Punim shkencor me temën “Roli i mësimdhënësit në udhëheqjen e shkollës”

Abstrakti

Çfarë do të thotë të udhëheqësh? A do të thotë se mjafton të kesh një titull dhe udhëheqja do të ndodhë vet? Udhëheqësit janë agjentë të ndryshimit. Rezultati i punës së tyre mund të shihet në përmirësimin dhe në ndryshimet pozitive që ndodhin në institucionin për të cilin ata janë përgjegjës. Shumica e udhëheqësve nuk e kanë këtë nga natyra. Fredmund Malik[1], na tregon se të qenit udhëheqës është profesion si të jesh arkitekt. Kapaciteti i parë është mundësia për të punuar me njerëz për të arritur një qëllim të përbashkët. Udhëheqja mund të mësohet – dhe për të qenë më shumë se ‘udhëheqës titullar’ ‘udhëheqësi’ duhet të mësojë se si ta bëjë mirë atë. Udhëheqja ka nevojë për ushtrim dhe praktikë

Udhëheqësit menaxhojnë, por kjo është vetëm një pjesë e rolit të tyre. Udhëheqja është më shumë se vetëm menaxhim.

Fjalët kyçe:

  • # Mësimdhënës
  • # Udhëheqës
  • # Shkollë
  • # Arsim

Qëllimi

Shqetësimi i parë i një udhëheqësi të shkollës është cilësia e stafit mësimdhënës. Pa mësues të mirë është e pamundur të kemi shkollë të mirë. Udhëheqësi duhet të udhëheqë dhe përkrahë stafin mësimdhënës përmes procesit të të mësuarit, të kuptuarit dhe implementimit të kurrikulës së re. Kjo do të thotë të mësojë si të udhëhiqen ndryshimet, si të mbikëqyren dhe të mentorohen mësimdhënësit dhe të jetë në gjendje që së bashku me mësimdhënësit të zhvillojë një plan-program për zhvillim profesional me bazë në shkollë. Pa qenë ekspert lëndorë, udhëheqësit e shkollave në vende tjera kanë mësuar të mentorojnë mësimdhënësit dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre gjatë procesit. Tani kjo pritet nga udhëheqësit e shkollave tona.

Disa nga qëllimet kyçe janë edhe këto:

  • të kuptuarit e aspekteve kryesore të menaxhimit dhe zhvillimit profesional të personelit,
  • të kuptuarit e koncepteve dhe parimeve të praktikës për trajnim/mentorim të mësimdhënësve,
  • njohuritë e burimeve që posedon shkolla për të mbështetur programin e nxënësve me nevoja të veçanta,
  • njohja e potencialit për teknologji si faktor në zhvillimin e kompetencave të nxënësve,
  • të kuptuarit e nivelit themelor të etikës dhe rolin që etika luan në udhëheqje dhe në marrëdhënie.

Sugjerim për një shkollë më të mirë

Për të pasur një shkollë më të mirë, përveç financave dhe vullnetit politik një faktor i rëndësishëm është edhe vizioni dhe përkushtimi i drejtuesve, mësuesve, prindërve dhe fëmijëve. Shkolla jonë sot përballet me shumë sfida dhe një prej tyre që duhet përmirësuar është edhe disiplina në shkollë. Shkolla e duhur e shikon disiplinën pozitive si një mjet që i ndihmon nxënësit e saj të jenë të suksesshëm dhe të pranueshëm në shoqëri.

Disiplina pozitive është qasje që promovon sjelljen e mirë duke u fokusuar në zhvillimin përgjithshëm të fëmijëve. Fëmijët kanë nevojë për drejtim, edhe kur ata gabojnë nuk duhen poshtëruar, por gabimi duhet parë edhe si oportunitet nga i cili ata nxjerrin mësime.

Nëpërmjet modelit, drejtimit, instruksioneve praktike, mbështetjes, fëmijët fitojnë aftësi dhe vlera që promovojnë sjelljen e mirë, besimin, respektin për veten si dhe karakterin. Një shkollë e mirë i ndihmon nxënësit e saj të zhvillojnë disiplinën, duke i edukuar të zbatojnë rregullat, duke i instruktuar se si të sillen si dhe duke i mbështetur për tu përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme. Nëse kjo disiplinë zbatohet atëherë do të promovohen aftësitë sociale, etika, komunikimi, por dhe rritet cilësia e nxënësve dhe studentëve. Për më tepër një shkollë e tillë i inspiron fëmijët të jenë të vullnetshëm dhe i bënë ata të kuptojnë që të arrish qëllimet duhet të punosh fort. Për të zhvilluar disiplinën pozitive ka disa mënyra dhe rrugë.

Në opinionin tim figura e mësuesit dhe të fituarit e respektit nga nxënësit e tij/saj, është një faktor i rëndësishëm si dhe një mënyrë e duhur për të promovuar dhe implementuar disiplinën pozitive. Një mësuese që fiton respektin e çdo nxënësi në klasë e ka dhe me të lehtë mësimdhënien, duke i drejtuar fëmijët drejt një të ardhme të suksesshme. Çfarë duhet të bëjë një mësuese që të fitojë respektin e nxënësve?

Një mësues që të fiton respektin e nxënësve të tij duhet të ketë integritet, etikë, të jetë i qeshur, i sinqertë, i përgatitur për orën e mësimit por dhe i veshur si duhet për një edukator që pritet të edukojë. Fëmijët marrin nga sjellja e mësueses si dhe sjellja e saj reflektohet te nxënësit e klasës së saj.

Vendosja e rregullave dhe mësimi te disiplina është një element shumë i rëndësishëm. Nëse mësuesja thotë një gjë dhe nuk e përmbush dhe nuk mban fjalën kjo do zhbënte ndjeshëm respektin e nxënësve ndaj saj. Të qenët i drejtë, i besueshëm, të mbash fjalën, kanë një rol të rëndësishëm për të fituar respektin e nxënësve. Asnjëherë nuk duhet të bëhesh palë me nxënësit. Sigurisht një marrëdhënie e mirë është e rëndësishme, por mësuesja duhet të ketë autoritetin dhe nuk mund të ketë marrëdhënie me nxënësit siç ata, pra nxënësit kanë me njëri-tjetrin. Po ashtu nuk mund të sillesh sikur je prindi apo shefi apo të bëhesh shokë me ndonjërin prej nxënësve, por gjithmonë duhet të marrësh rolin e mësueses. Në sytë e tyre duhet të jesh mësuesja që respekton çdo fëmijë si qenie unike dhe e trajton me dinjitet dhe respekt.

Respekti reciprok është primar. Nëse respekton nxënësit është e sigurt se do të respektojnë edhe ata, kjo do bënte shkollën dhe klasën, vendin ku fëmijët vijnë më kënaqësi. Mësuesit që janë të prerë dhe të drejtë në klasë zakonisht janë të respektuar nga nxënësit e tyre – në ambientet e klasës apo shkollës fëmijët duhet të ndiejnë atmosferën demokratike. Kjo nënkupton që opinionet e tyre vlerësohen dhe merren parasysh. Në çdo aktivitet që bënë në klasë kërko ide nga nxënësit. Ata ndoshta kanë ide dhe mendime për të bërë aktivitetin më mirë. Fëmijët janë shumë të ndryshëm dhe kane interesa të ndryshme, informacione të ndryshme dhe kjo do ndihmonte për një aktivitet apo dhe mësim më të mirë.

Është shumë e rëndësishme të gjesh pak kohë për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Kjo do të rriste respektin ndaj mësueses, por dhe ndihmon mësuesen të zbulojë anët e dobëta dhe të forta të çdo fëmije dhe kështu do të fitosh më shumë respekt. Pavarësisht moshës së fëmijëve të gjithë kanë nevojë për pak humor dhe kënaqësi dhe kur kjo është prezentë në mësim dhe e ndërthur në mënyrë të drejtë me mësimin, mësimi është me efektiv.

Mësimi ndryshe ndonjëherë, një mësim nëpërmjet lojës, apo veprimtarive praktike etj.. është më i pëlqyeshëm për fëmijët. Mësuesja nuk mund të ndryshojë kurrikulën apo përmbajtjen e lëndës, por mësimin nuk e ndalon njeri ta bëjë sa më atraktiv dhe të kuptueshëm për klasën. Një mësim në mënyra të ndryshme stimulon mësimnxënien dhe shton respektin për mësuesen.[2]

Roli i mësimdhënësit

Arsimtari ose mësimdhënësi është faktor subjektiv me rëndësi në punën mësimore, i cili, me aftësinë e tij profesionale dhe përgatitje didaktike-metodike, planifikon, organizon dhe realizon tërë punën mësimore me nxënës dhe mundëson krijimin e kushteve elementare për kryerjen e suksesshme të punës mësimore. Ai duhet të jetë ekspert i kualifikuar i cili e organizon procesin e mësimdhënies dhe të mësuarit e nxënësve, si dhe procesin e mësimit me tërë etapat, prej planifikimit e deri te vlerësimi i suksesit të vet dhe të nxënësve. Edhe pse plan programet mësimore zyrtare përcaktojnë ekstensitetin dhe intensitetin e lëndëve mësimore, përsëri arsimtarit i mbetet edhe shumë punë lidhur me kompetentet si pedagogjike, didaktike, metodike, psikologjike, sociale etj. Për të organizuar dhe realizuar me efikasitet mësim-dhënien dhe të mësuarit, arsimtari duhet të zgjedhë përmbajtjen mësimore nga kurrikulumi zyrtar, përkatësisht të bëjë shkoqitjen dhe planifikimin origjinal të përmbajtjes në bashkëpunim me nxënësit, pastaj të organizojë dhe të realizojë sipas etapave mësimore deri te vlerësimi i suksesit.

Posaçërisht mësimi bashkëkohorë kërkon që arsimtari mësimdhënien dhe të mësuarit ta planifikojë dhe ta realizojë si proces interaktiv. Prandaj, për të arritur sukses në mësim  arsimtari medoemos duhet të ketë raport aktiv si ndaj përmbajtjes, ashtu dhe ndaj nxënësve dhe të komponentëve mësimore.

Roli i një mësuesi ndryshon në varësi të klasës ku jep mësim. Roli i një mësuesi në kopshtin e fëmijëve përfshin zhvillimin e shkathtësive që janë të nevojshme për të shkëlqyer dhe për të përparuar në vitin e ardhshëm. Ndërsa roli i një mësuesi në klasat e mesme përfshin dhënien e informacioneve specifike për një temë të caktuar.

Mësuesit tregonin se çfarë të mësonin dhe se si të mësonin. Pritet që të përdorin të njëjtat metoda për të gjithë nxënësit. Në botën e sotme të arsimit, roli i një mësuesi është i shumanshëm. Detyra e tyre është të këshillojë nxënësit, t’i ndihmojë ata të mësojnë se si të përdorin njohuritë e tyre dhe ta integrojnë atë në jetën e tyre, në mënyrë që ata të jenë anëtarë të vlefshëm të shoqërisë. Mësimdhënësit inkurajohen të përshtaten me secilin nxënës dhe të përpiqen t’i sfidojnë dhe t’i frymëzojnë ata për të mësuar.[3]

Detyrat e mësimdhënësve

Mësimdhënësit e shkollave fillore zakonisht bëjnë:

  • Planin për temat që mësojnë në lëndë të ndryshme.
  • Mësoni të gjitha grupet, ose grupet e vogla, mësimet që ata kanë përgatitur.
  • Vlerëson dhe rivlerëson aftësitë e nxënësve (pikat e forta dhe dobësitë).
  • Përgatitin nxënësit për teste të standardizuara.
  • Komunikojnë progresin e nxënësve me prindërit.
  • Zhvillimin dhe zbatimin e rregullave të klasës.
  • Mbikëqyrin nxënësit gjatë aktiviteteve jashtëshkollore (drekë, shesh lojërash etj.).
  • Kryerje të aktiviteteve në klasë.
  • Ekskursione në terren.

Roli pedagogjik reflekton në disa drejtime: Përgadit të rinjt për ardhmëri, të rinjt i fut në jetë dhe botën e të rriturve, të rinjt i aftëson për profesione të caktuara.[4]

Udhëheqja e shkollës dhe sfidat e zhvillimit të saj

Të kuptojmë rolin e udhëheqjes

Kalimi nga sistemi monist në sistemin demokratik solli shumë ndryshime. Këto dy dekadat e fundit karakterizohen me ndryshime rrënjësore. Ndryshimet te ne janë definuar si ndryshime të paradigmave të vjetra me ato të rejat. Ndryshimet reflektuan në ndryshime në të gjitha fushat e jetës, përfshi edhe shkollën dhe arsimin në përgjithësi.

Shkolla nuk përbëhet vetëm nga nxënësit, arsimtarët dhe personeli tjetër administrative teknikë. Me nocionin shkollë rregullisht kuptohen edhe aspektet fizike: oborri i shkollës, ndërtesa shkollore me mure të fiksuara, klasat, kabinetet, mësonjëtoret e specializuara, korridoret, dritaret, dritat, ngrohja qendrore ose stufat, bankat, karriget, dërrasa e zezë, shkumësi, librat, mjetet mësimore, pajisjet, kompjuterët, salla për edukatë fizike, objekte sportive e të ngjashme.

Udhëheqja i përfshinë të gjitha këto elemente.

Janë evidente ndryshimet në pozitën dhe statusin e shkollës, pozitën shoqërore të saj, funksionin pedagogjik e shoqëror që kryen. Këto si pasojë sollën ndryshime:

  • në udhëheqje;
  • në strukturën organizative;
  • në kurrikulë;
  • në klimën pedagogjike dhe
  • kulturën shkollore.

Në kontekstin e sfidave shkolla u gjend para paradigmave të reja dhe vlerave të reja të punës, të sjelljes, të fizionomisë, të udhëheqjes, të komunikimit, të organizimit si dhe të funksionimit të udhëheqësit si “violinë e parë” Risitë dhe ndryshimet imponuan domosdoshmërinë që në planin e udhëheqjes me shkollën dhe organizimin e saj të futen ndryshime të cilat janë të orientuara kah ardhmëria, duke mos i nënvlerësuar përvojat pozitive nga e kaluara, por transformimin e tyre duke ndërtuar vizion të ri. Zhvillimi i shkollës, afirmimi i saj si institucion edukimi dhe zhvillimi, reformimi dhe ndryshimi në të mirë të avancimit varet, sipas mendimit tonë, nga shumë faktorë, që këtu i veçojmë tre:

  • udhëheqja,
  • komunikimi dhe
  • organizimi

Pikërisht këto tre faktor fokusohen në studimin tonë” Udhëheqja e shkollës si proces zhvillimi”, të cilët dalin si rrjedhojë e proceseve praktike për zhvillimin e saj si institucion arsimor. Aftësimi për të udhëhequr, komunikuar dhe organizuar jetën në shkollë është thelbësore për zhvillimin dhe përparimin e saj.[5]

Udhëheqja dhe udhëheqësi si faktor zhvillimi të shkollës

Për udhëheqësin kanë shumë rëndësi marrëdhëniet ndërpersonale, ku kërkohen rrugë të reja për të kapërcyer ndarjen apo hendekun me të tjerët, për të dal jashtë stereotipeve dhe për të respektuar të tjerët siç duhet.

Udhëheqësi është i aftë të “lëvizë” midis kulturave dhe mentaliteteve të ndryshme, të hyjë në sistemet e besimit dhe stilet kulturore të të tjerëve.

Udhëheqësi bashkëkohor paraqet një model të një organizatori të mirëfilltë siç është shkolla, i cili mëson vazhdimisht dhe ka aftësi të shoh tendencat dhe daljen e modeleve të reja.

Termi udhëheqës në mjaft raste identifikohet me termin administrim, liderizëm, drejtues i shkollës, qeverisja e shkollës. Keto terma janë përdorur nga autor të ndryshëm në varësi të nevojave dhe qëllimeve të tyre.Ky term përdoret edhe sot për t’iu referuar nivelit më të lartë të udhëheqjes, i cili percakton synimet dhe politikat për funksionimin e shkollës. Duhet theksuar se udhëheqësi nuk është një talent që lind bashkë me njeriun, por një mjeshtri që mësohet.

Theksimi i udhëheqjes, komunikimit dhe organizimit të shkollës, do të ndihmojë në orientimin e reformës së brendshme të saj drejt objektivave të zhvillimit.

Cili do të ishte roli pozitiv, esencial i udhëheqjes së shkollës? Nganjëherë mendohet se udhëheqja është vetëm bartëse e aktiviteteve të shkollës. Mendojmë se rruga e rritjes dhe e zhvillimit të shkollës mbështetet në udhëheqjen cilësore dhe efikase. Udhëheqja është një forcë e cila lëvizë jo gjithnjë në një vijë të drejtë, por ka peripeci, kthesa, suksese dhe të meta. Megjithatë, udhëheqja është proces zhvillimor i shkollës.

Teorikisht, ndryshimi real dhe i qëndrueshëm i shkollës është i mundshëm me udhëheqjen cilësore, efektive dhe të organizuar. Prandaj është e arsyeshme dhe e domosdoshme që rregullat e lojës të mbështeten në këto tre elemente për të siguruar marrëdhënie të mira mes partnerëve të shkollës dhe kaheve zhvillimore të saj duke iniciuar:

  • Platformë zhvillimore;
  • Strategji zhvillimore;
  • Plane dhe programe zhvillimore;
  • Politikë zhvillimore;

Në këtë rrugë udhëheqja bëhet art, mjeshtri, veprim sipas ligjeve të arkitekturës.

Udhëheqësi bëhet arkitekt i zhvillimit të shkollës.[6]

Hapat e udhëheqjes

Pasi pranohet roli dhe funksioni i udhëheqjes së shkollës, udhëheqësi duhet të shqyrton tre aspektet themelore të udhëheqjes me shkollën:

  • Analiza e gjendjes së shkollës;
  • Dizajnimi i punës në shkollë dhe
  • Resurset njerëzore (profilet arsimore, personeli administrativ-teknik, shërbimet profesionale).

Për të qenë më konkret, po paraqesim më poshtë, në vijat më të përgjithshme një skicë prej 9 hapash në të cilat mund të përqendrohet puna e udhëheqësit të shkollës.

  • Hapi 1: Parashtrimi i qëllimit të udhëheqjes (ndërtimi i filozofisë së udhëheqjes);
  • Hapi 2: Ridizejnimi i punës në shkollë;
  • Hapi 3: Caktimi i koncepcionit;
  • Hapi 4: Struktura organizative e veprimit të shkollës;
  • Hapi 5: Planifikimi i resurseve njerëzore;
  • Hapi 6: Kontrolli i veprimeve dhe vlerësimi i punës;
  • Hapi 7: Pasqyrimi i interesave të shkollës dhe të punësuarve (arsimimi, kualifikimi, zhvillimi);
  • Hapi 8: Strategjia zhvillimore e shkollës (rrugët e qarta për zhvillimin ardhshëm);
  • Hapi 9: Parashikimi për të ardhmen e shkollës.

Këto hapa nuk duhet kuptuar si një kod rregullash të ngurta mbi sjelljen e udhëheqësit në shkollë. Ato duhet kuptuar si mekanizëm pedagogjik të domosdoshëm për udhëheqjen cilësore dhe efikase të shkollës. Ato e kanalizojnë veprimin e udhëheqësit në linja të caktuara sipas të cilave rrjedhë procesi i zhvillimit të shkollës.

Në punimin e tij “Probleme të punës mësimore – edukative…”, autori J. Aliçkaj flet për komponentë që duhet t’i respekton çdo udhëheqës i shkollës. Sipas tij ato janë:

  1. Evidentimi i arritjeve, problemeve, vlerësimi i situatës;
  2. Përcaktimi i objektivave;
  3. Përcaktimi i veprimtarive;
  4. Përcaktimi i treguesve të matshëm
  5. Identifikimi i burimeve njerëzore e materiale;
  6. Hartimi i një plani zbatimi;
  7. Realizimi i veprimtarive në përputhje me planifikimin e bërë;
  8. Vlerësimi.[7]

Roli i udhëheqësit në implementimin kurrikulës

Një nga detyrat e udhëheqësit të shkollës, e cila ndikon drejtpërdrejt në edukimin cilësor dhe në shkollën e mirë, është mbështetja e vazhdueshme e mësimdhënësve dhe faktorëve të tjerë relevantë të shkollës në zbatimin e dokumenteve strategjike, siç janë: Kurrikula, Planet dhe Programet mësimore dhe Standardet e vlerësimit me bazë në shkollë. Udhëheqësi duhet t’i informojë mësimdhënësit dhe të tjerët me ndryshimet e vazhdueshme që kanë të bëjnë me shkollën dhe me procesin mësimor, duhet t’i bëjë ata pjesë të ndryshimeve dhe duhet po ashtu edhe t’i mbështesë në zbatimin e tyre. Format për t’i përkrahur dhe mbështetur mësimdhënësit janë të shumta, si: përmes punëtorive me bazë në shkollë, përmes konsultimeve të vazhdueshme, përmes mentorimit të mësimdhënësve nga drejtori i shkollës dhe përmes bashkëpunimit ndërmjet vetë mësimdhënësve.

Roli i udhëheqësit në këtë drejtim është në krijimin e konceptit të përbashkët për kurrikulën, Standardet, Planet dhe Programet mësimore, planifikimin shkollor e mësimor dhe vlerësimin.

Sa i përket kurrikulës, fokusi i udhëheqësit dhe mësimdhënësve duhet të jetë arritja e kompetencave mësimore, të cilat janë:

  • Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit
  • Kompetenca e të menduarit
  • Kompetenca e të mësuarit
  • Kompetenca për jetë, për punë dhe punë dhe për mjedis
  • Kompetenca personale dhe
  • Kompetenca qytetare

Po ashtu, detyrë e udhëheqësit të shkollës është që t’i mobilizojë të gjithë mësimdhënësit që puna e tyre të mbështetet në parimet në vijim:

  • Gjithëpërfshirja
  • Zhvillimi i kompetencave
  • Mësimdhënia dhe të nxënit e integruar dhe koherent
  • Autonomia dhe fleksibiliteti në nivel shkolle
  • Përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Sa i përket vlerësimit, udhëheqësi i shkollës duhet t’u sigurojë të gjithë mësimdhënësve kurse trajnimi me bazë në shkollë, duke dhënë edhe ai vetë kontributin për çështjet me rëndësi që duhet vlerësuar dhe për mënyrën se si duhet bërë një gjë e tillë. Me rëndësi qenësore sa i përket vlerësimit është të kuptuarit dhe zbatimi i formave kryesore të vlerësimit, të grupuara në vlerësimin formativ dhe sumativ.[8]

Konkluzion

Duke marrë për bazë se çdo punë duhet të planifikohet, mund të themi se në këtë kontekst planifikimi strategjik zë një vend shumë të rëndësishëm në punën e shkollës dhe në krijimin e bazës për përparimin e procesit edukativ-arsimor. Planifikimin strategjik e përbëjnë shumë elemente, shumë komponentë dhe  shumë  mënyra  dhe  parime. Në këtë punim theksi është vënë në detajizimin e hapave kryesorë nëpër të cilët kalon dhe duhet të kalojë procesi i planifikimit strategjik nëse duam që ai të jetë real dhe të jetë në funksion të punëve edukative-arsimore që parashihen të punohen në një periudhë afatgjatë.

Vetëm me planifikim real, modern, konkret, selektiv dhe integrues strategjik mund të themi se drejtuesit e shkollës janë vizionarë të mirë, janë parashikues dhe planifikues bashkë-kohorë që e trasojnë rrugën në mënyrën më të mirë. Kuptohet, në procesin e planifikimit dhe në të gjithë hapat e tij është shumë me rëndësi bashkëpunimi i drejtorit me ekipin planifikues, sepse në këtë mënyrë jo vetëm se plotësohen idetë, por ato do të jenë edhe më kualitative, kurse zgjidhjet që do të propozohen në planin afatgjatë strategjik do të jenë edhe më të realizueshme edhe më efektive.

 

[1] Malik, Fredmund (2001): Führen, Leisten, Leben

[2] Murati Rabije, 2019,  Demokracia në shkollë, Tetovë. Luma grafik

[3] https://www.portalishkollor.al/argetim/roli-i-mesusit-funksionet-dhe-detyrat 27.12.2023, 13:15

[4] Pr. Dr. Murati Xheladin – “Pedagogji e përgjithshme” Shkup 2004

[5] Prof. Dr. Murati Xheladin & Prof. Dr. Murati Rabije “Udhëheqja e shkollës si proces zhvillimi” Shkup 2017

[6] Prof. Dr. Murati Xheladin & Prof. Dr. Murati Rabije “Udhëheqja e shkollës si proces zhvillimi” Shkup 2017

[7] Prof. Dr. Murati Xheladin & Prof. Dr. Murati Rabije “Udhëheqja e shkollës si proces zhvillimi” Shkup 2017

[8] https://ipkmasht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/12/Zhvillimi-i-udheheqjes-arsimore-NSO.pdf  01.02.2023, 20:15

 

Shqipe Memeti, cikli i dytë – master, Fakulteti Pedagogjik, drejtimi Arsimi elementar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *