Ndikimi i reformave në arsim

Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi. Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria. Është edhe një nga fushat që jo vetëm i prin shoqërisë, por edhe ndikohet fuqishëm prej saj dhe ndryshimeve shoqërore. Fakti që sistemet e arsimimit janë në ndryshim të përhershëm, nuk tregon paqëndrueshmëri, përkundrazi, ato shërbejnë për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimit të shoqërisë. Arsimi është një proces që i hap rrugën së nesërmes së vendit dhe garanton një të sotme më të mirë. Si i tillë arsimi duhet të mbajë parasysh dy parime themelore: Së pari edukimin, dhe së dyti arsimimin. Të dy konceptet janë dhe duhet të jenë të përcaktuara mirë: edukimi si një proces i zhvillimit të personalitetit, dhe arsimimi, si një proces i zhvillimit mental të subjektit.

Reforma e administrimit në sektorin e arsimit synon konsiderimin e kërkimit shkencor si një ndër instrumentet e rëndësishëm të menaxhimit të sistemit në nivelin e organeve drejtuese dhe të vet shkollave.

Teknologjia e sotme të krijon me mijëra mundësi për të lexuar, për të zgjedhur dhe mbi të gjitha për të shkurtuar kohën e leximit.

Eksperimentimi në arsim nuk është diçka e keqe, por kur ky eksperimentim kalon caqet hapësinore dhe kohore, atëherë ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht. Reformat e fundit në arsim dhe debatet që i kanë shoqëruar atë dëshmojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të shoqërisë për problemet e arsimit dhe shkollës. Këto probleme duket se i përkasin gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një pjese të saj. Reformimi i arsimit tashmë ka prekur të gjithë sistemin arsimor dhe duket se po kulmon me ligjin për arsimin e lartë. Duke qenë se intensiteti i reformave ka qenë i madh dhe koha e kryerjes së tyre, relativisht e shkurtër, janë vënë re dhe po dalin në pah shumë problematika. Është e kuptueshme që vetëm me një reformim të tillë problemet nuk mund të zgjidheshin përnjëherë. Kështu dolën në pah problematikat të cilat në disa raste, nëse nuk trajtohen me seriozitetin e duhur mund të lënë pasoja të rënda në arsimimin e brezave.

Edhe pse duket sikur në shkollë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, kurrikula e re dhe reformimi tërësor i sistemit ka bërë një revolucion në fushën e arsimit.

Të vendosësh nxënësin në qendër të mësimit nuk do të thotë të mjaftohesh duke përdorur disa teknika mësimdhënieje që në literaturën pedagogjike njihen si “teknika të të mësuarit me në qendër nxënësi”, por duhet të ndryshohet mendësia e mësimdhënies, duhet ndryshuar këndvështrimi.

Problematika më e bujshme dhe më shqetësuese, sa herë që fillonte viti shkollor kishte të bënte me tekstet mësimore, ku paraqiteshin vonesa të cilat e pengonin zhvillimin e procesit edukativ-arsimor

Është jashtëzakonisht e rëndësishme për shoqërinë që sistemi i ardhshëm arsimor të ndërtojë dhe të ushqejë vlera universale (paqe, solidaritet, liri, përgjegjësi, barazi…) dhe të insistojë në zhvillimin e të menduarit kritik.

Gjithashtu, është i nevojshëm edukimi shtesë i mësuesve që punojnë në shkolla dhe obligimi i tyre është që të trajnohen me një numër të caktuar të orëve mësimore gjatë një viti shkollor, që të jenë të përgatitur për reformat dhe zbatimin e tyre.

Përgatiti: SHQIPE MEMETI – Mësuese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *