Promovohet libri “Demografia e Kosovës” nga Hivzi Islami, akademikët e vlerësojnë si vepër kolosale

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës”, nga autori Hivzi Islami.

Ky libër është vlerësuar lart nga akademikët, ndërsa është cilësuar si punë kolosale e autorit në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen, trendët, faktorët që nxisin ndryshimet demografike të popullsisë.

Anëtarja e ASHAK-ut, Justina Shiroka-Pula, tha se autori Hivzi Islami në librin “Demografia e Kosovës, evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspacioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, me qasje shkencore, moderne dhe profesionale të bazuara në burimet relevante të kohës dhe fushës, ka sjellë risi në fushën e demografisë, ndërsa falënderoi filantropin Lazim Destani për financimin e këtij botimi, transmeton “Zeri.info”.

“Akademik Islami me profesionalizmin e tij teorik, shkencor dhe përvojën praktike në këtë fushë ka bërë një punë kolosale në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen, trendët, faktorët që nxisin ato dhe perspektiven e rrjedhës së këtyre proceseve. Prandaj edhe në këtë libër ai sjell risi. Njëkohësisht dëshiroj të falënderoj filantropin Lulëzim Destanin nga Tetova, i cili financoi librin ‘Demografia e Kosovës’”, tha Shiroka-Pula.
Po ashtu edhe akademiku Anton Berisha tha se autori ka bërë një punë të madhe në fushën e demografisë.

“Autori i librit Hivzi Islami ka bërë një punë të madhe në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rrjedhavedemografike që lidhen me gjendjen, trendët, ndryshimet, faktorët që i nxisin ato dhe perspektiven e rrjedhjes së këtyre proceseve në Kosovë”, tha Berisha.

Berisha po ashtu tha se në këtë libër autori me një aparaturë shkencore, moderne, qasje profesionale e të bazuar në burime më relevante të kohës dhe fushës, përthekon komponentët substanciale të rrjedhave demografike të vendit.

“Libri del të jetë aq i kompletuar, saqë e bën të dobishëm jo vetëm për studiuesit, por edhe shumë të dobishëm në kompletimin e njohjeve që lidhen me historikun e lëvizjes së popullsisë dhe gjendjen aktuale”, tha Berisha.

Librin e vlerësoi lart edhe kreu i LDK-së dhe akademik Isa Mustafa, i cili ishte i pranishëm në këtë provim.

“E kam vlerësuar lart përmbajtjen, bazueshmërinë shkencore dhe historike, metodologjinë e përdorur dhe kronologjinë e konkludimeve të këtij botimi. Botimi ‘Demografia e Kosovës’ prezanton aspekte shumëdimensionale të studimit të popullsisë, ndërlidhur me ekonominë dhe zhvillimin, duke trajtuar këtë edhe në rrafshin botëror, nga aspekti i qasjes së OKB-së, por edhe nga aspekti i tranzicionit demografik në Evropë”.

Mustafa theksoi se vepra e Hivzi Islamit është një vepër që meriton të lexohet dhe studiohet nga njerëzit që punojnë në institucionet tona shtetërore, edukative-arsimore.

“Kjo vepër voluminoze është një vlerë e shtuar në vargun e veprave dhe studimeve shoqërore fundamentale të akademisë tonë. Është një vepër që meriton të lexohet dhe studiohet nga njerëzit që punojnë në institucionet tona shtetërore, edukative-arsimore, vepër që si pasuri duhet të gjejë vend në bibliotekat tona për të pasuruar dijen dhe freskuar njohuritë tona”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se libri “Demografia e Kosovës” është një vepër kolosale e shkruar nga studiuesi i palodhshëm Ismajli, në një vëllim prej 898 faqeve.

Mustafa në fund ka përgëzuar akademikun Hivzi Islami.

Ndërsa, Pranvera Kasami nga kompania “Ecolog” ka folur në emër të filantropit Lazim Destani, e cila ka përcjellë vlerësimet më të larta të filantropit në lidhje me këtë vepër.
“Më lejoni që shkurtimisht t’ju drejtohem dhe t’jua përcjell të falat e përzemërta në emër të Lazim Destanit, i cili fatkeqësisht edhe përkundër dëshirës që të jetë prezent për ta nderuar këtë vepër të çmueshme, nuk arriti, sepse nuk gjendet fizikisht në rajonin tonë, por nuk kishte si të mbetej i painteresuar për këtë vepër kaq të çmueshme. Një vepër e tillë nuk kishte si të mos çmohet lart edhe nga filantropët, në këtë rast zotëri Lazim Destani dhe ne si mbështetës pritëm me padurim që të dalë në dritë kjo vepër, që do t’i shërbejë jo vetëm gjeneratës së tanishme, por edhe studiuesve, hulumtuesve nga vendi dhe jashtë”, ka thënë Kasami. /Zëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *