Njerëzit e Ramush Haradinajt u takuan fshehurazi me Gjuriqin për krijimin e Zajednices me kompetenca ekzekutive

464

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kritikuar në vazhdimësi për mungesë transparence. Jo rrallëherë është aluduar edhe për takime të fshehta apo sekrete ndërmjet palëve.

Burimet ndërkombëtare dhe vendore, i kanë konfirmuar  se një takim i fshehtë ka ndodhur mbrëmë, e mërkurë 19.06.2019, në Berlin.

Sipas burimeve të konfirmuara, me ftesën e njerëzve më të afërt të kancelarës gjermane Angela Merkel, mbrëmë është mbajtur një takim sekret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky takim është mbajtur në zyret e kancelarisë Gjermane dhe aty kanë marrë e pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, mirëpo jo edhe përfaqësues nga SHBA-të.

Palën kosovare e kanë përfaqësuar dy njerëzit më besnik të kryeministrit Haradinaj, ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi, pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

Pala serbe është udhëhequr nga Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

BE-ja është përfaqësuar nga Angelina Einhorst ( drejtoreshë për Evropën perëndimore, për Ballkan dhe Turqi nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së, Gjermania nga Dr. Jan Heckert (këshilltar për politikë të jashtme i kancelares Merkel), ndërsa Franca nga Alexandre Adam ( zëvendës këshilltar për Evropë nga Zyra e presidentit Macron).

Qëllim i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë  me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus.

Të njëjtat burime ndërkombëtare dhe vendore e kanë konfirmuar se kryeministri Haradinaj tashmë ka pranuar propozimin e Gjermanisë që Kosova të pranojë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive si kompromis kryesor për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sipas këtij skenari, Serbia nuk do të ketë nevojë ta njoh pavarësinë e Kosovës de jure dhe as te vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Serbia vetëm do ta pranojë faktin se Kosova ka territorin e saj.

Pra, takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës, shkruan lajmi.net

Përkundër progresit të arritur në këtë takim, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret dhe se pala serbe përsëri ka kërkuar heqjen e tarifave.

Të deleguarit e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pasur fuqi dhe mandat të vendosin për heqjen e taksës dhe kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Gjermania dhe Franca. Si rezultat i dështimit të Kosovës për heqjen e taksës, burimet tona konfirmojnë se takimi i paralajmëruar për tu mbajtur në Paris, tashmë është anulur.

Këtë lajm, sot e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërsa se shpejti pritet edhe informimi zyrtar për anulimin e Samitit te Parisit.

Në fotografinë që ka siguruar Periskopi shihen ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi, pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt në hotel ‘Marito’ në Berlin./Periskopi/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *