Në Elbasan zbulohet laboratori i drogës, në mesin e të arrestuarve edhe nipi i Enver Hoxhës! (Video)

111

Një super operacion i Policisë së Shtetit është finalizuar pasditen e së mërkurës në zonën e njohur si Labinot Fushë në Elbasan, ku është sekuestruar një laborator i përpunimit të drogës, më i madhi i gjetur deri më sot në vendin tonë. 
Mbi 100 kilogram kokainë e përzierë, një sasi e konsiderueshme kokaine e pastër, rreth 4 ton përzierës si dhe një sërë mjetesh që shërbenin për kryerjen e këtij procesi janë rezultatet paraprake të operacionit të koduar “Xibraku”.
Deri më tani në pranga kanë rënë 8 persona, dy prej tyre shtetas të huaj. Mes të arrestuarve është edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Laboratori ndodhej në disa magazina, dikur shtetërore, pak metra larg aksit nacional Elbasan-Librazhd. Një çift të moshuarish shprehen se e kishin dhënë këtë godinë me qira disa muaj më parë dhe nuk kishin asnjë informacion se çfarë ndodhte aty. Ata i kanë thënë policisë se nuk kishin vënë re asnjë lëvizje të dyshimtë
“Godina është pronë e jona, por ne e kemi lëshuar atë me qira. Nuk kemi parë asnjë lëvizje të dyshimtë”, është shprehur pronarja e objektit.
Sipas Policisë së Shtetit të arrestuarit janë: Gentian Gjonaj, Arian Dalipi, Ilir Hyseni, Klemend Dalipi nga Elbasani, Ermal Hoxha, Saimir Batku nga Tirana dhe Cesar Avila e Ëalther Moreno nga Kolumbia.
Ndërkohë, raportohet se në momentin e arrestimit të Saimir Batkut, në automjetin e tij janë gjetur 18 kilogram heroinë dhe rreth 300 mijë euro.
Operacioni i drejtuar nga policia shqiptare dhe i koordinuar nga policia gjermane, vjen pas një hetimi disa mujor, ku nga të dhënat e grumbulluara rezulton se në Shqipëri droga mbërrinte e përzierë me vaj palme nga vendet e Amerikës Latine e këtu bëhej ndarja. Më pas droga kishte si destinacion vendet e Europës.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi dhe prokurorë të Krimeve të Rënda, ndërkohë operacioni është ende duke u zhvilluar në disa qytete si në Elbasan, Tiranë, Durrës e Fier për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar që çoi në zbulimin e laboratorit më të madh të përpunimit të drogës në vend./Top-channel/ – /LuginaLajm/

Video:




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *