Punëtorët e RTV Preshevës porosi për udhëheqësit komunal: Vetëdisohuni sa nuk është vonë

983

Qytetarët e shumtë në Luginë të Preshevës (ata që janë gjallë) edhe sot e kujtojnë kohën, fillim vitin 2001, kur për herë të parë filloi programin e saj Radio Presheva, dritarja e parë në gjuhën shqipe në këto vise. Të gjithë shprehnin gëzimin e tyre në forma të ndryshme, këtë e deklaronin vetë ata kudo që i takonim. Dhe kishin plotësisht të drejtë, sepse për herë të parë në historinë e shqiptarëve të këtyre viseve do të nisnin të merrnin informacione nga më të ndryshmet, nga dora e parë dhe në kohë reale.
Këtë hap të madh, në fushën e informimit, për shqiptarët e këtij nënqielli, pos popullatës e mirëpritën edhe të gjitha subjektet politike të asaj kohe, shoqëria civile dhe të gjitha institucionet. Por, asnjëri nga ta për asnjë moment nuk e kishte menduar se pas një periudhe kohore do të vijë në pushtetin e Preshevës një garniturë politike e cila nuk do të zgjedh mjete për t’ia arritur qëllimit për mbylljen e dritares së parë informative shqipe në Luginë.
Ndërkohë që Radio Presheva punonte në kushte jo fort të mira, për shkak të mungesës së hapësirave adekuate si dhe stafit, drejtuesit e saj si dhe politika preshevare me angazhimin e vazhdueshëm për përmirësimin e kushteve arritën që në muajt e fundit të 2002-ës të transformojnë Radio Preshevën në RADIOTELEVIZIONI PRESHEVA. Tani më Presheva, por jo vetëm ajo, u bënë edhe me Televizion.
Që nga themelimi e deri para pak kohësh në RTV PRESHEVA u punua me përkushtim dhe profesionalizëm duke promovuar vlera dhe duke realizuar: LAJME, DEBATE TELEVIZIVE, PROGRAME NATE, PROGRAME PARADITE NË RADIO DHE TV, PËRCJELLJE TË TË GJITHA FUSHATAVE PARAZGJEDHORE, ZGJEDHJE, EMISIONE DOKUMENTARE, REPORTAZHE VENDBANIMESH, REPORTAZHE ME SHQIPTARËT NË DIASPORË, EMISIONE SHËNDETËSORE, ARSIMORE, KULTURORE, SPORTIVE, FETARE, EMISIONE PËR SHOQËRINË CIVILE, PROJEKTE TË NDRYSHME, KUIZE, PËRCJELLJEN E TË GJITHA AKTIVITETEVE QË LIDHESHIN ME USHTRINË E UÇPMB-së, …
Gjatë tërë periudhës kohore, që nga themelimi e deri në fund të 2017-ës subjektet politike, udhëheqëse të pushtetit lokal në Preshevë, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare si dhe partitë tjera, financuan RTV PRESHEVA-në edhe në kohërat më të vështira.
Tani pas gati 19 vitesh punë ky medium po përballet me sfidën më të vështirë që nga themelimi, si pasojë e mosgatishmërisë së pushtetit të tanishëm për ta financuar ate. Me ardhjen në pushtet të koalicionit APN-LR-SNS RTV PRESHEVA po shkon drejt mbylljes, drejt zhdukjes së dritares së parë informative në Luginë të Preshevës, drejt humbjes së vendeve të punës të punëtorëve që janë aty, ani pse NDRYSH(K)IMI dhe SHPRESA E RE premtonin vende të reja të punës për qytetarët.
Atëherë kur më së shumti qytetarëve të Luginës i nevojitej informimi më i freskët dhe më i shpejtë, rreth idesë së bashkimit të Luginës me Republikën e Kosovës, kërkesë e shqiptarëve të këtushëm tani gati më tri dekada, nevojës për emisione edukative e arsimore, për të ruajtur identitetin dhe kulturën kombëtare, qytetarëve u servohet perspektivë e zymtë.
Ardhja në skenën politike të APN-së dhe më vonë edhe në pushtetin lokal tek qytetarët në Preshevë shihej si shpëtim nga e kaluara, besonin në premtimin “PO VJEN NDRYSHIMI” për të mirën dhe avancimin e qytetarëve.
Vallë a është NDRYSHIM apo NDRYSHKIM mbyllja e medias, fjalës së lirë.
Edhe pse Kryetari i kësaj partie dhe aktualisht Kryetar i Komunës së Preshevës, në të gjitha paraqitjet e tija publike, qofshin ato në seanca kuvendore, konferenca për media apo edhe në emisione televizive, ka GËNJYER dhe SHPIFUR për RTV PRESHEVA se gjoja ky medium plason “fake news”-e e që realisht ai as që ia ka haberë se çka është lajmi i vërtetë e çka jo por kështu i thonë “ekspertat” që i sillen përreth për një lëmosh.
Se a është lajmi i dhënë në RTV PRESHEVA i saktë apo jo këtë më së miri e dijnë ata që për plotë gati 19 vite e kanë përcjellë funksionimin e saj dhe assesi nuk mund ta dijë dikush që as nuk e din se sa është punuar aty e aq më pak dikush që nuk e kupton as gjuhën në të cilën prodhon program ky medium.
Hiç më pak në këtë të keqe nuk mungon as angazhimi i Kryetarit të LR dhe aktualisht Kryetarit të Kuvendit të Preshevës, i cili në fushatën parazgjedhore ftonte popullatën që ta votonin ate dhe subjektin e tij sepse ata do të jenë SHPRESA E RE.
Tani shtrohet pyetja: me SHPRESË TË RE ka nënkuptuar përmirësimin e gjendjes së qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës apo ka nënkuptuar SHKATËRRIMIN e gjithçkaje të ndërtuar deri atëherë e MBYLLJEN e vendeve të punës dhe lënien e të punësuarëve në RTV PRESHEVA dhe familjarëve të tyre pa të ardhura.
Bile, bile, ky dhe shumica e “kolegëve” të tij në partinë të cilën drejton kanë qenë pjesë e strukturave të PDSH-së kur u themelua RTV PRESHEVA, të cilët edhe kanë votuar themelimin e saj.
Disa nga ta ishin edhe drejtues të organeve të këtij mediumi deri para afro dy viteve, si Drejtor, Sekretar, Kryeredaktor, Gazetar, Teknik,… ndërsa tani ose pajtohen me deklarimet (gënjeshtrat dhe shpifjet) e partnerit të koaloicionit ose vetë deklarojnë se “TVP” qenka mediium që plason “fake news” dhe punojnë në mbylljen e këtij mediumi. Megjithate ne i kuptojmë, për t’i ruajtur vendet e tyre të punës, për të mbrojtur karriget e tyre duhet t’i nënshtrohen të parit të Komunës.
Para se të përfundojmë këtë shkrim:

  • shumë mund dhe sakrificë nevojitet që të bësh diçka të mirë për qytetarët, ndërsa shumë e lehtë është të mbyllësh vende pune dhe institucione që kanë vlerë aq të madhe për këta qytetarë, që ju asnjëherë nuk jeni të aftë ta kuptoni,
  • mos harroni se qytetarëve u keni kërkuar vota për NDRYSHIM dhe SHPRESË TË RE ndërsa po ua ktheni me SHKATËRRIM, MBYLLJE INSTITUCIONESH, MBYLLJE TË VENDEVE TË PUNËS,
  • ne dhe familjet tona ndoshta edhe mund t’ua falim këtë që po bëni për ne, por HISTORIA E LUGINËS do t’ju evidentoj si armiq të informimit shqip,
  • TVP ka qenë dhe do të mbetet e të gjithë qytetarëve dhe JO E KRYETARËVE.
    Me shpresë se më në fund, pra në 2020 do të vetëdijësoheni dhe do të veproni konform premtimeve tuaja dhe në të mirën e qytetarit e jo të individëve, po e mbyllim me kaq.
    Nëse, në të kundërtën, nuk vetëdijësoheni do të komunikojmë edhe mëtej në këtë form, sepse edhe ashtu asnjëherë nuk iu keni përgjigjur kërkesave tona për debate publike, për t’ua sqaruar opinionit të vërtetën rreth RTV PRESHEVA.

Preshevë, më 14 janar 2020

STAFI I RTV PRESHEVA




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *