Politikania nga Presheva Ardita Sinani pjesë e rubrikës “ Bardh e Zi“ e cila rrëfehet për herë të parë për portalin Syri.tv

168

SYRI.TV: Përshëndetje e nderuara znj. Ardita Sinani, mirë se na erdhët në rubrikën Bardh e Zi në portalit Syri.tv nga Mërgata?

Ardita Sinani: Faleminderit për mundësinë dhe hapësirën, aq më tepër për një rubrikë që ka sidomos mërgatën për publik të saj.  

SYRI.TV: Cila është biografia juaj, kush është politikania nga Presheva Ardita Sinani?

Ardita Sinani: Jam lindur më 15.11.1980 në Preshevë. Shkollën fillore dhe të mesme i kam kryer në Preshevë, ndërsa kam diplomuar më vitin 2003 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Sot punoj në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë. Jam e martuar dhe kam dy fëmijë.

SYRI.TV: Znj.Sinani a mund të na tregoni pak për portalin Syri.tv nga Mërgata, si filloi rrugëtimi juaj në politik?

Ardita Sinani: Veprimtaria ime politike ka filluar në Partinë për Veprim Demokratik, ku jam angazhuar së pari në Forumin Rinor dhe ku prej vitit 2015 jam kryetare e Degës për Preshevë. Prej atëherë kam qenë pjesë e proceseve politike dhe zgjedhore në Preshevë, prej të cilëve jam zgjedhur edhe kryetare e Kuvendit Komunal gjatë viteve 2016-2017 dhe për një kohë të shkurtër kryetare e Komunës të Preshevës më vitin 2017. Jam aktualisht kandidate e PVD-së për kryetare të Preshevës për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, që do të zhvillohen në fillim të këtij viti.

SYRI.TV: Si e vlerësoni punën e pushtetit komunal për periudhën dyvjeçare?. Cili është raporti mes premtimeve e mbajtjes së fjalës së dhënë nga partitë në pushtet?

Ardita Sinani: Ky pushtet lokal ishte pushteti më i keq në historinë pluraliste të komunës së Preshevës. Së pari, nuk duhet harruar se ishte PVD që i bëri dymbëdhjetë vjet opozitarizëm Ragmi Mustafës e jo Shqiprim Arifi. Se ishte PVD që e mundësoi ndryshimin duke mos ju bashkuar Ragmi Mustafës që ishte fituesi i zgjedhjeve më 2016. Por, nga kjo distancë kohore, mund të them se më vitin 2016, ndonëse kemi bërë mirë që lidhem koalicion me Alternativën Për Ndryshim për t’ i dhënë fund keqqeverisjes së Ragmi Mustafës, gabuam që e mbështetem Shqiprim Arifin për kryetar komune. Duhej të insistonim që kryetari i Komunës t’i takonte PVD-së, aq më tepër që koha dëshmoi se Shqiprim Arifi nuk i ka as kapacitetet dhe madje as qëllimin, për ta qeverisur më mirë komunën e Preshevës.

Pas tërheqjes sonë nga bashkëqeverisja me APN, Shqiprim Arifi e stërkeqi edhe më shumë gjendjen, duke e vërë qeverisjen e Preshevës nën kontrollin e drejtpërdrejtë të partive të Vuçiqit dhe të Daçiqit, ku dy votat e tyre në Preshevë e mbajtën Shqiprim Arifin në karrigen e kryetarit të Komunës, derisa humbi shumicën sepse u prish me partnerin e tij të koalicionit, Lëvizjen për Reforma të Sami Salihut. Pra, në vend se të përfshihen shqiptarët në institucionet shtetërore prej ku janë të përjashtuar dhe të padëshiruar nga partia-shtet e Vuçiqit, kjo e fundit e mori nën kontroll komunën e Preshevës me 95% shqiptarë.

Andaj, sot, para se ta shpreh të drejtën e tij të lirë për të votuar, çdo qytetarë i komunës së Preshevës duhet t’ia parashtrojë vetes pyetjen se a e dëshiron që komuna e Preshevës të jetë edhe për katër vitet e ardhshme nën kontrollin e drejtpërdrejtë të SNS së Vuçiqit dhe të SPS së Daçiqit?    

Duke mos harruar po ashtu se Shqiprim Arifi e mbajti SNS e Vuçiqit dhe SPS e Daçiqit në pushtet në Preshevë, edhe kur ato i përjashtuan shqiptarët nga pushteti në Medvegjë.

Unë, Ardita Sinani, garantoj shumicë shqiptare, por edhe reciprocitet me Medvegjën. Ditën që do të zgjidhem kryetare e Komunës do t’i drejtohem për dialog pushtetit aktual në Medvegjë për ndërtimin e reciprocitetit me Preshevën, që ata t’i përfshijnë shqiptarët në pushtet për t’i përfshirë edhe ne serbët lokalë.  

Një çështje tjetër e rëndësishme është se nuk duhet harruar se Shqiprim Arifi erdhi në pushtet duke thënë se do t’i zgjidh problemet nëpërmjet partneritetit me qeverinë në Beograd, si hapjen e vende të reja të punës dhe të fabrikave, hapjen e qendrave kulturore, hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc etj.

Tash, pas katër viteve, parashtrohet logjikshëm pikëpyetja:

Çfarë përfitoi Presheva nga partneriteti i Shqiprim Arifit me qeverinë e Vuçiqit dhe Daçiqit? Përfitoi Presheva, apo Shqiprim Arifi dhe grupi i tij?

SYRI.TV: Si e komentoni situatën aktuale politike në vend që është krijuar vitet e fundit?

Ardita Sinani: Një situatë e rëndë shoqërore që është rezultat para së gjithash i politikave shtypëse dhe diskriminuese të qeverisë Vuçiq-Daçiq në Beograd dhe pastaj edhe të keqqeverisjes lokale të partnerit të tyre lokal, Shqiprim Arifi. Nuk mund të presim ndryshime pozitive me këto pushtete. Nuk mund të presim rezultate të tjera me politika të njëjta.

SYRI.TV:  Çfarë mendimi keni për kryetarin e Komunës së Preshevës, për seancat e fundit është fol se Shqiprim Arifi është nxitës i debateve dhe i seancave, cili është mendimi yt?

Ardita Sinani: Nuk jam e sigurt se duhen të quhen debate. Shqiprim Arifi ose i shmanget Kuvendit Komunal, ose e shndërron atë në arenë fyerjesh, sepse nuk dëshiron kuvend dhe transparencë. Dëshiron të qeverisë duke mos i dhënë llogari askujt dhe aq më pak të zgjedhurve të popullit. Qasja e tij ndaj Kuvendit Komunal flet për profilin e tij. Jo vetëm se nuk dëshiron të përballet me të vërtetën e argumenteve, por dëshiron sidomos t’i fsheh vendimet e tij të dëmshme për qytetarët.  

SYRI.TV: Koha po na tregon se kjo skenë politike e tanishme në Luginë, pra edhe në Preshevë, nuk ka sjellë shume ndryshime të mirëfillta për qytetarët dhe çfarë nuk kanë bërë si duhet, të cilën ju si subjekt politik do ta ndryshonit?

Ardita Sinani: Ndryshimi pozitiv nuk vjen përmes deklaratave për ndryshim dhe ndërtimit të imazheve të rreme. Kemi nevojë së pari për politika të duhura dhe pastaj edhe për qeverisje të mirë. Qeverisje me duar të pastra larg krimit të organizuar e korrupsionit dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Nuk mund të premtosh zhvillim për qytetarët, kur fsheh mënyrën se si shpenzon paratë e tyre. Prandaj, Presheva ka nevojë për një qeverisje transparente, edhe në procedurat e prokurimeve publike, ku favorizohen aktualisht oligarkët lokalë dhe rajonalë. U dëshmua se kritika e zhurmshme ndaj kundërshtarit politikë, pa politika më të mira, pa burime profesionale dhe pa program të qartë zhvillimor, përfundon vetëm në zëvendësimin e së keqes me stërkeqjen.  

Ne kemi paraqitur vazhdimisht propozime konkrete për një qeverisje më të mirë. Së shpejti do ta propozojmë edhe programin tonë për qeverisjen e re komunale, të cilën do ta drejtojmë pas zgjedhjeve lokale.  

SYRI.TV: Shqiptarët e Luginës përfaqësohen me dy deputet në Parlamentin e Serbisë. Si e shihni rolin e tyre, duke e parë që nuk kanë koordinimin as me liderët udhëheqës lokalë?

Ardita Sinani: Mbase s’ka nevojë të flas për përfaqësimin politik të deputetit të Partisë për Veprim Demokratik, z.Shaip Kamberi, në Beograd. Vlerat e këtij përfaqësimi po jehojnë gjithandej në rajon. Për ta zhvilluar edhe më mirë këtë politikë, përfaqësimi i kryetarit tonë, z.Shaip Kamberi, ka nevojë të pasurohet edhe me kryetarë të mirë të komunave në Luginën e Preshevës.    

SYRI.TV: Po rolin e opozitës lokale në Preshevë si e shihni? Apo e bëjnë punën e opozitarëve si duhet?

Ardita Sinani: Për mbi dhjetë vite, Partia për Veprim Demokratik ka zhvilluar opozitë jo vetëm konstruktive dhe aktive, por edhe përmbajtësore dhe progresive. Ky opozitarizëm i deritanishëm është referenca më e mirë për kredibilitetin tonë edhe si qeveritarë të nesërm.

SYRI.TV: Si po pritet Partia për Veprim Demokratik  tek qytetarët e Preshevës?

Ardita Sinani: Pas dështimit të qeverisjes së Shqiprim Arifit, po vërehet një frymë dhe një interesim i shtuar në mesin qytetarëve për ta mbështetur Partinë për Veprim Demokratik, si opozita e sotme më serioze dhe me vlerë në komunën e Preshevës. Jo vetëm për nga përvoja e së kaluarës, por edhe për nga perspektiva e së ardhmes. Tashmë po shihet qartë se partitë e tjera po tkurren dhe se PVD-ja po rritet. Me këtë rast, duke marrë përgjegjësi edhe për gabimet tona si parti, ftoj të gjithë ish-anëtarët, ish-simpatizuesit dhe ish-votuesit tanë, që të rikthehen në Partinë për Veprim Demokratik. Besoj se tashmë është e qartë se Shqiprim Arifi dhe Ragmi Mustafa nuk janë opsione më të mira se Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit. Koha është të rihapet një kapitull i ri për Preshevën, nën drejtimin e PVD-së. Një kapitull që duhet ta ketë për qëllim dhe për synim, një komunë më të mirë, e një parti më të mirë.  

SYRI.TV: Znj. Sinani ju jeni grua e vetme në Luginë të Preshevës që keni qenë kryetare e Komunës së Preshevës dhe po ashtu jeni dhe kryetare e degës së një subjekti politik. A mundeni të na tregoni pak sa e  gjen përkrahjen tek partitë politike, si dhe sa e ke mbështetjen e grave në Politikë?

Ardita Sinani: Kam pasur nderin të jem gruaja e parë kryetare e Preshevës. Përtej faktit se bëhet fjalë për mua, mendoj se kjo dëshmon vlerat emancipuese të Preshevës. Por unë besoj se Presheva e dëshiron një kryetare të mirë, sado që jam e vetëdijshme sesa më e nivelit të ultë është gara zgjedhore, aq më vështirë është të zgjidhet një grua, siç dëshmohet edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ku kemi gra deputete, por shumë pak gra kryetare të Komunave.

Është e rëndësishme që gratë të jenë të barabarta edhe në politikë, e sidomos në vendimmarrje shoqërore. Sigurisht se kjo flet edhe për modernitetin dhe progresivizmin e Partisë për Veprim Demokratik, e cila mbetet e vetmja parti e Luginës së Preshevës që i ka besuar një gruaje për udhëheqjen e pushtetit lokal, por edhe të strukturave të saj partiake në nivel komunal. Jam i bindur se edhe partitë e tjera do ta ndjekin shembullin tonë në të ardhmen, për t’i përfshirë sa më shumë gratë në vendimmarrje politike, jo vetëm si përfaqësim simbolik përfaqësues, por edhe me pushtet të vërtetë ekzekutiv institucional dhe partiak.

SYRI.TV: Cilët janë sukseset e Ardita Sinanit gjatë rrugëtimit të juaj në politikë, apo në partinë tuaj?

Ardita Sinani: Nuk parapëlqej të flas për sukseset e mia politike në veten e parë. Besoj se kjo i takon njerëzve që i kam përfaqësuar politikisht.  

SYRI TV: Fenomeni i migrimit të rinjve po vazhdon edhe më tutje dhe duket se subjektet shqiptare në Luginë nuk do të mund ta parandalojnë këtë fenomen. Cili është mesazhi i juaj për të rinjtë e Luginës së Preshevës?

Ardita Sinani: Migrimi ndërlidhet me shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo është një plagë që po e godet pothuajse krejt Ballkanin Perëndimor, kryesisht për shkak të gjendjes së rëndë socio-ekonomike. Në Luginën e Preshevës, kësaj i shtohet edhe mungesa e të drejtave politike dhe kombëtare, për shkak të diskriminimit shtetëror. Fatkeqësisht, ky migrim po keqpërdoret shpesh politikisht, duke u instrumentalizuar për të ardhur në pushtet. Siç ne keni parë, ata që përdorin këtë kartë politike duke qenë në opozitë për t’i goditur pushtetarët, pastaj kur po vijnë në pushtet jo vetëm që nuk mund ta ndalin migrimin, por edhe po e përshpejtojnë atë me keqqeverisjen e tyre. Besoj se demografia, respektivisht zbrazja e Ballkanit Perëndimor nga popullatat është një nga sfidat kryesore të sotme të rajonit. Të rinjtë po largohen gjithandej, madje edhe nga Kroacia, që është pjesë e Bashkimit Evropian dhe që ka burime të rëndësishme natyrore, ekonomike dhe turistike. Kjo flet se kemi nevojë jo vetëm për qeverisje të mirë lokale për t’u përballur me ikjen e të rinjve, por edhe për hartimin dhe zbatimin e politikave në nivel shtetëror, rajonal dhe evropian, për të krijuar perspektivë të jetueshme për të rinjtë vendorë. Nga ana tjetër, ftoj të rinjtë që të angazhohen dhe të përfshihen në ndërtimin e këtyre politikave. Ata kanë jo vetëm energji, por edhe dije dhe kreativitet. Të rinjtë janë potencial i madh që duhen përfshirë në luftën kundër migrimit.      

SYRI.TV: Çfarë ka bë Partia për Veprim Demokratik për Mërgatën?

Ardita Sinani: Partia për Veprim Demokratik është partia e parë e Luginës së Preshevës që e ka shtrirë aktivitetin e saj në mërgatë përgjatë viteve ’90. Dhe mërgata ka një kontribut të jashtëzakonshëm për rezistencën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në çdo aspekt ku ka kontribuar. Besoj se ky bashkëveprim duhet të institucionalizohet më shumë midis komunave, Këshillit Kombëtar dhe deputetëve shqiptarë. Institucionet në Luginën e Preshevës kanë përgjegjësi që të krijojnë hapësira për mërgatën. Ka politikanë vendorë që e kanë trajtuar mërgatën pothuajse vetëm si makineri votash dhe si plaçkë financiare. E kanë shfrytëzuar si të tillë për interesa private, për ta harruar pastaj atë kur kanë qeverisur. Kjo është lehtë për ta bërë. Por, unë nuk e bëjë këtë. Dua bashkëpunim të sinqertë dhe bashkërendim produktiv me mërgatën për të pasur rezultate për të mirën e përgjithshme, jo për interesin tim privat, financiar dhe zgjedhor.    

SYRI.TV: Sa përkrahet Partia për Veprim Demokratik nga Mërgata?

Ardita Sinani: Partia për Veprim Demokratik ka mbështetës të shumtë në mërgatë. Por, bashkëveprimi dhe bashkërendimi duhet të thellohet dhe të pasurohet shumë më tepër. E për këtë duhet të bëjmë më shumë nga të dy anët, por sidomos ne si parti dhe institucione.    

SYRI.TV:  Çfarë po benë spektri politik i Kosovës dhe ai i Shqipërisë për Preshevën?

Ardita Sinani: Kohëve të fundit vërehet një interesim i shtuar për institucionalizimin e politikave qeveritare të Kosovës dhe të Shqipërisë kundrejt Luginës së Preshevës. Shpresoj se këto veprime do të konkretizohen me fillimin e zbatimit të një plani dhe programi të përbashkët. Me rëndësi është që Lugina e Preshevës ta ketë trajtimin dhe angazhimin shtetëror e institucional nga Prishtina dhe Tirana zyrtare.  

SYRI.TV: Nëse ju si kandidate për Kryetare të Preshevës do të fitoni sërish në zgjedhjet e ardhshme me cilët parti do të bëni koalicion.  A do të ketë prapë koalicion PVD me APN-ë?

Ardita Sinani: Të dy kundër kandidatët e mi, Shqiprim Arifi i APN dhe Ragmi Mustafa i PDSH, kanë dëshmuar me qeverisjet e tyre se nuk janë opsione të duhura për ta qeverisur Preshevën në katër vitet e ardhshme. Është koha për një pushtet të ri. Është koha që Presheva të qeveriset nga PVD, me një koalicion stabil dhe me një program zhvillimor.

SYRI.TV: Sa ka qenë Lugina e Preshevës e përgatitur nga pandemia Covid-19?

Ardita Sinani: Komuna e Preshevës nuk ka kapacitete të mjaftueshme sa i përket infrastrukturës shëndetësore për të menaxhuar situata pandemike sikur kjo me COVID 19. Prandaj, mirënjohje dhe respekt punëtorëve shëndetësorë për kurajën dhe kujdesin që kanë dëshmuar. Për sa i përket pushtetit lokal, ka qenë një kaos total në menaxhimin e pandemisë. E vetmja gjë që ky pushtet lokal ka investuar për menaxhimin e pandemisë, ka qenë investimi në rrjete sociale dhe mburrja abstrakte me kinse menaxhim shembullor. Madje ka pasur raste, të cilat edhe i kemi publikuar, kur janë keqpërdorur edhe mjete të dedikuara shtresave në nevojë.

SYRI.TV: Ju si politikane keni pasur frikë nga pandemia Covid-19?

Ardita Sinani: Viti që po e lëmë pas ishte i vështirë për tërë njerëzimin, por edhe për secilin prej nesh. Për familjet tona, për shoqëritë tona, për Preshevën, për shqiptarët. Pandemia Covid-19 na vetëdijësoi sa i rëndësishëm është shëndeti, sa i rëndësishëm është solidariteti, sa e rëndësishme është ekonomia, sa e rëndësishme është jeta. Kjo fatkeqësi shëndetësore na bëri të barabartë në shqetësime. Burra, gra, vajza, djem, të moshuar apo të rinj, të pasur apo të varfër, punëtorë dhe të papunë. Por disa paguan çmim më të lartë. Humben më të afërmit e tyre. T’i kujtojmë ata dhe t’i urojmë forcë dhe shpresë atyre që po përballen edhe sot me virusin. Por kjo pandemi mundësoi ta kuptojmë se ç ‘përjetojnë të vetmuarit, të varfërit, të përjashtuarit. Pandemia na ftoi po ashtu të bashkohemi për ta larguar të keqen e sotme. Pandemia është edhe mësim se duhet të solidarizohemi, të organizohemi, të bashkohemi dhe të veprojmë kundër së keqes. Besoj se është forcë për të ardhmen.

SYRI.TV: Më çka është përballuar politikania Ardita Sinani në kohën e fundit?

Ardita Sinani: Kryesisht me pandeminë dhe me shqetësimet shoqërore të qytetarëve.

SYRI.TV: Si është jeta e një politikane në Luginē të Preshevës?

Ardita Sinani: Më e vështirë se e një politikani.

SYRI.TV: Si kryetare e Komunës së Preshevës që keni qenë keni marrë kritika apo lëvdata?

Ardita Sinani: Do të shqetësohesha po të merrja vetëm lëvdata.  

SYRI.TV: Si politikane keni hasur ndonjëherë në paragjykime?

Ardita Sinani: Paragjykime dhe stigmatizime. Por ato më bindin edhe më shumë se duhet luftuar për dinjitet, të drejta dhe barazi.  

SYRI.TV: Si kur mos të ishte Ardita Sinani politikane si do ta takonim ne sot?

Ardita Sinani: Si mësimdhënëse.

SYRI.TV: Cka e bën nervozë politikanen nga Presheva Ardita Sinani?

Ardita Sinani: Injoranca dhe hipokrizia.

SYRI.TV: Cili është mesazhi juaj për lexuesit e portalit Syri.tv nga Mërgata si politikane nga Presheva?

Ardita Sinani: Që Mërgata të besojë në më të mirën. Të jetë aktive dhe e angazhuar për të mirën e përgjithshme.

SYRI.TV: znj Ardita Sinani ju falënderojmë shumë për kohën që ishit pjesë e rubrikës Bardh e Zi në portalin Syri.tv nga Mërgata?

Ardita Sinani: Ju faleminderit për mundësinë dhe hapësirën.

Intervistoi: Arben Mehmeti.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *