjtë.
Komuna e Preshevës ka nevojë për qeverisje reformatore që bën shkëputjen me të tashmën dhe të kaluarën, por edhe që ndërton shpresë dhe mundësi për të ardhmen.
Ky është vullneti i shumicës i qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit për partitë opozitare shqiptare. Qytetarët thanë se duan pushtet tjetër, por edhe më të mirë. Qytetarët kërkuan Shqiprim Arifin dhe Listën Serbe në opozitë, si dhe opozitën e sotme në pushtet.
Në përputhje dhe në respekt të këtij vullneti popullor, Partia për Veprim Demokratik mbetet e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse me Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen për Reforma dhe Unionin Demokratik Shqiptar.