Profesoresha nga Bujanoci, Lindita Sejdiu – Rugova në katër rrëfime

232

12631274_1217824088232101_7113231029409080362_nNë secilin punim shkencor të botuar brenda dhe jashtë vendit, ajo ka dëshmuar njohje të mirë të shkollave dhe metodave bashkëkohore të kërkimit, shkathtësi shkrimi dhe analize, pa pretendimin për t’u vënë pika çështjeve të diskutuara. Gjurmët janë të dukshme që tani

1. Shfaqja

Në njërin nga Seminaret Ndërkombëtare për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, diku rreth 10 vjet më parë, përderisa po bëhej hapja solemne, ajo ishte në cilësinë e sekretares profesionale dhe moderueses së ceremonisë së  këtij seminari. I shkonte radhazi shfletimit të programit, duke i shpalosur një nga një vlerat historike dhe shkencore të këtij evenimenti të veçantë, në shqip dhe anglisht.

Mënyra e komunikimit me audiencën nuk të linte përshtypjen vetëm të një moderatoreje, sidomos me seminaristë ndërkombëtarë, albanologë nga e gjithë bota. I njihte në detaje për fushat, publikimet, por edhe  specializimet e tyre. Po edhe e njihnin. Ajo ishte pikë referimi për çdo udhëzim, sqarim që e kërkonte nevoja në çdo çast.

Posa e përmbylli ceremoninë e hapjes, të parët që e përgëzuan ishin profesorët Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Idriz Ajeti etj.

Ajo, me një modesti prej ish-studenteje të zellshme dhe plot mirënjohje, shkëlqimin ua adresonte pedagogëve të saj.

Miq dhe studentë të degës e shihnim me admirim se si fliste me kompetencë, se si plot skofiaritet pranonte pyetje dhe jepte përgjigje të thjeshta ndaj secilit prej seminaristëve ndërkombëtarë.

Për ne, studentë të Filologjisë, ishte hera e parë që shihnim një femër jo aq të njohur me retorikën e një tribuni të vërtetë. Atëherë duhet të ketë qenë asistente. Përveç që kishte rolin e nikoqires së seminarit, po ashtu ishte pjesë edhe e referimeve në fushën e gjuhësisë. Gjatë leximit të kumtesës, u pa se nuk ishte ndër ata të rinj pretenciozë që shtronin temë-dilema sa për lexim formal, por një reflektim kritik për çështjet që shumë herë janë diskutuar në atë amfiteatër dhe përtej tij.

Pasoi debati. Se kush i jepte të drejtë vetes ta gjykonte. Siç u kuptua më vonë, kjo nuk ishte hera e parë që diskutimet e saj nxisnin debate, që zgjonin kureshtjen e albanologëve shqiptarë dhe të huaj, sidomos të atyre që merreshin me gjuhësinë moderne.

Madje, njëri prej pedagogëve të saj evokoi një momentum se çka është me dashtë, me ditë dhe me guxue. Në një tribunë shkencore që ishte mbajtur asokohe  nga të dy akademitë, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në Tiranë,  pasi kishte marrë fjalën, kishte shtruar (hipo)tezat e saj për çështje të strukturës së shqipes së shkruar. Aty kishte të atillë që kishin reaguar, duke provuar që ta ulin diskursin shkencor. Ajo, edhe pse e re në moshë, e sigurt dhe me një guxim të pashoq, me një marker në dorë, kishte dalë para të gjithë atyre albanologëve dhe ua kishte ilustruar me shembuj (të propozuar nga vetë ata), çdo detaj për të cilin kishte dilema. Duartrokitjet nuk kishin pushuar. Gjuha e argumentit e kishte bërë të veten. Kjo ishte Lindita Sejdiu, që më vonë do t’ia shtojë vetes edhe një mbiemër tjetër: Rugova, duke i lidhur përjetësisht edhe dy topose etnike,  Bujanovcin me Pejën.

2. Biologema

Lindita Sejdiu u lind në prill të vitit 1975, në Bujanovc. Aty mbaroi shkollimin fillor dhe të mesëm. Nuk është e rastit që ishte laurate e çmimit për nxënësin më të mirë të gjeneratës. Studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi Angleze.

Po me rezultat të shkëlqyeshëm, përfundoi studimet postdiplomike dhe doktorale deri te grada shkencore Doktore e Shkencave  Filologjike.

Që prej themelimit të Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova, është femra e parë dekane që do ta drejtojë këtë institucion ikonik për Universitetin e Prishtinës.

Lindita nuk erdhi rastësisht aty ku është sot. Përveç potencës akademike, ajo për dy mandate ishte prodekane për çështje mësimore, për çfarë performanca e saj u vlerësua nga stafi akademik.  Ajo, madje është dekania që mori më së shumti vota nga të gjithë dekanët e tjerë që u zgjodhën. Ishte një pajtim ky unanim dhe një mbështetje që ajo ta drejtojë Fakultetin e Filologjisë për katër vjetet e ardhshme. “Do të përpiqem që për fakultetin tim dhe për studentët e këtij fakulteti, të siguroj kushte më të mira të punës, të sigurojmë hapësira më të mëdha për studentë dhe do të përpiqemi t’i plotësojmë ato kritere, të cilat duhet t’i ketë një Universitet bashkëkohor,” tha me rastin e përzgjedhjes.

Ditët e ardhshme do ta dëshmojnë se vërtet është bërë zgjedhja e duhur.

3. Gjuha

Ajo ka studiuar gjuhën angleze, por interesimet e mëdha i ka edhe për gjuhën shqipe. Me kërkimet e saj shkencore nga teoritë sintaksore të shqipes, për kritere të kategorizimit, kallëzuesin dhe kallëzuesorët,  përcaktorët dhe klasifikimin e tyre, pastaj në morfologji, përqasja e trajtave foljore të gjuhës angleze në gjuhën shqipe, ka prekur  dhe zbërthyer pika të ndjeshme dhe të nevojshme  të gramatikës shqipe. Së këndejmi, për t’u lëshuar në studimet tekstore të shqipes përtej fjalisë dhe periudhës; në gramatikën e tekstit, madje edhe si botim i veçantë, Hyrje në gramatikën e tekstit, i pari studim i kësaj natyre te ne.

Të gjitha studimet e saj janë të mbështetura në konceptet teorike të linguistëve me renome, si: De Beaugrande, Dressler, Dijk, Halliday, Hasan, Werlich, Bell, Levinsoni, Fleischman, Huddleston, Pullum etj., të cilët i ka sjellë, jo vetëm në studimet e veta, por edhe si frymë shkollore te studentët e saj, para të cilëve ligjëron lëndët: Morfologji, Sintaksë 1 dhe 2,  Gramatikë transformacionale, Gramatikë e tekstit, Gjuhësi kontrastive dhe Pragmatikë.

Sipas saj, kur flitet për gjuhën shqipe, si në diakroni, ashtu edhe në sinkroni, “argumentet duhet të mbështeten kryesisht në gjuhën e gjallë, në gjuhën e folur! Kjo e bën shkencën gjuhësore më të pasur dhe shqipen më atraktive si objekt studimi”.

Në secilin punim shkencor të botuar brenda dhe jashtë vendit, ajo ka dëshmuar njohje të mirë të shkollave dhe metodave bashkëkohore të kërkimit, shkathtësi shkrimi dhe analize, pa pretendimin për t’u vënë pika çështjeve të diskutuara. Gjurmët janë të dukshme që tani.

4. ‘Rilindja’

Ditën që lindi, i kishte vdekur gjyshi. Nga ajo ditë dhe një pjesë të madhe të fëmijërisë së saj e thërrisnin Rilindje. Ky emër jo vetëm që do të prodhojë kuptime, por më vonë do të përkojë edhe me  rrethana jetësore. Me një fjalë, duke pasur një dell edhe të familjes së arsimuar, ajo tashmë ishte e mbrujtur për t’u  sfiduar jo vetëm në gjuhë, por edhe në veprim.

Dhe, kështu doli.

Në një mbrëmje dhjetori të 2011-ës, atëherë kur ishte në pritje të rezultateve, që të kujton poezinë e mësuesit të saj, Besim Bokshi: Kam pritë si shkambi, si ylli skaji horizontit, në pikëllim, aty ku puthen jeta dhe vdekja (Pritja), asaj iu kumtua diagnoza e sëmundjes së rëndë.

Çaste të vështira, por e pranoi natyrshëm. Madje, pa ngarkuar askënd fliste ftohshëm dhe krejt hapur, ashtu siç bën Garbriel Garsia Marquez, Stiv Jobs, kur u diagnostifikuan po me këtë sëmundje. Siç shprehet edhe vetë në njërin nga statuset e saj virtuale, i kishte shpallur luftë kësaj sëmundje vdekjeprurëse! Dhe, vërtet kështu ndodhi. Betejë pas beteje, kur edhe kolegët e saj po shuheshin, madje po shkonin në amshim, tamam si në rolin e fortë të Penelope Cruz dhe  me empirinë personale të Angelina Jolie-t, ajo i inkurajonte ata për rezistencë psikologjike dhe fizike.

Edhe pse eci tehut të shpatës dhe tehu i briskut i ra mes për mes, me përkrahjen e familjes dhe vendosmërinë për të parë rritjen dhe suksesin e fëmijëve të saj, sot është  në krye të detyrës,  më e fortë dhe më e guximshme së kurrë më parë.

Dhe gjithë kjo rrugë ka një formulë jetësore, të cilën e ka thënë vetë duke e komentuar filmin “MA MA”: Heronjtë është vështirë me i rrëzu përtokë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *