Nga sot lokalet do të mund të punojnë deri në ora 20:00h, të premten vendoset për masat e natës së “Vitit të Ri”
“Qendrat tregtare dhe veprimtaritë e shërbyese mund të punojnë deri në orën 20:00h, me masa kontrolli të shtuara” – ka deklaruar, anëtari i Shtabit të Krizave, Branislav Tiodoroviq, i cili vuri në dukje se kjo masë është e kufizuar në kohë dhe vlenë deri ditën e premten, dhe jo për vikend.
“Masat do të hyjnë në fuqi menjëherë dhe ato duhet të miratohen sot në seancën e Qeverisë së Serbisë,” tha epidemiologu Tiodoroviq.
Sipas tij, këto vendime parashikojnë që kafenetë dhe restorantet të punojnë pa muzikë.
“Testet në shtëpi ishin një keqkuptim, ato nuk duhej të ishin në përdorim falas,” tha Tiodoroviq, duke shtuar se “rekomandimi për ta është që nëse dikush i ka këto teste, ai duhet të kontaktojë mjekun e tij”.
Sipas Dr.Branisllav Tiodoreviq, në seancën e sotme, nuk është biseduar për masat që do të vlejnë për Vitin e Ri, dhe se për keto masa do të vendoset gjatë seancës të së premtes.
Epidemiologu Predrag Kon deklaroi dje se pjesa mjekësore e Shtabit të Krizës, është absolutisht kundër zbutjes të çdo mase, por që “realiteti është ashtu siç është” dhe se ai do të trajtojë këtë çështje përsëri.
Kur bëhet fjalë për natën e Vitit të Ri, Dr.Kon theksoi se nuk është sekret që mjekët nga Shtabi i Krizave rekomanduan një kufizim të lëvizjes nga ora 19:00h deri në 5:00h të mëngjesit, por se nuk ka nevojë për atë tani.
“Pritja e zakonshme nuk është një opsion real, dhe kjo do të ishte katastrofike,” tha Kon, duke shtuar se situata e epidemisë është ende e pafavorshme dhe se nuk ka vende në spitale./LUGINALAJM/