NJËSTUDIM QË DOKUMENTON FSHEHJEN E KRIMEVE SERBE NË KOSOVË

Akademik Hivzi ISLAMI

Anton VUKPALAJ

“FSHEHJA E KRIMIT” – Politika serbe e mashtrimeve të mëdha”, ASHAK, 2021

Profesor Anton Vukpalaj pas mbarimit të shkollimit fillor dhe të mesëm në vendlindje, shkoi drejt në studime në Sorbonë të Parisit, Në Universitetin Paris 10 dhe në Institutin e Shkencave Sociale të Politikës (Institut des Sciences Sociales du politique). Pastaj u specializua në shkencat politike, në sociologjinë politike dhe në politikat komparative dhe të integrimeve evropiane. Nuk munguan edhe hulumtimet e tij nga Drejtësia Tranzicionale në Evropën JL dhe ballafaqimi i shoqërive postautoritare dhe post-konfiktuale me të kaluarën. Para librit që po e promovojmë sot, si botim të Akademisë sonë, autori botoi disa studime, ndër të cilat shquhet teza e tij e doktoratës “Ex-Yougoslavie, de la guerre à la justice (Ish-jugosllavia: nga lufta te drejtësia”) në rreth 400 faqesh, të publikuar nga Shkolla Doktorale e Parisit 10 dhe Instituti i Shkencave Sociale të Politikës. Ndër shumë publikime nga fusha e “Drejtësisë transicionale në Evropën JL”, veçohen publikimet e tij të fundit shkencorë: “Drejtësia Transicionale”, e botuar nga Konrad Adenuaer Stiftung dhe “Formësimi i Kosovës ndërmjet varësisë, pavarësisë dhe ndërvarësisë”, e botuar te Peter Lang në Bern në koautorësi.

Libri studimor “FSHEHJA E KRIMIT” – Politika serbe e mashtrimeve të mëdha”  e dr. Anton Vukpalajt paraqet një tablo të qartë të politikës serbe të fshehjes sistematike të masakrave, të paraqitjes së civilëve të masakruar si luftëtarë dhe të krimeve gjenocidale në vitet 1998 dhe 1999. Këto praktika ishin përdorur nga regjimi serb edhe më parë në Kroaci dhe Bosnje. Në vargun e krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve gjenocidale serbe kundër shqiptarëve shquhet një veprim i tmerrshëm dhe ky është fshehja e krimeve, specifikisht zhvarrosja e kufomave në Kosovë dhe varrosja në varrezat masive në Serbi.

Krimi dhe gjenocidi në Kosovë dhe kundër shqiptarëve ishin të paramenduar dhe tëplanifikuar një kohë të gjatë nga shteti serb dhe të inspiruara nga strukturat intelektuale, krijuese dhe fetare, pastaj nga mediet etj. Vrasjeve dhe varrezave  masive në Kosovë dhe pastaj zhvarrosjeve të kufomave dhe bartjes së tyre në Serbi për t’i rivarrosur në baza ushtarake,  nën objekte ndërtimi, nën ura, për t’i hedhur në ujëra dhe diegur në miniera etj. -,i ka paraprirë në vitet e 80-ta e të 90-ta represioni i egër policor dhe ushtarak, diskriminimi dhe krimet kundër shqiptarëve si kolektivitet, torturat dhe arrestimet arbitrare, bastisjet dhe ekspeditat ndëshkuese, rrënimi i bazës ekonomike përmes plaçkitjes së teknologjisë dhe pronës private me masa policore, përjashtimet e shqiptarëve nga puna dhe institucionet e pushtetit, mbyllja e shkollave dhe ndjekja e arsimtarëve sikundër dhe kolonizimi i Kosovës si aspiratë shekullore për ndërrimin e përbërjes kombëtare të popullsisë, dëbimi masiv i popullatës shqiptare dhe spastrimi etnik i saj etj.; intervenimi i NATO-s shërbeu vetëm si pretekst për të përmbushur qëllimin e kahmotshëm të spastrimit etnik të shqiptarëve, sikurse në Bosnje.

Varrezat masive dhe tentimi që të fshihen dhe shkatërrohen kufomat e viktimave civile, paraprakisht të masakruara dhe të varrosura në varreza masive, tregon se ky operacion paraqet një nga ndërmarrjet më të mëdha të fshehjes së kufomave për t’i fshehur krimet. Vrasjet dhe fshehja e krimeve dhe praktikat “spastrimit” dhe “shkatërrimit” shërbyen si mjet për të përmbushur qëllimet. Përmes zbatimit të operacionit Asanacija (nga folja frenge Assainir = pastrimi i terrenit nga kundërmimi dhe infeksionet) regjimi përpiqej të pamundësonte zbulimin e krimeve dhe rrjedhimisht dënimin e personave që do të akuzoheshin para Tribunalit të Hagës nga se do të mungonin provat dhe në këtë mënyrë do të demantoheshin pretendimet se ishin kryer krimet. Krimet ishin kryer para se të instaloheshin misionet civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, sepse prania e tyre do ta pengonte një gjë të tillë, ndërkaq në Serbi nuk kishte mundësi të zbuloheshin kufomat. 

Në libër analizohen dinamikat politike dhe proceset që kishin çuar në fshehjen e krimeve dhe mohimin e tyre. Rezultatet e hulumtimit identifikuan elemente që mundësojnë të kuptohen rrënjët dhe konsekuencat e politikës së tillë serbe. Analiza e akuzave, e procesve gjyqësore dhe e aktgjykimeve të udhëheqjes serbe në Hagë, si dhe rruga e gjatë që u ka paraprirë këtyre proceseve dëshmon për natyrën institucionale të organizimit të krimeve e veprimeve gjenocidale dhe dimensionin kolektiv të kryerjes së tyre në Kosovë, konstaton autori.

Për ta shpjeguar, sqaruar dhe kuptuar gjithë këtë proces të ndërlikuar të krimit gjenocidal, autori përveç literaturës dhe burimeve relevante, është mbështetur edhe nga provat e dala nga aktgjykimet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi dhe në materialet tjera  të qarqeve politike e shtetërore, gjyqësore dhe ushtarake serbe etj. Materialet, përveç për juristë, janë burim i çmuar i informacionit për studiuesit, viktimat dhe familjet e tyre. Materialet ishin në anglisht, frengjisht, serbisht etj., të cilat autori i flet dhe i shkruan. Prandaj, autori me lehtësi i ka shfrytëzuar në hartimin e studimit “FSHEHJA E KRIMIT”. Botimi përfshinë disa pjesë dhe disa kaptina e nënkaptina.

Për këtë arsye, materialet e vërtetuara në këto procese gjyqësore paraqesin një burim të pafund të informacionit i cili shkon në kundërshtim me ndërmarrjen e forcave serbe që për të kuptuar më mirë operacionin e zhdukjes së çdo lloj prove të mundshme të krimeve të serbe,  Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi do të luajë një rol kyç, jo vetëm në gjykimin e lidershipit serb, por edhe duke i bërë publike krimet kundër civilëve. Tribunali i Hagës do të jetë pengesa kryesore në luftën e regjimit të Milosheviqit kundër civilëve dhe kamuflimin e krimeve. Aktakuzat kundër zyrtarëve më të lartë serbë në krye me Milosheviqin, në maj të vitit 1999 dhe në proceset gjyqësore të Hagës, do ta bëjnë të pamundurën që këto krime kundër civilëve të mbeten dhe trajtohen si “dëm kolateral” i asaj që ai e kishte paraqitur si “luftë kundër terrorizmit” e që në realitet kishte për qëllim stigmatizimin e kundërshtarëve si vrasës të personave të pafajshëm.

Autori i shpjegon kronologjikisht dhe në hollësi veprimet fashistoide të regjimit serb, që kulminuan me vrasjet dhe varrezat masive dhe “vjedhjen” e kufomave për t’i fshehur krimet në Kosovë, ashtu siç bëri më parë në Bosnje dhe Hercegovinë. Në maj të vitit 2001 u bë publik informacioni mbi ekzistencën e disa varrezave masive të shqiptarëve të Kosovës në Serbi. Mbetjet mortore të cilat do të zbulohen në këto varreza masive ishin ato të viktimave civile shqiptare, të vrara në Kosovë, në vitin 1999. Ato ishin transportuar atje në mënyrë të organizuar nga fundi i marsit deri në fillimin të qershorit të vitit 1999 dhe ishin fshehur në disa lokacione në Serbi. Ekzistenca e këtij operacioni do të bëhet publike pas rënies së regjimit të Milosheviqit dhe arrestimit të tij në fund të prillit të vitit 2001. Pas zbulimit të këtij operacioni, Qeveria e Serbisë kishte krijuar një grup punues për ta hetuar atë. Grupi punues do të dalë me dy raporte (më 25 maj dhe më 26 qershor 2001) në të cilat flitet për dy lokacione ku ishin rivarrosur civilët shqiptarë të Kosovës: Batajnica në periferi të Beogradit dhe Petrovo Selo afër Kladovës, në Serbinë Lindore. Një muaj më vonë, Qeveria e Serbisë do të japë informacion edhe për një varrezë tjetër masive afër digës së Liqenit Peruçac te Bajina Bashta, në kufi të Serbisë me Bosnjën dhe Hercegovinën. Në vitin 2013 do të zbulohet varreza e katërt masive, në vendin e quajtur Rudnica, afër kufirit të Serbisë me Kosovën. Numri më i madh i mbetjeve trupore të shqiptarëve të Kosovës do të zbulohen në Batajnicë, në një terren të Forcave Speciale të Policisë së Serbisë.

Në vitet 2001-2002, nën mbikqyrjen dhe asistencën e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, si dhe të hetuesve të Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, në këtë lokacion u gërmuan gjithsej tetë varreza masive. Aty u zhvarrosën dhe u gjetën mbetjet mortore të – jo më pak se 741 personave. Nëse kësaj ia shtojmë edhe gjetjet e trupave të viktimave të zbuluara në Petrovo Selo, në Liqenin Peruçac dhe në Rudnicë, atëherë ky numër shkon në 944 veta. Në një studim të Fondit për të Drejtën Humanitare të publikuar në vitin 2017 janë identifikuar masakrat nga të cilat kanë rezultuar kufomat e zhvarrosura në Serbi. Në këtë raport thuhet se këto mbetje trupore rezultonin nga 40 masakra të ndryshme të civilëve në Kosovë. Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Një pjesë tjetër e kufomave të zhvarrosura supozohet se janë djegur në së paku katër shkritore minierash në Serbi dhe në Kosovë.

Zhvarrosja e trupave të viktimave shqiptare të Kosovës është organizuar nga nivelet më të larta të regjimit serb në Beograd, gjë që bën të kuptohen edhe strukturat udhëheqëse, personat e implikuar dhe modus operandi-n e tyre. Kjo na mundëson ta kuptojmë se cilat kanë qenë shkaqet të cilat e kanë shtyer Milosheviqin që ta realizoj një operacion të tillë dhe çka fshehej pas shprehjes “asanacija”, e cila është përdorur si term për të përshkruar vetë operacionin.

Fshehja e krimeve, sipas autorit, është komponent i rëndësishëm i luftës kundër civilëve dhe qëllimi i saj është, përveç tjerash, edhe mohimi i krimeve. Regjimi i Milosheviqit ka tentuar t’i mohojë krimet, t’i paraqesë civilët e vrarë si luftëtarë të UÇK-së, t’i djegë kufomat e viktimave në vendin e ekzekutimit ose në shkritore të minierave në Kosovë dhe në Serbi dhe deri në “grabitjen” e varrezave masive në Kosove dhe fshehjen e tyre në më shumë se 400 kilometra larg vendit të krimeve, duke e bërë Batajnicën varrezën masive më të madhe të shqiptareve të Kosovës. Imazhet e Kamionit frigorifer të mbushur me kufoma civilësh shqiptarë të Kosovës, i cili kishte dalë në sipërfaqe të Danubit, do të jetë ballafaqimi i parë i Serbisë më të kaluarën e luftës në Kosovë dhe ka paraqitur një përvojë edhe vizuale e cila ka ofruar qasje të vërtetë në të kaluarën.

Autori në vazhdim analizon rolin e Tribunalit të Hagës në fazat e para të implikimit të tij në Kosovë. Deklaratat e para të Tribunalit për Kosovën i gjejmë në fillim të marsit 1998. Fokusimi i tij do të jetë pikërisht në krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve. Në këtë mënyrë, Tribunali do të kontribuojë që kjo dhunë masive mos të mund t’i shërbejë “qëllimit strategjik” të Serbisë në Kosovë. Paralajmërimi i regjimit serb se vrasja e civilëve përbënte shkelje të rregullave të luftës do të bëhet përmes letrave të cilat prokuroria e Hagës do t’ia dërgojë Milosheviqit, përmes deklaratave për shtyp të prokurorisë dhe kryetarëve të Tribunalit, por edhe përmes kërkesave për bashkëpunim në hetimin e krimeve. Në këtë kapitull janë analizuar disa momente kyçe të këtij ballafaqimi të Tribunalit të Hagës me regjimin e Milosheviqit para se të shpallen aktakuzat. Masakra e Reçakut është një nga ato. Kjo masakër përmban të gjitha elementet e natyrës së luftës së Serbisë në Kosovë.

Ky ballafaqim i Tribunalit të Hagës do të përfundojë me shpalljen e dy aktakuzave kundër zyrtarëve më të lartë serbë. Aktakuza e parë është ajo e bërë publike me 24 maj 1999 kundër Sllobodan Milosheviqit dhe katër zyrtarëve më të lartë serbë. Në tetor 2003 do të shpallet një aktakuzë e dytë kundër vartësve të grupit të parë e që ishin krerët tjerë ushtarakë dhe policorë të RFJ-së dhe Serbisë. 

Në një pjesë të librit trajtohen fillimisht aktakuzat e lëshuara nga Tribunali i Hagës kundër lidershipit politik, ushtarak dhe policor serb për krimet e kryera në Kosovë. Aktakuzat të cilat në masë të madhe do të vërtetohen gjatë proceseve gjyqësore do ta qartësojnë se kush kanë qenë urdhërdhënësit e krimeve, duke përfshirë këtu edhe operacionin e fshehjes së kufomave të civilëve shqiptarë. Në këtë pjesë të librit do të analizohet përgjegjësia e secilit zyrtar të lartë serb, si dhe roli i tyre individual në kuadër të hierarkisë politike, ushtarake dhe policore të RFJ-së dhe Serbisë. Të dënuarit për krime në Kosove do të jenë: Nikola Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Sreten Lukiq, Vlastimir Gjorgjeviq dhe Vladimir Lazareviq. Një analizë paraprake të këtyre rasteve është e rëndësishme për shkak se shumë pak është shkruar për këta persona në Kosovë dhe për shkak se, përveç Milosheviqit, ka shumë pak njohuri se kush kanë qenë ata, cili ka qenë roli i tyre brenda regjimit, cilat kanë qenë akuzat për të cilat janë akuzuar dhe për cilat krime janë dënuar. Këto gjykime kanë kaluar në Kosovë të pashpjeguara. Kjo analizë na mundëson ta kuptojmë më mirë rolin e këtyre personave për shkak se viktimat dhe dëshmitarët të cilët kanë dëshmuar në proceset gjyqësore në Hagë nuk ishin ballafaquar me këta persona ndonjëherë për shkak se ata kishin qenë larg vendeve të krimeve. Kjo është edhe arsyeja pse këta persona nuk kanë arritur të hyjnë në memorie kolektive në Kosovë.

Më tutje autori analizon doktrinën gjyqësore të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” (NPK) në bazë të së cilës është akuzuar dhe dënuar lidershipi serb. Kjo doktrinë gjyqësore i ka mundësuar Tribunalit t’i dënojë eprorët serbë në bazë të “qëllimit të përbashkët” që ka qenë dëbimi masiv i popullsisë shqiptare të Kosovës me qëllim të ndryshimit të strukturës së popullsisë e që në dimensionin afatgjatë kishte për qëllim mbajtjen nën kontroll të Kosovës. Analizohet edhe dalja në sipërfaqe e operacionit të grabitjes së varrezave masive. Bërja publike e këtij operacioni është e lidhur ngusht me ndryshimet politike në Serbi dhe me dorëzimin e Milosheviqit në Hagë. Milosheviqi ishte arrestuar në prill 2001 dhe për të legjitimuar dorëzimin e tij në Hagë, Qeveria e Serbisë në krye me Zoran Gjingjiqin do të bëjë fillimisht publike daljen në sipërfaqe të kamionit frigorifer në Danub dhe më pas edhe në lokacionet tjera ku kishin përfunduar kufomat e shqiptarëve të Kosovës në Serbi. Operacioni i nxjerrjes së kamionit frigorifer nga Danubi i njohur si “Thellësia 2” (Dubina 2) është qartësuar gjatë proceseve gjyqësor në Hagë, në veçanti gjatë gjykimit të ish-zëvendësministrit serb, Vllastimir Djordjeviq.

Në një kapitull është analizuar planifikimi dhe kryerja e operacionit “Asanacija”. Mungesa e provave të shkruara kishte qenë sfida më e madhe e prokurorisë së Hagës për të vërtetuar këtë operacion. Mungesa e urdhrave të shkruar është karakteristikë e veprimit të forcave serbe në Kosovë. Për ta vërtetuar këtë operacion, dëshmitarët do të luajnë rol kyç duke ia filluar nga shoferët e kamionëve të cilët i kishin transportuar kufomat deri te bageristët të cilët i kishin hapur varrezat masive me makineri të rëndë dhe i kishin ngarkuar në kamionë. Në këtë kapitull analizohen edhe lokacione tjera të kufomave të zhvarrosura, që supozohet se janë djegur në së paku katër shkritore minierash në Serbi dhe në Kosovë.

Ndërkaq në një pjesë të librit prezantohet natyra e krimit të fshehjes së kufomave të viktimave civile nga aspekti krahasues. Krahasimi me operacionin e ngjashëm në Srebrenicë, ku nga gushti deri në nëntor 1995 serbët e Bosnjës u ishin kthyer varrezave masive, duke i zhvarrosur mbetjet trupore të viktimave boshnjake dhe duke i rivarrosur ato në 24 varreza “sekondare” përgjatë lumit Drina, na mundëson ta kuptojmë më mirë operacionin e ngjashëm në Kosovë. Në Bosnje ishte proceduar me “spastrim” të terrenit para se të shkohet në Dejton, në nëntor dhe dhjetor 1995. Në Bosnje, ky operacion mban emrin e njëjtë si në Kosovë, “Asanacija”. Serbët e Bosnjës kishin kalkuluar se në rast se do të zbuloheshin krimet e tyre, ata do të dobësoheshin në Dejton. Ngjashëm edhe në Kosovë, Millosheviqi kishte menduar se me fshehjen e kufomave të shqiptarëve të Kosovës në Serbi, do të mund të mohonte se në Kosovë kishte pasur krime masive dhe këtë do të mund ta kapitalizonte politikisht në negociata që parashihej të zhvilloheshin. Mohimi i krimeve figuron në agjendën e njërit nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, gjeneralit të policisë së Serbisë, Obrad Stevanoviq, i cili në një takim në Presidencë kishte shkruar në agjendën e tij: “Nuk ka kufoma-nuk ka krime” (“Nema leševa-nema zločina”). Në këtë kapitull është analizuar edhe mohimi i krimeve nga aspekti i fushës së drejtësisë tranzicionale.

Autori prof. Anton Vukpalaj bëri një punë të cilën nuk e kishte bërë as Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë i themeluar nga një Qeveri qysh në vitin 2011 për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacionet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Autori vetë i mblodhi, i klasifikoj, i analizoj dhe në fund i studio dhe rezultatet i kumtoi në botimin “Fshehja e krimit – Politika serbe e mashtrimeve të mëdha”. Nuk ka dyshim se ky botim, i realizuar brenda një kornize metodologjike, adekuate për hulumtimet e tilla, paraqet një burim reference të rëndësishme për problematikën që i kushtohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *