Presheva mes Tiranës dhe Prishtinës!

229

imagePresheva së bashku me Bujanoc dhe Medvegjë janë tre komunat etnike shqiptare në territorin e sotëm të Serbisë, që njihen ndryshe me termin Lugina e Preshevës apo Kosova Lindore. Edhe pse shqiptarët që jetojnë në këto troje, janë të njohur zyrtarisht si minoritet etnik në Serbi (të pestët për nga numri, mes 18 minoriteteve), sërisht aty gjenden mungesa të thella të barazisë, të sigurisë, të të drejtave dhe lirive, si dhe të përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore.
Kushtet shumë të vështira, si politike, ekonomike dhe sociale në Luginën e Preshevës, ku ekonomia është e shkatërruar dhe investimet në ekonomi dhe infrastrukturë mungojnë, i kanë bërë këto komuna aktualisht trojet shqiptare më të rrezikuara nga zbrazja e popullatës etnike shqiptare. Nëse nuk veprohet dhe ndërhyhet urgjent, nuk do të kemi më të bëjmë me rrezik, por me humbje reale të pakthyeshme. Këto probleme nuk lindën dje dhe nuk mbarojnë vetë, as nesër. Koha dhe faktet kanë dëshmuar se klasa politike që ka drejtuar të tri komunat në këto 15 vite ka dështuar. Politikanët janë të vjetruar në mendësi, të mefshtë në veprime dhe aspak vizionarë për të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në shumësinë e detyrave dhe veprimeve, vështirë të gjesh gjëra dobiprurëse të bëra prej këtyre politikanëve shqiptarë në të mirë të qytetarëve që i kanë zgjedhur, pasi interesi i tyre personal ka prevaluar mbi atë kombëtar. Tipar ky që vërehet te klasat politike shqiptare edhe në shtetet dhe trojet shqiptare në rajonin e Ballkanit.
Sot, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të tregut të lirë në Kosovën Lindore pa zhvillim politik demokratik dhe respektim të të drejtave të popullatës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kosova Lindore është e pasur me burime njerëzore dhe natyrore, nëntokën e ka të pasur me minerale dhe mbitokën e ka pjellore. Megjithatë, ajo nuk prodhon për të eksportuar dhe nuk arrin të prodhojë as ushqimin bazë për popullatën e saj, ndaj detyrohet ta marri nga të tjerë. Ndërkohë Shqipëria importon sasi të mëdha produktesh bujqësore nga Maqedonia dhe Serbia, por jo nga Lugina se prodhimi për eksport aty mungon.
Po të bëjmë një krahasim me të dhënat që jep Komisioni Evropian për Serbinë, me të dhënat faktike që janë për Kosovën Lindore kemi: papunësia në Serbi ka rënë nën 20%, ndërkohë në të tre komunat është rreth 75%; ekonomia e Serbisë po shërohet nga reçesioni, ndërkohë në tre komunat ekonomia po rrënohet; reformat në Serbi po avancojnë, ndërsa në tre komunat mungojnë.
Vizita e kryeministrit Rama një vit më parë në Preshevë, përveçs shfaqjes, në Preshevë vetëm sa zgjoi dhe riktheu disi shpresën mes shqiptarëve, por nuk solli asgjë tjetër në dobi të tyre. Ndërsa në Kosovë, konflikti dhe retorikat e brendshme e kanë mbajtur gjithnjë e më larg vëmendjen e qeverisë kosovare ndaj banorëve të Luginës. Premtimet për ndihmë ekonomike dhe mbështetje nga ana e dy qeverive shqiptare për popullatën e këtyre trojeve mbeten ende premtim. Kjo ka bërë që të dy qeveritë shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës, të jenë ende larg ushtrimit dhe realizimit të detyrimeve të tyre kushtetuese në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të këtyre trojeve.
Ndërkohë një fenomen i ri, jo i zakonshëm dhe jo i pamenduar ka filluar të aplikohet në Luginën e Preshevës. Qeveria serbe ka filluar një proces të mirëfilltë çregjistrimi në zyrat e gjendjes civile të të gjithë shqiptarëve etnik që kanë banesat aty, por nuk banojnë në përditshmërinë e tyre, duke zvogëluar në mënyrë jonatyrale dhe joligjore popullatën etnike në Luginë. Është e njëjta situatë sikur ne në Shqipëri të çrregjistojmë nga regjistri ynë themeltar familjarët tanë, që janë emigrantë në vende të ndryshme të botës.
Po kështu, do të ishte e udhës, që të tre komunat në kuadër të reciprocitetit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që drejtohen nga BE, të kenë të njëjtat të drejta de jure dhe de facto siç i gëzojnë edhe serbët në Kosovë. Për këtë, BE-ja duhet të ushtrojë një rol dhe ndikim edhe më të madh ndaj qeverisë serbe, që etnia shqiptare të gëzojë të drejtat e plota në Serbi.
Disa ditë më parë, rreth 100 bashkatdhetarë nga Gjermania, Italia, Austria, Zvicra, Lugina e Preshevës, të organizuar përmes Fondit Humanitar të Kosovës Lindor u mblodhën në Zvicër në konferencën e rradhës për të analizur situatën në të tre komunat dhe për të projektuar të ardhmen ekonomike. Në programin e zhvillimit ekonomik që Fondi prezantoi për Kosovën Lindore, shihet si prirje për zgjidhjen e problemit ekonomik te vetë shqiptarët, si tek ata që jetojnë në Luginë dhe tek ata që jetojnë në diasporë, pasi mbështetja nga drejtuesit shqiptarë në tre komunat dhe nga qeveria serbe mungon rregullisht. Gjendja e vështirë në tre komunat konfirmohet edhe në Progres raportin 2015 për Serbinë, ku Komisioni Evropian deklaron: “Dialogu midis autoriteteve qendrore dhe drejtuesve lokal etnik shqiptarë brenda një programi gjithëpërfshirës të integrimit dhe rimëkëmbjes ekonomike ende nuk ka rifilluar”. Jo vetëm sektori privat e vuan mungesën e zhvillimit në Luginë, por edhe sektori publik, ku punësimet janë politike dhe sërisht sipas Komisionit Evropian: “Rajoni [vijon të] mbetet rëndë i pazhvilluar dhe popullsia etnike shqiptare vazhdon të jetë e nënpërfaqësuar në shërbimet publike”.
Lexuesit e këtyre rreshtave mund të thotë se ne shqiptarët e Shqipërisë nuk kemi zgjidhur ende hallet tona, tani na kërkohet të zgjidhim hallet e shqiptarëve në Luginë. Pikërisht këtu qëndron problemi, se edhe ai i atyreve, halli ynë është dhe jo i komshiut.

Punoi: Teuta Nunaj

(Autorja është profesoresh universitare në Shqipëri)
2




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *