Mustafa: S’mund të ketë paqe afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë pa u zgjidhur çështja e Luginës së Preshevës! (VIDEO)

227

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se nuk mund të ketë paqe afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë pa u zgjidhur çështja e Preshevës gjatë emisionit të sotëm në Interaktiv të KTV.

Sipas tij, dialogu ka për qëllim paqen, porse Serbia nuk mund të kërkojë që pakica serbe në Kosovë të trajtohet mbi standarde e pastaj t’ua mohojë të drejtat shqiptarëve të Preshevës.

Ai thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës në vitin 2018 kanë kërkuar se në kuadër të dialogut me Serbinë të trajtohet edhe çështja e Preshevës.

“Kjo ka hapur në Kosovë një debat i madh, konsiderojmë se gjithë ai debat nuk ka qenë në rregull. Ka pasur deklarata nga politikanë në Prishtinë që kanë thënë se nuk na duhen therrat dhe xhamitë e Preshevës”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk kanë sugjeruar për ndonjë marrëveshje të caktuar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në një dialog i cili ka për qëllim paqen nuk mund të mos ketë tema të cilat nuk mund të diskutohen. Nuk mund të vendoset një paqe afatgjate përderisa ka një komunitet të tërë që diskriminohen në mënyrë perfide”, ka thënë ai.

“Deshëm apo s’deshëm në marrëveshjen me Serbinë do të duhej të trajtohej demarkacioni. Ndërkombëtarët kanë pasur rezerva për këtë çështje. Serbia nuk ka qenë represive ndaj kësaj ideje. Ajo që konsideroj është që palët i përkufizojnë parimet dhe kushtet se si bëhet dialogu”, ka thënë ai.

Mustafa: Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit është politike

Duke folur për aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Mustafa ka thënë se ajo është e motivuar politikisht.

Ai thotë se kjo aktakuzë erdhi në momentin kritik, kur pritej të takoheshin përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e dialogut.

“Mënyra e paralajmërimit nga dhomat e specializuara ka qenë një befasi e madhe edhe në kuptimin juridik dhe politik dhe shpresojmë që të mos jetë e motivuar politikisht. Kjo është një goditje e madhe për rajonin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe ka qenë e drejtë.

“Ne nuk disponojmë informata të sakta, krejt çka mund të analizojmë është një minim i procesit që do të përmbyllte subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës. Kjo nuk është aktakuzë, ata kanë dalë kanë thënë se janë të akuzuar Thaçi dhe Veseli dhe disa të tjerë. Deri më sot ende nuk ka një aktakuzë në fuqi dhe gjykata do t’i pranojë si çështje që do të duhej të trajtohej nga gjykata në Hagë”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se zgjedhjet forcuan pozitën e Vuçiqit në Serbi edhe për dialogun me Kosovën

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se zgjedhjet e reja të mbajtura në Serbi kanë forcuar pozitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në këtë shtet edhe sa i përket procesit të dialogut.

Fitorja bindëse e Vuçiqit në zgjedhjet e fundit në Serbi, sipas Mustafës, tregon se “Serbia është bërë vend ku demokracia i ka shërbyer për të krijuar autoritarizëm të paparë”.

Ai ka thënë se deri tash shqiptarët kanë dy deputetë të konfirmuar.

“Sot për sot, i vetmi njeri që pyetet për gjithçka dhe për çdo lëvizje politike, është zoti Vuçiq. Nuk e besoj se kjo e ka forcuar pozitën e Serbisë në dialog, por pozitën e Vuçiqit në Serbi edhe sa i përket dialogut. Ka qenë debat i madh edhe para zgjedhjeve se i vetmi njeri që ka fuqi politike është zoti Vuçiq. I vetmi ky do të mund në një dialog me Kosovën të merrte një vendim i cili do të ishte njohja reciproke e të ndërtohen normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Sot Serbia fatkeqësisht nuk e di se si do të dalë nga ky kolaps politik ku demokracia s’bën sens më sepse Vuçiq ka marrë rreth 190 deputetë nga 250 dhe Daçiq që ishte partner ka marrë 35 deputetë dhe kemi një parti ultra-nacionaliste, por shumë e djathtë e Shapiqit që ka marrë dhjetë vende. Të tjerat janë nga pakicat”, ka thënë ai.

Sipas tij, me deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, shtohet një institucion të cilin shqiptarët mund ta shfrytëzojnë për të avokuar për të drejtat dhe liritë e tyre. Ai ka thënë se duke punuar në Kuvend, deputetëve shqiptarë u mundësohet më lehtë të shprehin shqetësimet e tyre edhe para bashkësisë ndërkombëtare./Koha.net/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *