Non-paper i ri konfirmohet edhe nga eurodeputeti Andor Deli

Pas konfirmimit nga Bisera Turkoviç, ministre e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, se ekziston edhe një non-paper i ri për Ballkanin Perëndimor (i treti deri tani), edhe deputeti i partisë hungareze  Fidesz, në Parlamentin Evropian, Andor Deli, ka konfirmuar ekzistencën e kësaj letre jozyrtare.

Për këtë non-paper të fundit, ministrja boshnjake tha se nuk ka përmbajtje të ngjashme si dy të fundit, ku njëri parashihte transformime të mëdha në Ballkan dhe ndryshim kufijsh e tjetri autonomi në veri të Kosovës për serbët.

Megjithatë, agjencia austriake e lajmeve APA, e cila fillimisht raportoi për ekzistencën e tij, shkruan të kundërtën.

Sipas tyre edhe ky non-paper propozonte ndryshim të kufijve dhe se po mbahet “në dry nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkimit Evropian”.

Deputeti me prejardhje nga Vojvodina e Serbisë, Andor Deli, tha se non-paper i ri është i rëndësishëm edhe për shtetet e Vishegradit (Çekinë, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë), pasi u njoftua fillimisht se janë këto shtete, që, në bashkëpunim me Austrinë, e kanë propozuar këtë non-paper.

“Nga kjo jo-letër është absolutisht e qartë se sa e rëndësishme është zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor për Hungarinë, si dhe për dëshirat e tjera të grupit të Visegrad-it  dhe Austrisë”, ka deklaruar Deli.

Meqë ende nuk është publikuar si dokument për të parë se çfarë përmban konkretisht ky non-paper i fundit, spekulimet janë në dy drejtime.

Versioni i parë është se edhe ky parasheh një ndryshim kufijsh nëpër Ballkan, derisa, mbështetur edhe nga ajo që deklaroi ministrja boshnjake, versioni i dytë sqaron se kjo letër jo-zyrtare më shumë flet për nevojën e një zgjidhje përfundimtare në dialog, zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe opsione të kësaj natyre.

Dy non-papers e mëhershëm është raportuar të kenë ardhur nga Sllovenia, Gjermania e Franca, teksa brenda tyre u propozuan ndryshime kufijsh me idenë se vetëm kështu do të arrihet paqja në Ballkan.

Këto vende mohuan se qëndrojnë pas këtyre dokumenteve jozyrtare.

Në anën tjetër, takimi i parë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të mbahet muajin e ardhshëm (qershor) në kryeqytetin e Francës, në Paris.

Albanian Post e pati publikuar dokumentin e emëruar si “non-paper” në të cilin precizohet jo vetëm koha e takimit, por edhe temat e bisedës dhe synimet e këtij raundi të ri bisedimesh, i cili është projektuar si raundi final dhe pritet të përfundojë para muajit shkurt të vitit 2022.

Kjo letër jo zyrtare, apo “non-paper” prezanton një iniciativë Gjermano-Franceze që për synim ka normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë nën lehtësimin e Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, Miroslav Lajçak.

Dokumenti tregon se kjo bëhet në mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një pikë e rëndësishme e këtij non-paper është edhe krijimi i një zone ekonomike si katalizator dhe nxitje për zhvillimin ekonomik në të dyja vendet.

Kjo është menduar “në konceptin e rajoneve evropiane për të siguruar themelimin e një zone të lirë ekonomike” e cila do shtrihej në rajonin e Mitrovicës dhe në atë të Novi Pazarit.

Të dy shtetet do vazhdonin tutje me idenë që “asnjëra nga to nuk mund ta përfaqësojë shtetin tjetër në arenën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të shteti tjetër”, vazhdon dokumenti.

Formuluesit e non-paper parashohin që jo vetëm bisedimet, por edhe nënshkrimet eventuale të bëhen nga dy liderët aktualë të dy shteteve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç./Albanianpost.com

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.