Në Bruksel nënshkruhet marrëveshja për drejtësi për veriun e Kosovës! (Video)

271

Qysh në takimin e parë si drejtues delegacionesh, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë hedhur nënshkrimet në një marrëveshje në kuadër të dialogut politik Kosovë- Serbi.

Të dy kryeministrat nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për drejtësinë në pjesën veriore të Kosovës, pas shumë orë bisedimesh nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Ajo ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes por pa dhënë detaje për përmbajtjen e saj.

“Dy kryeministrat finalizuan marrëveshjen për drejtësinë dhe gjyqësinë në Kosovë duke mbyllur kështu kapitullin e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe e cila në mënyrë substanciale do ta përmirësojë jetën e njerëzve në tere. Unë e përshëndes Isa Mustafën dhe Aleksandar Vuçiqin për këtë të arritur”, tha Mogherini në deklaratë pas takimit.

“Kryeministri Vuçiq dhe kryeministri Mustafa kishin një diskutim përmbajtësor për një spektër të gjerë çështjesh rreth dialogut dhe vlerësuan punën e mbetur”, u shpreh ajo duke shtuar se në ditët e ardhshme, grupet punuese do të mblidhen për ta çuar përpara implementimin.

Sipas ndërmjetësueses evropiane, dy kryeministrat shkëmbyen pikëpamje për rrugën përpara dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar në arritjen e progresit në normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri Mustafa dhe Kryeministri Vuçiq u pajtuan që të punojnë së bashku për të adresuar problemet aktuale rajonale, në mesin e të cilave edhe problemin akut të emigrimit ilegal nga Kosova.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha pas takimit se marrëveshja për drejtësi është e rëndësishme për Kosovën sepse, sipas tij, ajo siguron funksionimin e një sistemi unik gjyqësor në Kosovë.

“Do të vazhdojmë me çështje tjera në mënyrë që i gjithë vendi të integrohet dhe të ketë sovranitet në tërë territorin”, tha Mustafa para gazetarëve.

Ai tha se data e takimit të ardhshëm nuk është caktuar ende por marrë parasysh temat, ai pret që takimi të mbahet së shpejti”.

Kryeministri serb Vuçiq, pas takimit, i ka vlerësuar bisedimet si “të vështira”, ndërsa tha e marrëveshja e arritur siguron pjesëmarrjen e gjykatësve serbë në veri të Kosovës.

Vuçiq tha se delegacioni i Kosovës ka insistuar që në bisedime të flitet edhe për “Parkun e Paqes” të vendosur mbi urën e Ibrit.

“Ne nuk deshëm të bisedojmë për këtë por deshëm të diskutojmë për Trepçën dhe Bashkësinë e Komunave Serbe”, tha Vuçiq

Sipas tij, raporti i gjykatësve shqiptarë dhe serbë në Gjykatën e Mitrovicës do të jetë 14:11 në favor të shqiptarëve, ndërsa kryetari i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut do të jetë serb./kallxo.com/ – /LuginaLajm/

Video:

:




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *