Mustafi: Procesin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës duhet ta shtyjmë me partnerët ndërkombëtarë

Në një intervistë, dhënë të përditshmes “Epoka e re”, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, e ka vlerësuar hap të rëndësishëm rifillimin e bisedimeve me Qeverinë e Serbisë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se këto bisedime kanë të bëjnë me çështjet jetësore të shqiptarëve të cilat parashihen në “Planin shtatëpikësh”. Mustafi ka shprehur optimizëm se me ndihmën e faktorit ndërkombëtar do të mund ta bindin Serbinë për realizimin e këtyre të drejtave.

Përgatiti: Muhamet KOCI

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka shprehur optimizëm për rinisjen e bisedimeve me Qeverinë e Serbisë pas tetë vjetësh.

Ai ka deklaruar se vetëm me ndihmën e faktorit ndërkombëtar do të mund ta bindin Serbinë për plotësimin  e “Planit shtatëpikësh”.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Mustafi ka thënë se realizmi i kërkesave që parashihen me këtë dokument është jetik për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Besoj se zgjidhja e problemeve jetike të qytetarëve, si njohja e diplomave, investimet në ekonomi, punësimet e shqiptarëve përmes përfaqësimit në institucione, e shumë tema të tjera të ‘Planit shtatëpikësh’, që po tentohen të vihen në zbatim nga Beogradi përmes presionit ndërkombëtar, janë shumë më të rëndësishme sesa fatet tona personale”, ka thënë Mustafi.

Ai ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare që ka detyruar Serbinë të ulet në tavolinë me përfaqësuesit e shqiptarëve për të diskutuar për këto të drejta.

“Nuk po them se ndërkombëtarët kanë për t’ia dalë që ta bindin Beogradin zyrtar për t’i zbatuar marrëveshjet e pranuara për Luginën. Ta shohim. E jona është ta shtyjmë procesin me partnerët ndërkombëtarë që na kanë sjellë Beogradin në tavolinën e bisedimeve si palë përballë nesh dhe jo si pjesë brenda tij”, është shprehur ai.

Sipas tij, Serbia duhet t’i zbatojë përgjegjësit që i ka marrë para faktorit ndërkombëtar. “Kërkesat tona burojnë vetëm nga platforma për masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Fusha e arsimit është edhe më e ndjeshme, aty ku është kompetencë edhe e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi. Si nevojë imediate filluam bashkëbisedimet për implementim e shumëkërkuar, për t’i zgjidhur çështjet nga fusha e arsimit në gjuhën shqipe”, ka thënë Mustafi.

“Epoka e re”:  Z. Mustafi, Qeveria e Serbisë ka rinisur për herë të parë që nga viti 2013 bisedimet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për planin shtatëpikësh. Cila është rëndësia e rifillimit të këtyre bisedimeve?
Mustafi: Kanë kaluar mbi 3 100 ditë apo tashmë tetë vjet e gjysmë qëkur platforma e masave urgjente për afirmimin e drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës është aprovuar në mars të vitit 2013 nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar i përbërë nga përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.  Më 4 qershor 2013 ishte miratuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë si “Plani shtatëpikësh”. Në të parashihen ndërmarrja e masave të veçanta e të domosdoshme në përfaqësim, integrim në institucionet shtetërore; rimëkëmbja ekonomike; përdorimi zyrtar i gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare; decentralizimi i gjyqësorit; arsimi, kultura dhe mediat; mbrojtja shëndetësore dhe sociale; si dhe siguria dhe masat për vendosjen e mirëbesimit. Ne nuk bën të lejojmë që Serbia të zhvishet nga përgjegjësitë e marra institucionale nën garancitë e forta të bashkësisë ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat e shqiptarëve të Luginës që do të adresohen në këto bisedime?
Mustafi: Kërkesat tona burojnë vetëm nga platforma për masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Fusha e arsimit është edhe më e ndjeshme edhe kur është kompetencë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi. Si nevojë imediate filluam bashkëbisedimet për implementim e shumëkërkuar, për t’i zgjidhur çështjet nga fusha e arsimit në gjuhën shqipe si: njohja e diplomave të të gjitha institucioneve arsimore nga Kosova; eliminimi i problemit të nostrifikimit të diplomave nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut; zgjidhja e mungesës së teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme dhe planeve e programeve (kurrikula shkollore);  zgjidhja e çështjes së dhënies së provimeve profesionale (licencës); shqyrtimi i mundësisë/nevojës së hapjes të institucioneve të reja të arsimit të lartë në Preshevë dhe Bujanoc dhe në gjuhën shqipe, bursa për studentët që studiojnë në Kosovë dhe Shqipëri; vazhdimi i studimeve pasuniversitare në universitetet serbe për studentët shqiptarë të diplomuar në Kosovë dhe Shqipëri; përmirësimi i cilësisë së mësimit të gjuhës serbe në shkollat në gjuhën shqipe; krijimi i një njësie të posaçme në kuadër të drejtorisë së shkollës në Leskovc që do të merrej vetëm me çështjet e arsimit në gjuhën shqipe si dhe lehtësimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare në punën e Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Institutit për Avancimin e Arsimit.

“Epoka e re”: A keni marrë ndonjë zotim nga qeveria serbe për plotësimin e ndonjë kërkese?
Mustafi: Kemi marrë zotimet nga Ministria e Arsimit dhe obligimet për afatet e zgjidhjes së një mori çështjesh.  Vlen të theksohet se ky takim është organizuar nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogu Social. Pra, ministrja Gordana Çomiq, në bashkëpunim me Trupin Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nën praninë dhe mbështetjen e misionit të OSBE-së në Serbi, ambasadorit Sh. T. Jan Braathu. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq.

“Epoka e re”: Sa jeni optimist se ky proces do të jetë i suksesshëm këtë herë?
Mustafi: Besoj se zgjidhja e problemeve jetike të qytetarëve, si njohja e diplomave, investimet në ekonomi, punësimet e shqiptarëve përmes përfaqësimit në institucione, e shumë tema të tjera të “Planit shtatëpikësh”, që po tentohen të vihen në zbatim nga Beogradi përmes presionit ndërkombëtar, janë shumë më të rëndësishme sesa fatet tona personale.

“Epoka e re”: Sa besoni se faktori ndërkombëtar do të mund ta bindë Serbinë për plotësimin e kërkesave tuaja?
Mustafi: Nuk po them se ndërkombëtarët kanë për t’ia dalë ta bindin Beogradin zyrtar për t’i zbatuar marrëveshjet e pranuara për Luginën. Ta shohim. E jona është ta shtyjmë procesin me partnerët ndërkombëtarë që na kanë sjellë Beogradin në tavolinën e bisedimeve si palë përballë nesh dhe jo si pjesë brenda tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.