Murati: Me ridefinim të kufijve forcohet shteti i Kosovës

185

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se ridefinimi i kufijve forcon shtetin e Kosovës dhe bashkon shqiptarët, transmeton Gazeta Metro.

Murati, në emisionin në Rtv Dukagjini, ka shprehur mbështetjen e tij për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë me  marrëveshje duke thënë se “vetëm ndryshimi i kufijve me dhunë sjell luftë”.

Ai ka thënë se versionet tjera të zgjidhjes janë shumë më të dhimbshme se lëvizja e kufijve. 

“Me Asociacionin me kompetenca ekzekutive, ne bëjmë një shtet ku pakica prej 5%, çdo herë ka në dorë çelësin e stabilitetit të këtij shteti”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), ka thënë se ndjehet i befasuar me ata “që gëzohen që u varros ideja e shkëmbimit të kufijve”.

“Po gëzohen njerëzit që u varros ideja që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës? Si është e mundur që ne aq lehtë e harruam përgjegjësinë ndaj atyre shqiptarëve që kanë qenë pjesë e të gjitha proceseve historike në Kosovë?!”.

Murati ka thënë se me ndryshim të kufijve është e kundërta e atyre që po e thonë një pjesë e politikanëve dhe analistëve në Kosovë.

“Ata që flasin se po prishet shteti i Kosovës duke ri definuar kufijtë e Kosovës, unë po them që janë duke i ndryshuar tezat. Me ridefinim të kufijve ne forcojmë shtetin e Kosovës, sepse marrim pjesë e shqiptarëve dhe krijojmë një shtet funksional”, tha Murati./gazetametro.net




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *