Presheva, “Siria e vogël”

258

Nga: Belgzim Kamberi & Valon Arifi

auto_Refugjat_sirian11442296681«Jeni policë?», pyet Amiri, përderisa ngjitet në rrugën e asfaltuar të Miratocës, fshati i parë në Serbi, nga kufiri veriperëndimor i Maqedonisë.

Rreth të tridhjetat, Amiri shoqëron një grup prej njëzet emigruesve sirianë, që vërshojnë çdo çast fushave – para syve të policisë serbe, e cila bëhet kinse nuk po sheh asgjë nga postblloku i tyre kufitar – sipër një kampit misterioz të ndihmuar nga rusët, funksioni i të cilit është vështirë i kuptueshëm.

Fëmijë, pleq, persona me nevoja të veçanta. Të rraskapitur dhe të stërlodhur, ata kanë vetëm një pyetje: «Beograd?».

Banorët e Miratocit janë mësuar me refugjatë. Gjatë viteve 1999-2001, në luftërat e Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës fshati ishte udhëkryq i të zhvendosurve të të dy anëve të kufijve.

«Ua kam lëshuar ujin në rrugë që të freskohen së paku», thotë Zejnullah Memishi, një i moshuar solidarizues që banon në hyrje të fshatit. Në qendrën e fshatit, përveç disa tregtarëve të «padukshëm», të cilët përpiqen të përfitojnë, tanimë gjenden edhe aktivistët e organizatave humanitare vendore dhe ndërkombëtare. Rreth tridhjetë sosh janë sot aktivë në territorin e Preshevës për t’u përballuar me rreth 2000 emigrantë, që vijnë mesatarisht çdo ditë nga Maqedonia.

Dhjetëra autobusë të kompanisë «Veli Trans», të kontraktuar nga UNHCR-ja, bartin çdo ditë falas emigrantët nga Miratoci deri në Qendrën e Pranimit të Stacionit Hekurudhor, në periferi të Preshevës, ku ata mund ta sigurojnë lejen e mundësisë së kërkimit të azilit, që i jep lejeqëndrim 72-orësh në Serbi, të mjaftueshme për të mbërritur në Hungari dhe gjetiu.

«Ia kemi lehtësuar këtë transport së paku», shpjegon një zyrtar i UNHCR-së, duke udhëzuar emigrantët që të hipin në autobus.

Por, jo të gjithë duken të informuar. I lagur nga shiu, Fendi, 32 vjeç, pushon para derës së Xhamisë së Re në Miratoc me familjarët e tij, pa pasur informata për transportin falas dhe për procedurat administrative që duhet t’i ndjekë për të qarkulluar ligjshëm nëpër Serbi.

«Duam të mbërrijmë sa më shpejt në Gjermani», thotë ai, duke mos dashur të pushojë. Që nga muaji prill, Xhamia e Mesme e fshatit i ka mbyllur dyert.

«Dyqind veta kanë hyrë mbrëmë ilegalisht në xhami, ndërsa njëqind të tjerë kanë qëndruar jashtë. Fatkeqësisht, nuk kemi mundësi t’i strehojmë, ngase po e keqpërdorin dhe po e shkatërrojnë xhaminë», thotë Vehadin Hajrullahu, mirëmbajtës i xhamisë duke treguar dëmtimet që, sipas tij, i kanë shkaktuar emigrantët, përderisa njëri prej tyre pastron vullnetarisht tualetin e xhamisë.

“Refugees Welcome”

Me gjithë transportin e siguruar, rruga deri në Stacionin Hekurudhor të Preshevës simbolizohet me grupe të vogla emigrantësh që ecin në këmbë. Agon Ajeti dhe një grup të tjerësh vullnetarësh preshevarë ka muaj të tërë që janë mobilizuar në shenjë solidariteti.

Ata shpërndajnë ujë, lëngje, keksë dhe gjëra të tjera ushqimore. «Jemi solidarizuar që nga ditët e para. Jemi mobilizuar spontanisht. I kemi strehuar fillimisht nëpër shtëpi private mesatarisht deri 150 persona”, shpjegon ai.

Me mbishkrimin “Refugees Welcome” në maica, ky grup vullnetarësh e ka bërë sinjalistikën edhe në gjuhën arabe.

“Përpiqemi t’i ndihmojmë aq sa mundemi. Mbajmë kontakte edhe me vullnetarë të tjerë në Serbi dhe Maqedoni, si dhe jemi aktivë në rrjete sociale për shkëmbim informatash”, shton Ajeti, duke shpjeguar se janë strukturuar, në ndërkohë, në kuadër të Zyrës për të Rinj të pushtetit vendor dhe me organizatat ndërkombëtare për refugjatë.

Po është në Stacionin Hekurudhor në Preshevë që shpërfaqet realisht tmerri i përdorimit të emigrantëve si mall biznesi.

“Mirë se vini në xhunglën e konkurrencës së tregut të lirë”, na thotë me shaka një taksist lokal përderisa bën pazar më një grup sirianësh. Pas negociatave të vazhdueshme: “100 euro deri në Bujanoc!” Dhjetëfishin e tarifës së zakonshme. “Mbase duhet të jenë të kënaqur, se të tjerët po ua marrin paratë dhe po i braktisin midis rrugës”, arsyetohet taksisti nga komuna e Bujanocit që vjen çdo ditë në gjuetinë e “Sirisë së vogël”.

Nga këtu, tarifa me taksi për Beogradin 400-kilometrash është 500 euro, ndërsa ajo për në kufirin serbo-hungarez deri në 800 euro.

“Jemi gjithsej rreth 200-300 ‘taksistë’, vetëm 10% prej të cilëve legalë, ndërsa të tjerët janë në të zezë”, shpjegon Hasani, një taksist nga Presheva. Vijnë edhe taksi nga Vranja dhe nga viset e tjera të Serbisë Jugore.

«Ata nga Vranja po kanë më shumë lidhje me Policinë, të cilën po e korruptojmë zakonisht gjatë rrugës, kur po bartim emigrantë pa dokumente legale», shpjegon një taksist lokal që dëshiron të mbetet anonim.

Legaliteti dhe ilegaliteti bashkëjetojnë. Zyrtarisht konsiderohet legal ai që siguron lejen e mundësisë së kërkimit të azilit në Qendrën e Pranimit.

“Një numër jo i vogël i tyre nuk i marrin, se përtojnë të presin. Zakonisht ata që kanë më shumë para duan të nisën menjëherë, prandaj marrin taksi dhe nuk ngurrojnë të paguajnë më shtrenjtë”, thekson Adnan Osmani, taksist.

Më të varfrit marrin autobusët. Mesatarisht 10 autobusë në ditë nisen me rend nga Presheva për në Beograd, për 25 euro bileta për person.

“I marrim vetëm nëse kanë marrë lejen e qarkullimit”, siguron shoferi i autobusit.

Ndonëse duket se ka një rend radhitjeje, kompanitë e autobusëve kanë angazhuar njerëz privatë që kanë për detyrë të sigurojnë pasagjerët.

“E kemi nga 1 euro për çdo udhëtar që sigurojmë”, na shpjegon Arbeni. E përderisa duket pozitive fakti se tashmë forcat e xhandarmërisë janë larguar nga perimetri i Qendrës së Pranimit, policia nuk duket asgjëkund jashtë kampit, ku zhvillohet realisht “biznesi”.

“Po tamam puna shteti ta pengojë biznesin, edhe ashtu mos e kanë hapur ndonjë vend pune në këtë vend që njëzet vjet a?”, ironizon një kontrabandues lokal.

“Problemi i vetëm është se po e favorizojnë ndërmarrjen shtetërore të autobusëve ‘Lasta’, të cilën po e mbushin me pasagjerë, mbase edhe ilegalë dhe me lobim të forcave policore”, thotë shoferi i autobusit i një kompanie private.

“E natyrshme. Dyshohet se një i afërt i ministrit Vulin është i lidhur me ‘Lasta’-n”, shpjegon një zyrtar i një organizate ndërkombëtare të angazhuar në Qendrën e Pranimit.

Rruga e vështirë drejt Evropës

Rreth 900 persona sigurojnë çdo ditë në këtë Qendër dokumentin e të drejtës së kërkimit të azilit, që i jep të drejtë ligjore qarkullimi 72-orësh nëpër Serbi.

Mesatarisht, 600 persona qarkullojnë në ditë brenda në kamp, ku janë 30 shtretër për fjetje dhe disa tenda për rreth 150 persona. 600 shujta ditore shërbehen kryesisht për fëmijët, gratë dhe pleqtë.

Aghiad (26) është nisur para dy javëve nga Siria. Titullar i një masteri në administratë, ai synon të shkojë në Suedi.

Duke qenë se ka ardhur në prag të përfundimit të punës së administratës së kampit, ai do të qëndrojë sonte në hotel “Azizi”, që ka rilulëzuar tanimë falë emigrantëve. “10 euro e ke natën”, i thotë Luta Azizi, pronar i hotelit me 30 shtretër, ku gjuha arabe dhe angleze kanë zëvendësuar atë shqipe dhe serbe. Përderisa pagoi 1 euro për mbushjen e celularit të tij, Faves nga Pakistani, 24 vjeç, endet nëpër dyqanet për të blerë mallra ushqimore.

“Këtu dallojnë çmimet edhe në fqinjësi”, nënvizon Shkëlzen Jusufi, pronar i një supermarket, duke pranuar se emigrantët ia kanë trefishuar punën.

Përderisa fluksi vazhdon, Qendra e Pranimit në Stacionin Hekurudhor nuk po ka kapacitete për ta përballuar fluksin në rritje. Bashkimi Evropian në gjashtë muajt e ardhshëm deri në një vit do t’i ofrojë 3.2 milionë euro ndihmë Serbisë lidhur me çështjen e emigrantëve.

“Po çfarë do të bëjmë në vjeshtë dhe në dimër…”, ofshan heshtazi një zyrtar i një organizate humanitare ndërkombëtare.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *