Presidenti shqiptar Ilir Meta, dekoron me medaljen “Nënë Tereza” Dr.Dërgut Aliun (FOTO)

Dërgut Aliu me origjinë nga Lugina e Preshevës, i cili që jeton në Prishtinë është dekoruar me medaljen Nënë Tereza nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin familja, kolegë dhe Shaip Kamberi, deputeti në parlamentin e Serbisë si dhe përfaqësues nga komuna e Bujanocit.


“Shkëlqësia Juaj, President Meta,

Për mua, ndarja e Dekoratës Presidenciale NËNË TEREZA, ka kuptim dhe peshë shumë më domethënëse sesa një vlerësim i kontributit të shquar jetësor në fushën e humanizmit nga personaliteti numër një i kombit shqiptar.

Përmes kësaj dekorate, ju po vulosni mirënjohjen edhe për shumë personalitete shqiptare dhe jo vetëm, të cilët kanë lënë gjurmë gjatë ciklit të tyre jetësor me shërbim altruist ndaj njerëzve në nevojë, në rrethana dhe kushte shumë sfiduese për mbijetesën njerëzore, por të cilët, mbase edhe nuk njihen e nuk kanë pasur rastin të propozohen për një dekoratë të këtillë, sa motivuese, po aq edhe obliguese për ta vazhduar misionin individual humanitar.

Unë shfrytëzoj këtë rast të ju falenderoj me përulje që, megjithë mbingarkesën e përditshme në pozitën e Presidentit, me madhështinë tuaj po shfaqni modestinë, duke gjetur kohë të shprehni vlerësim edhe për njerëz të kategorisë sime.

Natyrisht që pa mbështetjen e familjes sime, e cila ka sakrifikuar bashkë me mua për të zgjatur dorën mbështetëse ndaj atyre në nevojë, nuk do të kisha pasur mundësinë të lija gjurmët që më sollën sot, këtu para jush, në kêtë pallat presidencial.

Gjithashtu, jam shumë mirënjohës për inkurajimin dhe mbështetjen e kolegëve të profesionit, si dhe miqtë e mi, disa prej të cilëve, nuk më kanë lënë vetëm as sot në këtë ceremoni dekorimi.

Edhe një herë, ju falemnderit nga zemra”.

BIOGRAFIA
Dërgut Fejzi Aliu ka lindur më 06.03.1959 në Bujanoc / Lugina e Preshevës në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Studimet për mjekësi i kreu në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin nga Gjinekologjia me Obstetrikë i kreu në Beograd. Në vitin 1987 fillon punën si doktorë i mjekësisë së përgjithshme në Malishevë / Kosovë dhe ate punoi deri në vitin 1995.

Më 04.03.1996, hapi spitalin „Lindja“ me qendër në Podujevë, ku qëndroi deri në përfundim të luftës në Kosovë. Ndërsa në vitin 2000, hapi spitalin po me të njjejtin emër „Lindja“ në Prishtinë, ku është pronarë i saj dhe punon në profesionin e tij prej gjinekologu. Prej vitit 2016 punon edhe në Durrës në Klinikën „Neë live“.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës, kontribuoi në çdo gjë, që i është kërkuar, por edhe me profesion e tij prej mjekut, ku edhe është nderuar me mirënjohje. Ka marrur pjesë nëpër konferenca të ndryshme shkencore për mjekësi dhe është njëri ndër gjinekologët më me zë në Kosovë e më gjerë. Në vitin 2019 u nderuar me titullin “Ambasador i Paqes” nga Federata e Paqes Universale dhe Federata e Gruas për Paqe Botërore janë organizata më status të Përgjithshëm pranë Këshillit Social-Ekonomik të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Federata e Paqes Universale është një aleancë globale e udhëheqësve të jetës politike, akademike, fetare, të shoqërisë civile, individëve dhe organizatave që i përkushtohen ndërtimit të një bote të paqes në të cilën të gjithë mund të jetojnë në liri, harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet të përbashkët.

Jeton dhe punon në Prishtinë. Veprimtaria e tij në fushën e mjekësisë dhe asaj humanitare është e shumanshme dhe intensive në gjithë tokat shqiptare.

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir META, në ceremoninë e dekorimit të Dërgut Aliu (19 maj 2022; 11:30h).

Të nderuar miq dhe të ftuar, i nderuar Aliu, Të dashur vëllezër e motra! Presheva, Bujanovci dhe Mëdvegja, ka shumë personalitete të shquara, me të cilët krenohet jo vetëm ajo anë e shqiptarisë, por edhe historia dhe kultura jonë kombëtare. Me shpirt luftarak dhe me vetëdije lirie të trashëguar brez pas brezi, bijtë e bijat e kësaj ane, iu rezistuan shekujve, duke ruajtur gjuhën, traditat, virtytet e larta njerëzore të besës e mikpritjes, mitet, folklorin e legjendat, dhe qenien tonë kombëtare. Me dhjetëra profesorë universitarë, studiues, mjekë, juristë, politikanë, aktorë, muzikantë, sportistë e profesionistë të zotë të të gjitha fushave, me intelektin, talentin, punën, përkushtimin dhe humanizmin e tyre, i kanë dhënë një emër të shquar jo vetëm kësaj krahine, por kanë spikatur edhe në kohët më të vështira dhe jetike për kombin tonë. Burra e gra të kësaj zone emrin e mirë të shqiptarit e kanë vendosur në piedestalet e nderit jo vetëm në trojet shqiptare në Ballkan, por edhe në Evropë, Amerikë, Australi dhe çdo në cep të botës ku jetojnë dhe punojnë. Të dashur bashkatdhetarë, Kombi ynë në shekullin e fundit ka kaluar në një kalvar të gjatë vuajtjesh. Ne, shqiptarët si komb, më në fund, në këtë fillim shekulli, kemi filluar t’i shijojmë dhe gëzojmë hapësirat e lirisë dhe po punojmë që ato të jenë sa më të mëdha për të gjithë ne, si dhe për rajonin dhe më gjerë. Shqipëria është anëtarë e NATO-s dhe pret me padurim anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe po ecën me shpejtësi dhe e sigurtë drejt integrimeve euro-atlantike dhe anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare. Shqiptarët në Mal të Zi, janë kontribuuesit kryesorë për pavarësinë e Malit të Zi dhe sot, çdo ditë e më shumë, po arrijnë të drejtat e tyre që meritojnë dhe ju takojnë edhe me kushtetutën e Malit të Zi. Ju, të dashur vëllezër dhe motra, në Medvegje, Preshevë dhe Bujanovc, çdo ditë e më shumë po arrini të realizoni të drejtat tuaja edhe pse më shumë vështirësi. Realizimi i të drejtave tuaja si pakicë kombëtare në Serbi, është një e drejtë legjitime, si e drejtë e pamohueshme në të gjithë botën. Respektimi i të drejtave kombëtare, gjuhës, simboleve, pronës tuaj dhe respekti ndaj jush, nga ana e shtetit dhe institucioneve të Serbisë, do të jetë një mesazh i qartë jo vetëm për fqinjësinë e mirë shqiptaro-serbe, por edhe për të gjitha kombet që jetojnë në rajonin e trazuar të Ballkanit. Rruga jonë e bashkimit si komb është në Bashkimin Evropian. Vëllezër dhe motra, Shqipëria është e interesuar për çdo shqiptar, kudo që jeton në botë, kjo gjë është detyrim kushtetues për çdo përfaqësues të shtetit tonë. Duhet të jemi sa ma afër me ju dhe na takon që të jemi pjesë e zgjidhjes së çdo problemi që ju keni. Ne, si shqiptarë, jemi kontribuesit kryesor të paqes dhe sigurisë në rajon. E kemi dëshmuar dhe po e dëshmojmë në vazhdimësi se jemi për fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët tanë. Por, të njëjtin respekt që ne kemi për fqinjët, duhet të kenë edhe fqinjët tanë për ne. Respektimi i tjetrit është respektim i vetes sonë. Të nderuar të ftuar, Vëmendja ime ndaj zhvillimeve në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc ka qenë e pandërprerë dhe po ashtu edhe kujdesi për vlerësimin e figurave të spikatura për kontribute të veçanta nga këto anë, ka qenë ngahera në vëmendjen time. Po vlerësoj me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, mjekun dhe humanistin e mirënjohur Prof. Dr. Dërgut Aliu, për kontributin e dhënë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos në Zonën e Llapit, por edhe për kontributin që ai vazhdon të japë për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës në Luginën e Preshevës dhe më gjerë në trojet e banuara nga bashkëkombasit tanë. Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.