Partia Republikane në Bujanoc: Komunalia po injoron kërkesat e qytetarëve

211

PRKëshilli komunal i Partisë Republikane për Bujanoc, ashpër ka reaguar ndaj autoriteteve të Ndërmarrjes Publike “Komunalia”, e cila nuk ka ndërmarrë masa për sanimin dhe rregullimin kanalit të bllokuar të ujërave të zeza, të cilat për 24 orë rresht kanë vërshuar rrugën “Vojvoda Stepe Stepanoviqa”, në qytetin e Bujanocit.
Përkundër kërkesave të pareshtura të Lulzim Aliut, banor i kësaj rruge, për intervenim nga ana e udhëheqësisë së kësaj ndërmarrjeje, e cila udhëhiqet nga masat e përkohshme, ujërat e zeza vazhdojnë të kundërmojnë një erë të rëndë dhe të padurueshme nga banorët e kësaj lagje.
Këshilli komunal i Partisë Republikane për Bujanoc, konstaton se kjo neglizhencë dhe mospërfillje e organeve të përkohshme të NP “Komunalia”, vjen si rezultat i dallimeve partiake, ngase po në këtë rrugë, shumë afër vendit ku ka ndodhur shpërthimi i fekaleve, gjendet edhe shtëpia e kryetarit të Partisë Republikane, Avdil Ramadani.
“NP “Komunalia”, në Bujanoc, ka muaj të tërë, që gjobitë konsumatorët e vet, kurse kur vjen në pyetje intervenimi për sanimin e ndonjë avarie, siç ngjet rasti me kanalizimin e bllokuar dhe shpërthimin e ujërave të zeza nga kapaku i lartpërmendur, drejtuesit e Komunalisë, paraqiten të shurdhër dhe mospërfillës. Po të kishte ndodhur ky rast në rrugën e ndonjë zyrtari të Koalicionit qeverisës i pushtetit lokal, me siguri se intervenimi i NP “Komunalia” do të kishte qenë efikas dhe korrekt”, thuhet në reagimin e Partisë Republikane për Bujanoc, të nënshkruar nga kryetari i saj z. Avdil Ramadani./Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *